"NZZ": Sulmi në Cyrih, në paketë nuk kishte verë, por një granatë ruse

Aktuale

"NZZ": Sulmi në Cyrih, në paketë nuk kishte verë, por një granatë ruse

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 15 gusht 2017 Në ora: 13:46
Ishte fat që redaktori i "Bota sot" e kishte hapur paketën në anën e kundërt dhe granata nuk shpërtheu

Në 2002 një shqiptaro-zviceran kishte dërguar një granatë dore në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Cyrih. Autori është zbuluar rastësisht, ndërsa të mërkurën do të dalë para Gjykatës,  shkruan fillimisht prestigjiozja dhe një ndër mediat më të vjetra botërore “NZZ” me autor  Marcel Gyr.

Pas sulmit me paketën bombë, një kohë të gjatë ngjarja ka mbetur pa u zbardhur. Agresori jetonte në vende të ndryshme të kantonit Cyrih, pa u vënë re. Ai kishte punuar në firma të vogla, kryesisht për pastrim. Në dhjetorin e kaluar, kur personi me etni shqiptare kishte mbushur 41 vjeç,  mori pjesë në një përleshje në një lokal kërcimi në Cyrih. Si kontroll rutinë, policia mori gjurmët e ADN-së për çdo pjesëmarrës në përleshje, ku rezultati i njërit përputhej me gjurmët e ADN në paketën e bombës në 2002.

Atëkohë një i panjohur kishte dërguar një shishe vere Chamonix 1998 Chenin në qendrën e redaksisë së “Bota sot” në Cyrih. Por në fakt ky ishte një maskim i përkryer. Dërgimi i verës kishte brenda një granatë të prodhimit rus, e cila ishte vendosur në atë formë,  e gatshme për të shpërthyer nëse hapej si rregullisht. Fatmirësisht shefi i “Bota sot” e hapi paketën në mënyrë anësore dhe u shmang shpërthimi i granatës ruse.

Familja ishte prezente gjatë hapjes së paketës.

Për shkak se gjatë hapjes së paketës, pranë ishin shumë anëtarë të familjes, aktpadia ndaj të dyshuarit është “vrasje e shumëfishtë e mbetur në tentativë”. Aktpadia do bëhet e qartë për publikun gjatë gjykimit. I akuzuari ndodhet në dënim paraprak, për dyshime të forta me ngjarjen.

Gjykimi ndodhet në limitet kohore, pasi një aktpadi për “vrasje” vjetërsohet pas 30 vjetësh, ndërsa një aktpadi për “vrasje të shumëfishtë të mbetur në tentativë” pas 15 vitesh.

Gjykata Fedreale pritet të vendosë në 20 shtator, pikërisht një javë përpara vjetërsimit prej 15 vitesh: sulmi me bombë ishte kryer në 27 shtator 2002. Vendimi i 20 shtatorit është perfundimtar dhe nuk mundë të ankimohet çeshtja.

Gazeta shqiptare “Bota sot” me qendër në Cyrih ishte e njohur për stilin e saj polemik dhe herë pas here ka pasur procese gjyqësore. I dyshuari për atentat nuk e njihte personalisht pranuesin e paketës , ai e dërgoi paketën me bombë me procedurë të shpejtë në adresën e redaksisë.

Granatë ruse Tip F1

Sipas aktpadisë agresori kishte marrë granatën ruse në një fshat maqedonas si dhuratë e pjesëmarrjes së tij në UÇK. Rreth katër muaj ai kishte shërbyer në UÇK. Më vonë ai e paketoi bombën përmes veglave të blera në filialet e “Migros”.

Rasti mbetet deri sot eksploziv. Pjesëmarrësve në proces u është ndaluar çdo lloj deklaratë për media. Kjo u është kërkuar në mënyrë strikte nga prokuroria. Nga fotografi të ndryshme në internet, i akuzuari shihet me udhëheqësit politik të Kosovës./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat