Ilir Deda: LDK-AKR-Alternativa nuk kanë vota për Veselin e Haradinajn

Aktuale

Ilir Deda: LDK-AKR-Alternativa nuk kanë vota për Veselin e Haradinajn

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 10:57
Deputeti i koalicionit LAA, Ilir Deda

Beteja politike e koalicionit PDK-AAK-NISMA që nga dita e parë pas zgjedhjeve të 11 qershorit ka qenë si t’i sigurojë numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë, por edhe pozita e kryetarit të Kuvendit duket se do të paraqesë telashe për ta.

Dy subjektet rivale politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa tash e disa ditë janë duke paralajmëruar PDK-në që të mos e propozojë Kadri Veselin për postin e kryeparlamentarit.

I fundit që e bëri këtë paralajmërim sot ishte Ilir Deda i cili në listën e koalicionit rreth LDK-së ka qenë si kandidat i Alternativës.

“PAN duhet ta propozojë dikë tjetër për kryetar të Kuvendit, jo Kadri Veselin”, tha Deda sot derisa i plotësoi procedurat e nevojshme për t’u regjistruar si deputet në Kuvend.

Deda u shpreh i bindur se koalicioni PAN nuk i ka votat e mjaftueshme as për kryetar të Kuvendit as për kryeministër.

“Ata do të dështojnë me krijimin e qeverisë dhe pastaj koalicioni jonë dhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i mbledhë 61 nënshkrime që të vërtetojmë te (Presidenti) Thaçi se jemi shumicë parlamentare”, tha ai.

Deda shtoi se është “për keqardhje” që po bëhen gati dy muaj pas zgjedhjeve dhe Kuvendi nuk është konstituuar ende ndërsa denoncoi atë që e quajti përpjekje për “kontrabandë të deputetëve” nga ana e PAN-it.

“Qe gati dy muaj diskutojmë për mjegullën e krijuar nga eksponentët e koalicionit PAN thuajse kontrabanda e deputetëve është normale dhe se dikush do të votoj për qeverinë e tyre. Ju e keni dëgju nga koalicion LDK-AKR- Alternativa çdo ditë që nuk ka deputet të koalicionit tonë që do t’i jap votë PAN-it”, tha ai.

“Nuk do t’i japim votë Kadri Veselit për kryetar të kuvendit dhe nuk do t’i japim votë zotit Haradinaj që ta krijojë qeverinë me PDK”, tha Ilir Deda..

Edhe deputeti i vetëvendosjes, Rexhep Selimi, kritikoi vonesat në konstituimin e Kuvendit, ndërsa përgjegjësinë për këto vonesa ia kreditoi Zyrës së Presidentit Hashim Thaçi.

“Nuk mund të mburremi me dinamikën e procesit. Po duket që persona të caktuar në Zyrën e Presidentit punuan që ta vonojnë këtë dinamikë”, tha Selimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat