Sot mbahet takimi konsulativ i partive politike, Vetëvendosja ka paralajmëruar mos pjesëmarrjen

Aktuale

Sot mbahet takimi konsulativ i partive politike, Vetëvendosja ka paralajmëruar mos pjesëmarrjen

Nga: Bota sot Më: 16 gusht 2017 Në ora: 07:02
Mbledhja konsulative e partive politike, e mbajtur javën e kaluar.

Sot do të mbahet takimi konsultativ i partive politike. Në këtë takim të thirrur nga kryesuesi i seancës Adem Mikullovci do të jenë të pranishëm koalicioni PAN si dhe koalicioni LDK- AKR- Alternativa, kurse Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar të shkojë.

Raportohet se në takim konsultativ do të diskutohet për datën e seancës së ardhshme konstituive të kuvendit.

Kuvendi i Kosovës ishte mbledhur të hënën në tentimin e katërt për të vazhduar me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të legjislaturës së gjashtë, mirëpo aty ka munguar koalicioni PAN dhe për këtë kryesuesi i seancës ka pranuar të shkojë edhe një herë në në konsultime me të gjitha partitë parlamentare.

Që të marrin pjesë në seancë dhe t’i hapin rrugë funksionalizimit të institucioneve, kishin bërë kërkesë edhe përfaqësuesit e QUINT-it dhe drejtuesit e BE-së, të cilët kanë kërkuar nga deputetët që sa më shpejt ta konstituojnë legjislativin.

Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, Angelina Eichhorst, ka porositur deputetët që të veprojnë me përgjegjësi dhe ta kryejnë procesin e lënë në gjysmë të konstituimit të Kuvendit.

“Edhe sot nuk pati progres. Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet. Partitë parlamentare duhet të veprojnë me përgjegjësi, t’i përmbushin obligimet ligjore e kushtetuese”, ka shkruar Eichhorst në një reagim në “Twitter”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat