Betohen deputetët e parlamentit të Kosovës, PAN-i dështon të zgjedhë kryekuvendarin

Aktuale

Betohen deputetët e parlamentit të Kosovës, PAN-i dështon të zgjedhë kryekuvendarin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 gusht 2017 Në ora: 10:21
Pamje nga Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci ka ndërprerë edhe vazhdimin e seancës së sotme, duke njoftuar se seanca vazhdon nesër në ora 10:00.

Ai i dha hapësirë të flas shefit të grupit të LDK-së, Avdullah Hoti dhe shefit të grupit të VV-së, Glauk Konjufca, kurse, më pas ka ndërprerë seancën. 

Përndryshe, ka mbet vetëm një pikë e rendit të ditës që është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të LAA Avdullah Hoti ka thënë se koalicioni do të sillet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk do të heqin dorë nga e drejta e tyre si shumicë.

“Qëndrimi jonë është i qartë. Për ne është i papranueshëm kandidati që është fol deri tash sepse është person i padenjë për të udhëhequr Kuvendin. Për kandidatura tjera ne i shqyrtojmë”, tha Hoti.

Enver Hoxhaj: Fajet për mospjesëmarrje të PAN-it i ka Adem Mikullovci

Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, në mënyrë arbitrare e mbylli seancën dhe ashtu e thirri, ka thënë deputeti Enver Hoxhaj.

“Nuk mund të marrim pjesë. Në konsultë me partitë tjera duhet të thirret seanca e re”, ka thënë, Enver Hoxhaj, që foli në emër të koalicionit PDK-AAK-NISMA. “Ai mbylli seancën. Nëse unë jam i saktë duhet të jetë edhe ai”

Konjufca: PAN nuk duhet të lidhet rreth një emri

Deputeti i VV-së Glauk Konjufca tha se koalicioni PAN është mirë ta ndërrojë kandidatin sepse përderisa ata nuk e ndërrojnë kandidatin Vetëvendosja nuk e voton Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

“Nëse PAN barrikadohet rreth figurës së Veselit, ata duhet ta marrin përgjegjësinë pse s’po themelohen institucionet dhe pse një shtet i tërë ka mbetur peng i një emri që quhet Kadri Veseli. Unë propozoj që të mos humbim kohë. Qëndrimi i VV-së është që nesër  të thirret seanca e radhës dhe koalicioni PAN të jetë i përgjegjshëm dhe ta propozojë  një kandidat të pranueshëm për kryetar të Kuvendit”, tha Konjufca.

***

Koalicioni PDK-AAK dhe Nisma nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 15:00 pasi që siq tha deputeti i PAN-it Milaim Zeka, të “kërcënimit” të deputetes Teuta Rugova nga një deputet i LDK-së.

Zeka tha se deputeti i LDK-së ka postuar në Facebook një status pranë përmendores së Ibrahim Rugovës me të cilin kërcënon Teuta Rugovën, të bijën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli pas seancës së paradites ka postuar një fotografi ku shihet pranë përmendores së Rugovës e i cili ka shkruar” Një dorë e ngritur na bëri sot të skuqemi”.

Deputetja Rugova ka votuar për propozimin e PAN-it për shtyrje të seancës.

Kalon ora 15:00, sërish mungon PAN-i

Kur ora shënon më shumë se 15:00 në sallën e Kuvendit janë mbledhur deputetët e VV-së dhe të LAA.

Por prapë mungojnë ata të PAN-it.

Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ka vendosur që seanca të vazhdojë në orët e pasdites pasi që PAN-i kërkoi shtyrjen e seancës.

Vazhdimi i seancës konstituive

Seanca konstituive pritet që të vazhdojë në orën 15:00.

Kjo pasi që kryesuesi Adem Mikullovci ka ndërprerë seancën, pasi që PAN-i nuk ka dhënë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Zyrtare: Seanca e Kuvendit rifillon në orën 15:00

Seanca konstituive e mbyllur nga kryesuesi i saj, si deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, pritet të vazhdojë gjatë ditës.

Mikullovci u ka shpërndarë grupeve parlamentare ftesën për vazhdim të seancës për sot në orën 15.

Në vazhdim të seancës pritet të votohet për kryetar dhe kryesi të Kuvendit.

Image
Ftesa

***

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, duke mos sqaruar rrethanat e krijuara në Kuvend, ka deklaruar se nuk e di se a do të ketë seancë.

Kurse, lidhur me atë se a kishte të drejt Mikullovci ta mbyllë seancën, ai tha se nuk dëshiron të paragjykoj.

Pas propozimit të PAN-it që seanca të shtyhet për dy orë, propozim ky që nuk kaloi, Mikullovci kërkoi që koalicioni PAN të propozoj kandidatin për kryetar të Kuvendit, dhe në momentin që kjo nuk ndodhi, ai ndërpreu seancën, edhe përkundër faktit që sekretari kërkonte që seanca të mos mbyllet.

Mikullovci mbyll seancën konstituive

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci ka mbyllur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, edhe përkundër asaj që sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi i rekomandonte që të mos mbyllej.

Mikullovci sqaroi edhe një herë se kur një votim ka 60 me 60 vota, atëherë ai propozim nuk kalon.

Propozimi i përfaqësuesit të koalicionit PAN, për shtyrjen e seancës për dy orë, ka marrë 60 vota për dhe 60 vota kundër.

Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullofci tha se në momentin që ka një rezultat të tillë seanca nuk shtyhet.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Enver Hoxhajt, i cili i ka thënë Mikullovcit që mos ta shkel rregullore.

Ndryshe, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj kërkoi që pikë e rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të shtyhet për dy orë për shkak se kanë nevojë për konsultime të koalicionit.

Besa Gaxherri “denoncon” Milaim Zekën, ja si i kundërpërgjigjet ai

Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, ka thënë se 59 deputetë kanë votuar për shtyerjen e seancës konstituive, e jo siç u raportua në fillim se ishin 60 deputetë.

Ajo ka thënë se deputeti i Nismës Milaim Zeka nuk ka votuar fare, raporton Bota sot.

Por, menjëherë ka reaguar deputeti Zeka, i cili ka thënë se ka ngirutr dorën me vonesë për shka të hamendësimit se me cilën të votonte.

Ai ka njoftuar se është për shtyerjen e seancës për dy orë.

“Mendoj se është turp që të bëhet hajgare para korit diplomatik”, ka thënë Zeka në Kuvend.

Dorëzohet PAN për kryetarin e Kuvendit, kërkon dy orë pauzë

Enver Hoxhaj nga PDK, ka kërkuar shkuarjen në pauzë prej 2 orësh në mënyrë, që sipas tij kanë nevojë për konsulta shtesë me partnerët e koalicioni, gjë kjo që dëshmon edhe mungesën ë numrave nga PAN.

Propozimin e PAN-it që të shtyhet seanca për në orën 14:00 e ka mbështetur edhe deputetja e LDK-së Teuta Rugova.

Ajo ngriti dorën për kur propozimi i përfaqësuesit të PAN-it u hodh në votim që të shtyhet seanca për në orën 14:00.

Image

Vetëvendosje japin betimin me flamur kombëtar

Deputetët e Vetëvendosjes e kanë dhënë betimin duke vendosur para tyre nga një flamur kombëtar.

Edhe udhëheqësi i seancës kur i ftoi deputetët të betohen i ftoi të gjithë deputetët të “betohen me zemër”.

Betohen deputetët

Njëqind e njëzet deputet të Kuvendit të Kosovës kanë dhënë betimin.

Në betimin që e lexoi kryesuesi i Kuvendit, thuhet se si deputet do ta kryej dytën time dhe do ta kryej me nder detyrën time, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.

Vazhdon seanca, në sallë janë të gjithë deputetët e Kuvendit

Tashmë në sallën e Kuvendit të Kosovës ku po mbahet seanca konstituive janë të gjithë deputetët e Kuvendit.

Këtë e tha udhëheqësi i seancës, deputeti më i vjetër në moshë Adem Mikullovci.

Tash kanë mbërritur edhe deputetja Teuta Rugova dhe lideri i Nismës Fatmir Limaj.

Seanca konstituive e Kuvendit po vazhdon me plotësimin e komisionit të përkoshëm për verifikimin e mandateve me anëtarin e koalicionit PAN. Ndërkohë, në sallë kanë arritur edhe deputetët e AAK-së.

Komisioni i përkohshëm do të bëjë për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca konstituive, kanë hyrë edhe deputetët e AAK-së. Ata munguan në fillim të seancës, për arsye se ishin në një takim të përbashkët me PDK-në.

Disa nga deputetët e PAN-it, kryesisht nga PDK kanë filluar të vijnë në seancë.

Xhavit Haliti, Enver Hoxhaj, Flora Brovina, Hajdar Beqaj, Bekim Haxhiu, si dhe kryetari i Kuvendit kadri Veseli tashmë kanë hyrë në seancë.

Por deri më tani nuk janë duke u parë që kanë ardhur deputetët e AAK-së.

Image

Kuvendi shkon prapë në pauzë, PAN nuk shihet askund

Seanca konstituive e kuvendit ka filluar tashmë, pas 30 minuta pauzë.

Pas pauzës seancës i janë bashkuar edhe disa deputetë të cilët nuk qenë në hyrje të saj.

Por PAN vazhdon të mos jetë ende në seancë, përjashtuar Nismën për Kosovën.

 Deputeti i Nismës për Kosovën, ka folur para gazetarëve në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se do të votojë çdo gjë që është në interes të proceseve.

“Çdo gjë që është në interes të proceseve, unë e votoj. Unë jam vetëm pjesë e Milaim Zekës, nuk jam pjesë e PAN-it, jam njeri që kam marr besimin e qytetarëve, kam përgjegjësi para tyre dhe nuk i tradhtoj. Unë nuk e kam logjikën e njerëzve që mendojnë sikur kuajt, nuk votoj në bazë të sms-ve dhe të presionit e shantazhit”, ka deklaruar Zeka, përcjell Bota sot.

Ai ka theksuar se Nisma ka qëndrim që të votojë kandidatët e PAN-it, por ka paralajmëruar se nëse luhen matematika, ata do të marrin vendime individuale.

“Ne kemi qëndrim që ta votojmë që Veselin e Haradinajn, por në qoftë se do të luhen matematika tjera, ne do të marrim vendime individuale”, ka thënë më tej ai.

I pyetur nëse PAN i ka numrat, Zeka ka thënë se nuk e di këtë gjë, pasi nuk ishte pjesë e negociatave.

“Për numra, nuk jam njeri i numrave, nuk e di. Unë për vete nuk e pse nuk janë në sallë PDK dhe AAK.  Dje i kam bërë thirrje Veselit që ai të sakrifikojë veten dhe në qoftë se nuk ekziston disponimi me votu, ai duhet të dorëhiqet”, është shprehur Milaim Zeka.

Hoti: PAN-i po bën presion tek deputetët për të krijuar shumicën parlamentare

Shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit LAA Avdullah Hoti tha se mos prezenca e deputetëve të koalicionit PAN në sallën e Kuvendit e konfirmoi atë që e kanë thënë gjithnjë se ata nuk e kanë shumicën e nevojshme ppër të themeluar institucionet e vendit.

“Mua më vjen keq që ata edhe në këto momente që po flasim janë duke bërë presion tek deputetët për të krijuar atë shumicën e nevojshme. Duhet ta kenë të qartë se institucionet në këtë vend formohen vetëm me shumicë parlamentare”, tha Hoti.

Topalli: S’kemi informacione pse mungon PAN-i

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli i tha gazetarëve në nuk kanë informacion pse nuk kanë ardhur deputetët e PAN-it në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, por administratës iu ka kërkuar të jap një shpjegim lidhur me këtë.

Sipas tij, komisioni për verifikimin e mandateve është funksional edhe pa përfaqësuesit e PAN-it, pasi ka marrë votat e mjaftueshme.

Derisa seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për 30 minuta, drejtues të koalicionit PAN i kanë thënë RTK-së se do të jenë në seancë pas 30 minutave.

Ndërkohë, deputetët e LAA-it dhe VV-së, si dhe ata të komuniteteve pakicë kanë formuar Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Deputeti më i vjetër që po udhëheq seancën, Adem Mikullovci ka filluar me kërkesën e emrave të koalicioneve dhe subjekteve politike për anëtarët e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Edhe pse deputetët e Nisma për Kosovën janë në sallë, koalicioni fitues i zgjedhjeve nuk ka propozuar emër për këtë komision, ndërkohë, nga VV është propozuar Albulena Haxhiu,  nga koalicioni LAA-në, Armend Zemaj.

Pas kësaj pike është paraparë dhënia e betimit të deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Me gjysmë ore vonesë ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Aty nuk janë shfaqur deputetët e PDK-së dhe AAK-së, raporton Bota sot.

Përveç tyre, aty mungojnë edhe deputetët e Listës serbe.

Mikullovci: Korumi ekziston, por PAN nuk ekziston

 Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit tqë Kosovës pa deputetët e PDK-së dhe AAK-së. Në sallë para pak minutash kanë hyrë edhe deputetët e Nismës, parti kjo e cila është në koalicion me PDK-në dhe AAK-në.

Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, ka hapur seancën, duke thënë se ka nderin që udhëheq atë, raporton "Bota sot".

“Kam nderin që të hap këtë seancë, si deputeti më I vjetër, që do të ndihmohem nga deputetja më e re, Teuta Rugova”, ka thënë Mikullovci.

Ai ka njoftuar se në sallë janë 73 deputetë, por aty mungojnë ata të PDK-së dhe AAK-së.

“73 deputetë janë në sallë, korumi ekziston, por PAN nuk ekziston”, ka thënë ai.

Kanë kaluar gati 30 minuta prej se kur do të duhej të fillonte seanca konstituive. Deputetët e koalicionit LAA dhe ata të Vetëvendosjes kanë hyrë në sallë dhe janë gati për seancë, por aty mungojnë deputetët e PAN-it, raporton “Bota sot”.

Ndërkohë, kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, ka kërkuar nga administrata që të kontaktojë me deputetët e koalicionit PAN, në mënyrë që të dijë a do të hyjnë në Kuvend apo jo.

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq tha se deputetët e Listës do ta mbështet zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Rakiq tha se sa i përket Qeverisë Lista do të negociojë me përfaqësuesit e partive politike gjithnjë duke vënë në interes mirëqenien e popullit serb që jetojnë në Kosovë.

Pak para fillimit të seancës, Avdullah Hoti nga koalicioni LAA-në dhe Dardan Sejdiu i Lëvizjes Vetëvendosje, janë parë në sallën e seancave teksa janë konsultuar në mes vete.

Në sallë kanë arritur shumica e deputetëve të LAA-it, VV-së por jo edhe ata të koalicionit PAN-në.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës nuk kanë hyrë ende deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, për dallim nga ata të Koalicionit LAA dhe ata të Vetëvendosjes, të cilët kanë zënë pozitat e tyre.

Deputetët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa kanë hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të mbahet seanca konstituive.

Ata janë ulur në anën e majtë, raporton gazetarja e “Bota sot”.

Gati është edhe udhëheqësi i seancës

Deputeti më i vjetër që do ta udhëheq seancën Adem Mikullovci tashmë është ulur në ulësen kryesore ku ulet kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Sipas rregullores ai do ta udhëheq seancën e Kuvendit të Kosovës pasi që është deputeti më i vjetër në moshë.

Mikullovcin do ta ndihmojë deputeti më i ri e që edhe në këtë legjislaturë është deputetja Teuta Rugova.

Adem Mikullovci është lindur në vitin 1939 ndërsa Teuta Rugova në vitin 1990.

Image

Salla e Kuvendit të Kosovës, ku do të mbahet seanca konstituive është bërë gati.

Gazetarja e gazetës “Bota sot” raporton se shumica e deputetëve kanë arritur në objektin e Kuvendit, ndërsa pas pak pritet të nis edhe seanca, ku do të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

Deputetët e rinj të legjislaturës së gjashtë kanë filluar që të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Ndër të parët që kanë ardhur janë kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, bashkë me deputetët Aida Dërguti dhe Dardan Molliqaj, pastaj edhe frashër Krasniqi.

 Pak pas tyre kanë ardhur edhe deputetët e PDK-së Andin Hoti , Mërgim Lushtaku dhe Ganimete Musliu.

 Në orën 10 fillon seanca konstituive ku pritet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat