LDK e VV i përgjigjen “ultimatumit” të Pacollit

Aktuale

LDK e VV i përgjigjen “ultimatumit” të Pacollit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 gusht 2017 Në ora: 07:08
Mustafa, Kurti dhe Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka dhënë afat prej 10 ditësh Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilën është në koalicion dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që ta bëjnë me dije nëse i kanë numrat për formimin e institucioneve.

Ai ka thënë se partia e tij nuk do të jetë bllokuese për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Ndonëse në media deklarata e tij, u pa si një ultimatum, Pacolli ka thënë se ai nuk jep ultimatum, pasi, sipas tij, ultimatumin e vërtetë për zgjidhjen e krizës e përcakton ekonomia.

Ai ka kërkuar nga LDK dhe Vetëvendosje të formalizojnë marrëveshjen, e cila siç ka thënë ai, do t'i jepte fund krizës politike.

Veliu: LDK-së nuk bën t’i jep ultimatum askush

Për deklaratën e Behgjet Pacollit, ka komentuar nënkryetari i LDK-së Agim Veliu. Ky i fundit, ka thënë në një prononcim për gazetën “Bota sot”, se bisedat me Lëvizjen Vetëvendosje janë të kota, derisa koalicionit PAN t’i konsumohet e drejta e provës së parë për formimin e institucioneve.

Image
Agim Veliu

“Ne jemi në pritje pasi ne nuk jemi një koalicion që mund të negociojmë me dikë kur tjetërkush e ka të drejtën e provës së parë. Derisa të mos konsumohet ajo e drejtë, bisedat tona janë veç të kota”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.

Veliu ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij, se LDK-së nuk mund t’i vendos askush ultimatum dhe se të tillat nuk kanë kuptim në politikë.

“Ne e kemi sqaruar deklaratën e Pacollit se LDK-së nuk bën t’i jep ultimatum askush, shko me këtë apo atë. Ultimatumet nuk kanë kuptim në politikë”, ka thënë Veliu për “Bota sot”.

VV: Koalicioni me LDK-në varet nga zhvillimet që do të ndodhin

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje kanë konfirmuar se nuk ka ndonjë zhvillim të ri sa i përket koalicionit me LDK-në.

Zëdhënësi i VV-së Shkodran Hoti, duke folur në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo varet nga zhvillimet që do të ndodhin.

Image
Shkodran Hoti

“Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë edhe përmes Donika Kadajt-Bujupit që ka folur para gazetarëve në Kuvend. Nuk ka pasur ndonjë zhvillim të ri dhe varet shumë edhe prej zhvillimeve se çfarë do të ndodhë, por nuk ka pasur diçka të veçantë”, ka deklaruar Hoti.

I pyetur nëse VV pranon që të shkojë në opozitë edhe pse është partia e parë në vend, se sa të bëjë koalicion me LDK-në, marrë parasysh ultimatumin e Pacollit, Hoti ka thënë se kjo nuk varet nga dëshirat e mendimet e partive politike.

Hoti: PAN nuk do ta votojë Veselin e Haradinajn

Sipas tij, ajo çfarë shihet është se PAN nuk i ka numrat dhe se ata, përmes bojkotimit të seancës konstituive, po përpiqen të blejnë kohë.

“Kjo nuk varet prej dëshirave e medimeve që munden me i pas partitë. Ajo çfarë po shihet është që PDK nuk i ka numrat. Janë bërë dy muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet dhe këta nuk janë të gatshëm as ta nominojnë kandidatin e tyre për kryetar Kuvendi, e mos të flasim për Qeverinë. Do të thotë, ishin ata që kërkuan shtyrje të seancës për dy orë u shtye për tri orë, dhe ata nuk i patën numrat. Vazhdimisht janë duke e neglizhuar këtë çështje për faktin që nuk i kanë numrat. Ne mendojmë se ata nuk i kanë numrat dhe se ata nuk do ta formojnë qeverinë. Rrjedhimisht ata janë duke dashur të blejnë kohë”, është shprehur më tej zëdhënësi i Vetëvendosjes.

Hoti ka theksuar se PAN e ka mundësinë e nominimit të kryeparlamentarit e të kryeministrit, por ata nuk do të mund t’i votojnë as Kadri Veselin dhe rrjedhimisht as Ramush Haradinajn.

“Kemi disa deklarata të zyrtarëve të ndryshëm të tyre , të cilët thonë që i kanë numrat, e në anën tjetër nuk janë të gatshëm që të vijnë në Kuvend dhe ta mundësojnë konstituimin e Kuvendit. Kjo çfarë po e bëjnë ata, nuk është një gjë e zakonshme për historinë parlamentare askund në botë, sepse ata kanë dal si koalicioni fitues, por nuk po arrijnë që ta formojnë shumicën në Kuvend, duke mos arritur dot të jenë koalicion fitues i zgjedhjeve . PAN e ka mundësinë e nominimit të kryeparlamentarit, por nuk janë të gatshëm për ta bërë këtë, sepse nuk po arrijnë që ta kenë shumicën që kërkohet prej 61 deputetëve. Ata janë duke bërë bllokadë institucionale, për faktin që akush nuk po bashkëpunon me ta. Kjo është pasojë që këta nuk kanë mundësi bashkëpunimi me partitë tjera.  Ne mendojmë qëata nuk do ta kenë mundësinë që ta votojnë as kryeparlamentarin Kadri Veselin, që po duan me çdo kusht ta nominojnë dhe rrjedhimisht nuk do të mund ta votojnë as kandidatin e tyre për kryeministër Ramush Haradinajn”, ka thënë për “Bota sot”, Shkodran Hoti.

Sejdiu konfirmon: Nuk e votoj koalicionin PAN

Gazeta ka kontakuar edhe me zyrtarë të AKR, për të marrë një qëndrim të tyre në lidhje me këtë çështje. Nënkryetari i kësaj partie Korab Sejdiu, ka thënë se për këtë temë, mund të flas vetëm kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli.

Image
Korab Sejdiu

“Ju lutem të kontaktoni Behgjet Pacollin. Vetëm ai mund të flas për këtë çështje”, ka thënë shkurt Sejdiu.

Ndërkohë, Sejdiu gjatë ditës së shtunë për mediat, ka konfirmuar se nuk do të votojë për koalicioni PAN.

“Nga fillimi kam thënë që vota ime nuk do të shkojë drejt një koalicioni ku në përbërje është PAN në formatin aktual. Të gjithë deputetët kanë obligim të vendosin në të mirë të vendit dhe qytetarëve, dhe PAN në formatin aktual nuk është në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Kjo aq më tepër ngarkon LAA dhe LVV me përgjegjësi morale shtesë që të bashkojnë forcat në mënyrë urgjente dhe të mendojnë për të mirën e vendit e jo për interesa të ngushta partiake ose personale”, ka thënë Sejdiu.

Koalicioni LDK-VV, brenda kornizës së parimeve

Se koalicioni mes LDK-së dhe Vetëvendosjes duhet të formohet, mendon edhe analisti politik Hidajet Ahmeti.

Ai ka thënë se marrëveshja mes tyre do të duhej të bëhej brenda kornizës së parimeve.

Image
Hidajet Ahmeti

“Nëse ekziston një vullnet i mirë në mes dy subjekteve politike, LDK-së dhe VV-së për një marrëveshje bashkëqeverisje, kish qenë e rrugës që të bëhet një marrëveshje brenda kornizës së parimeve. Fillimisht të diskutohet për harmonizimin e programeve politike, pasi që kanë programe diametralisht të kundërta dhe i takojnë profilizimeve të ndryshme politike, por mbi të gjitha të diskutohet për temat madhore, të cilat  kanë qenë problem për mandatin e kaluar qeverisës. Në politikë nuk mund të thuhet kurrë, gjerat ndryshojnë brenda një intervali të shkurtër kohor. Prandaj, nuk mund të kemi gjykime profetike për çështje të caktuara politike, e mbi të gjitha duke u mbështetur në retrospektivën politike të mbas luftës”, është shprehur Ahmeti.

Ndërsa, duke komentuar zërat se kreu i AKR-së Behgjet Pacolli do të mund të kalojë tek koalicioni PAN, Ahmeti ka thënë se për këtë partinë e tij, pushteti është mbijetesë në skenën politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat