Kosova e Maqedonia merren vesh për hapjen e pikës kufitare në Stançiq

Aktuale

Kosova e Maqedonia merren vesh për hapjen e pikës kufitare në Stançiq

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 12:55
Pamje nga momenti i nenshkrimit te marreveshjes

Kosova dhe Maqedonia nënshkruan sot në Prishtinë protokollin për krijimin e pikës kufitare në Stançiq, që do ta lidhë Anamoravën me Maqedoninë.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj, tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme pasi mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Sot është një ditë e veçantë, sidomos për zonën e Anamoravës pasi është nënshkruar një marrëveshje është hap edhe një derë rreth lëvizjes së lirë e sidomos për ata që jetojnë në këto zona. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e saj sa i përket hapjes së pikës kufitare”, tha Demaj, për gazetarët, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, e vlerësoi këtë marrëveshje si diçka historike.

“Është ditë e rëndësishme hapja e kësaj pike kufitare sa i përket banorëve, pasi do të shkurtojë rrugën për 20 deri në 25 kilometra”, tha Nuhiu.

“E nënshkruam protokollin. Shpresojmë në një afat shumë të shkurtër do ta finalizojmë këtë projekt”, tha zv.ministri Nuhiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat