Isa Mustafa flet për koalicionin me Vetëvendosjen

Aktuale

Isa Mustafa flet për koalicionin me Vetëvendosjen

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 18:58
Isa Mustafa / Foto arkiv

(E plotësuar) - Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së ka folur Isa Mustafa,.

Kryetari i kësaj partie i pyetur nga gazetarët për koalicionin me Vetëvendosje, ka thënë njëherë do të presin që PDK t’i konsumoj procedurat për të prezantuar kandidatin.

Ndërsa për Vetëvendosjen ka thënë se kanë disa çështje që duhet t’i sqarojnë para se të krijojnë partneritet.

“Sa i përket Vetëvendosjes kemi disa çështje që duhet t’i sqarojmë dhe pastaj të bëjmë partneritet. Ata duhet t’i sqarojnë pozicionet e tyre si parti. Në qoftë se dikush ka dërguar 72 lëndë në prokurori për mua atëherë ata duhet të deklarohen a janë të vërteta apo vetëm kanë bërë propagandë. Mua asnjëherë s’më ka thirrë prokuroria. Atëherë si të bëjmë koalicion me një parti kur nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me Demarkacionin, shndërrimin e FSK-së në ushtri, ekonominë”, është shprehur Mustafa.

Përfundon mbledhja e LDK-së, Mustafa flet për kandidatin për kryetar të Prishtinës

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka marr vendim për emrin e kandidatit në komunën e Prishtinës.

Edhe pse mbledhja e kryesisë së kësaj partie zgjati rreth dy orë përfundoi pa ndonjë rezultat.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim.

“Diskutuam për profile të ndryshme të kandidatëve ku përmendëm edhe emra. Diskutuam për ata kandidatë që janë të duhur për Prishtinën. Edhe nesër do të kemi takim me strukturat në Prizren”, ka thënë mes tjerash Mustafa.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 22 tetor të po këtij viti.

Hoti tregon pse u largua nga mbledhja e Kryesisë së LDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka shpjeguar se përse është larguar nga mbledhja e kryesisë së LDK-së, në të cilën janë duke u diskutuar lidhur me propozimet për kandidatët për kryetarë të komunave.

Hoti ka thënë se kanë qenë disa angazhime të tjera ato që e kanë shtyre që të dal më herët nga mbledhja e kryesisë së LDK-së.

“Për shkak të angazhimeve të tjetra, kam dalë me herët nga takimet konsultuese që po mbahen në LDK lidhur me kandidaturat për kryetar të komunave. Kjo është e vërteta lidhur me titujt e dhënë neper media se e kam lëshuar mbledhjen e kryesisë”, ka thënë Hoti.

Tutje ai ka deklaruar se LDK po ndërton një konsensus të gjerë me propozimet më të mira për kryetar të komunave.

“LDK do te dale me propozimet më të mira për kryetar të komunave. Po ndërtohet një konsensus shumë i gjerë në këtë aspekt përmes frymës demokratike që i ka hije LDK-së”, ka deklaruar ai. 

Haziri flet për kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës

Tashmë kanë filluar të bëhen publike emrat e kandidatëve për kryetar komunash, ku deri të martën duhet të dorëzohen të gjitha emrat për kandidatë nga të gjitha partitë në KQZ.

Përderisa në kryeqytet është zyrtarizuar emri i Shpend Ahmetit si kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka paraqitur kandidatin e vet për këtë komunë. 

E sa i përket kësaj, LDK ende nuk ka marr ende ndonjë vendim se me kë do kandidojnë në zgjedhjet lokale.

Ata ende janë në debat të brendshëm për këtë çështje.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i cili thotë ky vendim nuk do të merret as sot.

“Jemi ende në debat të brendshëm. Nuk merret vendimi sot”, ka thënë shkurt Haziri.

LDK tashmë ka nisur mbledhjen e saj ku po diskutohet për emrin e mundshëm nga kjo parti për të parin e kryeqytetin.

Mblidhet LDK, diskuton për kandidatin e saj për kryeqytetin

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është mbledhë në zyrët qendrore të partisë ku po diskutohet për kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës.

LDK ende nuk ka zyrtarizuar kandidatin e saj për të parin e Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat