Serbia organizoi ‘gjyqe të padrejta’ ndaj shqiptarëve të Kosovës

Aktuale

Serbia organizoi ‘gjyqe të padrejta’ ndaj shqiptarëve të Kosovës

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 09:47
Prezantimi i raportit te HLC-së

Gjykatat serbe organizuan pothuajse 2,000 gjyqe të padrejta të shqiptarëve të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000, duke shkelur të drejtat e tyre dhe duke përdorur teknika të diskredituara për t'i dënuar ata, pohoi një raport nga Qendra për të Drejtën Humanitare.

Gjykatat serbe gjykuan në mënyrë të padrejtë 1,874 shqiptarë të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000, shumë prej të cilëve ishin të pandehur që u transferuan në burgje në Serbi pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor 1999, thuhej në raportin e prezantuar të martën në Beograd nga Qendra për të Drejtën Humanitare.

“Raporti vë në dukje disa shkelje ligjit, por gjithashtu thekson faktin se shumë njerëz në sistemin gjyqësor që ishin aktivë në këto procese mbajnë ende funksione të rëndësishme sot,” tha Budimir Ivaniseviq, drejtor ekzekutiv i HLC.

Raporti thotë se në vitin 1996 dhe 1997, prokurorët e qarkut në Kosovë filluan të ngrinin një numër të madh akuzash për terrorizëm dhe krime të tjera lidhur me shqiptarët etnikë.

Ata u akuzuan, ndër të tjera, për organizim të bandave terroriste, sulm ndaj policisë, ushtrisë dhe civilëve dhe se po punonin drejt shkëputjes së dhunshme të Kosovës nga Serbia dhe Republika Federale e Jugosllavisë.

Pasi forcat e Beogradit u larguan nga Kosova në fund të luftës në qershor të vitit 1999, shqiptarët e Kosovës që po ndiqeshin penalisht u zhvendosën në burgje në Serbi dhe gjykimet e tyre vazhduan para gjykatave serbe.

Raporti i HLC-së pretendon se institucionet serbe kryen një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut dhe injoruan pretendimet e shqiptarëve të Kosovës të arrestuar se ata po trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore, në disa raste edhe torturoheshin që të rrëfeheshin.

Në shumicën e rasteve, u krye një test i diskredituar parafine për të përcaktuar prani nitrati – një përbërës i barutit – në duart e të dyshuarve,

“Testi me parafinë nuk përdorej më që në mes të shekullit të 20-të dhe nuk konsiderohet si provë e denjë se dikush ka shkrepur një armë. Shumë nga të arrestuarit ishin fermerë dhe kishin kontakt me nitratin,” tha autori i raportit, Mihailo Pavloviq.

Pavloviq shtoi se ka pasur raste në të cilat të dyshuarit janë dënuar në bazë të deklaratave që ata dhanë vetëm.

Megjithatë, atyre iu mohua e drejta për të përdorur gjuhën e tyre dhe u detyruan të nënshkruajnë deklarata në serbisht edhe pse nuk e kuptonin, shpjegoi ai.

“Të akuzuarit më vonë pretenduan se ata thanë diçka tjetër dhe jo atë që ishte shkruar në deklaratë,” tha Pavloviq.

Avokati Teki Bokshi nga Kosova, i cili mbrojti disa nga të akuzuarit nga viti 1998 deri në vitin 2000, tha se atij nuk iu lejua të fliste me të pandehurit në gjuhën shqipe kur i vizitoi ata.

“Drejtori i Burgut Qendror në Beograd erdhi dhe tha: ‘Nuk mund të flisni gjuhën e shqiptarit këtu. Këtu jemi në Serbi,” tha Bokshi.

I pyetur nëse shqiptarët e Kosovës të cilët ishin nënshtruar gjyqeve të padrejta mund ta padisin Serbinë, Bokshi tha se statuti i kufizimeve ka skaduar.

Shqiptarët e Kosovës që u gjykuan në Serbi u liruan pas dy ligjeve amnistie të miratuar në 2001 dhe 2002.

Sipas raportit të HLC-së, një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh që kanë trajtuar rastet e shqiptarëve të Kosovës ende punojnë në agjencitë shtetërore serbe dhe në sistemin gjyqësor.

“Ky raport është përpjekja jonë për të nisur një rivlerësim të gjyqtarëve dhe prokurorëve që mbajnë ende poste të rëndësishme në këtë vend,” tha Ivanisheviqi./Birn/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat