Gjunjëzimi i Haradinajt e Veselit përballë Listës Serbe!

Aktuale

Gjunjëzimi i Haradinajt e Veselit përballë Listës Serbe!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 15 gusht 2017 Në ora: 10:27
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ndonëse jemi në pritje të formimit të institucioneve, koalicioni PAN sadoqë po thotë se i ka numrat e nevojshëm, po e zvarrit shumë këtë proces. Krejt kjo zvarritje po kuptohet si përpjekje e tyre për të siguruar numrat që tashmë e kanë dëshmuar se nuk i kanë.

Koalicioni PAN në krye me Kadri Veselin, dhe kandidatin e tyre për kryeministër, Ramush Haradinajn, po mundohen që përmes shantazhit të deputetëve, të formojnë institucionet.

Por formimi i qeverisë nga Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, dy njerëz me të kaluar ë dyshimtë, e shumë herë të raportuar nga media të ndryshme botërore për përfgshirjen e tyre në vepra kriminale, nga analistët po shihet si qeveri e  kapluar nga SHIK-u dhe haraçi.

Formimi i qeverisë me Listën Serbe, akti i turpshëm e kriminal

Analisti politik Nehat Hyseni, formimin e një qeverie nga Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Lista Serbe e sheh si një akt të turpshëm dhe kriminal.

Image
Nehat Hyseni

“Ardhja eventuale në pushtet e Haradinajt dhe Veselit, përmes presionit dhe shantazhit ndaj deputeteve të koalicionit LAA, si dhe me bekimin e Beogradit dhe me votën e Listës Srpska, paraqet akt të turpshëm dhe kriminal, që do ta dridhë nga themeli dhe do ta destabilizoj skajshmërisht Kosovën. Pra, Kosova nuk mund dhe nuk guxon kurrsesi të udhëhiqet nga minoranca shqiptare e mbështetur dhe e shantazhuar nga Beogradi dhe nga dy njerëz ndaj të cilëve ka akuza të rënda, për vrasje, kërcënime, shantazhe”, vlerëson Hyseni.

Ai thotë se Haradinaj dhe Veseli janë shndërruar në puthadorë të pamoralshëm të Listës Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi.

“Të vetëquajturit "Çlirimtarë" dhe "patriotë" të bashkuar në koalicionin PAN, në mënyrë të paskrupulltë dhe të padinjitetëshme janë shndërruar në puthadorë të pamoralshëm të listës "Srpska", të dizajnuar e të dirigjuar nga Beogradi. Meqë aq shumë janë të etur për pushtet, këta nuk zgjedhin mjete dhe nuk pyesin për moral e dinjitet kombëtar e njerëzor dhe dëshmuan katërcipërisht se janë të gatshëm të vihen në shërbim të dreqit të mallkuar për të mbetur në pushtet dhe për të abuzuar edhe më tutje në mënyrë banditeske e kriminale me fatin e Kosovës”, shprehet Hyseni.

Hyseni thotë më tutje se ndëshkimi i popullit të Kosovës me votë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, në të cilat PDK pothuajse u përgjysmua, lexohet si ndëshkim demokratik nga elektorati shqiptar i Republikës së Kosovës dhe se i rrëzoi nga pushteti, duke u treguar se ku e kanë vendin, në opozitë.

“Por, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, me mbështetjen e Hashim Thaçit janë verbuar e shurdhuar ndaj verdiktit popullor të shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe ia kanë mësyrë për lëmoshë dyerve politike të Beogradit, duke u rënë në gjunjë dhe duke i lutur për lëmoshë politike dhe për t'i mbajtur në pushtet, paçka se po e poshtërojnë veten dhe po e katandisin Kosovën edhe më zi se putgadorët dhe servilët komunistë të Kosovës ndaj Beogradit, si puna e Rrahman Morinës dikur dhe e tarafit të tij të sojit serbofil e tradhëtar shqipfolës. Me qëllimin dhe pretendimin e vetëm për të mbetur me çdo kusht në pushtet”, ka thënë analisti Hyseni për “Bota sot”.

Qeveri e kapluar nga SHIK-u e haraçi

Analisti Faton Mehmeti, qeverisjen e Kosovës nga Haradinaj dhe Veseli, e sheh si të kapluar nga SHIK-u dhe haraçi. Ai thotë se në të gjitha partitë politikë ka njerëz me të kaluar kriminale, por në koalicionin PAN të gjithë janë të tillë.

“Kosova që nga shpallja e pavarësisë asnjëherë nuk është udhëhequr nga njerëz të merituar, prandaj jemi këtu ku jemi. Në çdo parti politike ka njerëz me të kaluar kriminale, por në PAN janë të gjithë, kush më shumë e kush më pak”, thekson Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, fitorja e PAN në zgjedhjet e fundit është si rezultat i rënies së LDK-së, pasi PDK nuk do të ishte në pushtet që nga 2014.

“Gjithsesi Kosova vazhdoi dhe vazhdon të lëngoj nga politikanë të padinjitetshëm, të pamoralshme dhe të korruptuar. Kadri Veseli është maja e krimit dhe vrasjeve në  Kosovë, prandaj lënia e Kosovës në duart e tij nënkupton katandisjen e vendit edhe më shumë në krim, korrupsion dhe vrasje. Këto janë gjëra të tmerrshme që e presin Kosovën,  ngase edhe fjalët për haraç të njerëzve të Ramushit edhe më shumë e komplikon  që Kosova të dalë nga tuneli i SHIK-ut”, vlerëson ai.

Sipas tij, që shteti të mos mbetet në duart e SHIK-ut dhe haraçit, duhet të reflektoj LDK-ja dhe ta shpëtojë Kosovën nga këta njerëz.

“Në shumë deklarata të mija më herët kam potencuar se Ramushi do të bëhet kryeministër me ndihmën e Pacollit, dhe kjo po del të jetë e vërtetë. Kosova është në duart  e krimit të Kadrisë si shkak i dështimit të LDK-së, dhe derisa LDK nuk reflekton të largoj Isën dhe të refomrohet vendi do të vazhdoj të lëngoj në duart e SHIK-ut dhe haraçit”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.

Shitja dhe shantazhi ndaj deputetëve

I të njëjtit mendim është edhe analisti Faik Krasniqi i cili thotë se asnjë nuk po hynë në politikë për ndryshime, por me ‘shpirtin e shitur’.

“Të gjithë në politikën kosovare po hyjnë me shpirtin e shitur, e jo për ndryshime, largimin e mafias, burgosjen e tyre dhe zbardhjen e vrasjeve politike. Arsyetimi i tyre do jetë si gjithmonë që këtë gjë po e bëjnë për shtetin, në vend se ta jepjnin kontributin për ndjekjen e bandave, krimit të organizuar i cili prej nëntokës tash ka dalur mbi tokë. Andaj, mafia politike e kriminelët në Kosovë janë të fuqishëm”, thekson Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi thotë se gjithsecili deputet që ‘shitet’ tek koalicioni PAN, do ta bëj atë shkak të presionit dhe shantazhit.

“Prandaj, nuk bindem aspak që ata të cilët do shiten tek Klani Pronto, do ta bëjnë për shkak të presionit dhe shantazhit, se askush nuk mund të ketë ndikim për votën e tyre, por cilido deputet nga koalicion LAA që shitet do ta bëjnë për shkak të interesave të tyre të ngushta”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, nëse deputetët e koalicionit LAA nuk shiten tek koalicioni PAN, atëherë Kadri Veseli dhe Klani Pronto nuk do të kenë mundësi që ta udhëheqin edhe më tutje shtetin dhe jetën e qytetarëve.

“Çdo gjë është në dorën e 29 deputetëve të koalicionit LAA: T'ia zgjasin jetën akoma këtij klani mafioz, apo t'i japin goditjen përfundimtare dhe ta dërgojnë në opozitë . Por, gjithmonë del ndonjë parti ose deputetë që i bëhet bisht këtij klani mafioz, dhe arsyetimi i tyre do të jetë me refrenin tashmë të famshëm: e bëmë për hir të interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat