Daçiq kërkon gjetjen e zgjidhjes afatgjate për Kosovën

Aktuale

Daçiq kërkon gjetjen e zgjidhjes afatgjate për Kosovën

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 17:27
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se në Kosovë “ekziston një paqëndrueshmëri e madhe politike” dhe se nuk ka përparim për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai në fjalimin e tij me rastin e prezantimit të raportit të rregullt për Kosovën, ka thënë se drejtësia në Kosovë “nuk është në gjendje ose nuk dëshiron” që të procedojë kryerësit e krimeve mbi serbët.

Duke folur rreth formimit të komunave me shumicë serbe, shefi i diplomacisë serbe theksoi se marrëveshja është nënshkruar para katër vitesh dhe ende nuk është duke u zbatuar.

“Nuk ka përparim për formimin e bashkësive të komunave serbe dhe drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Beogradi zyrtar do të përmbushë të gjitha kriteret e parapara me marrëveshjen e Brukselit lidhur me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Gjithmonë mund të gjejmë arsye për shtyrje. Serbia do të përmbushë gjithë atë që është paraparë me marrëveshjen e Brukselit”, është shprehur ai.

Daçiq ka kritikuar ashpër mos zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe lirimin e disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ai po ashtu ka kritikuar raportin e UNMIK-ut, duke theksuar se ka lënë anash pjesën, e cila “ka të bëjë me presionet mbi serbët gjatë procesit zgjedhor”.

Daçiq ka thënë se në Kosovë janë kthyer 1,9 për qind e serbëve dhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut ka kërkuar që të dhënat për personat e zhvendosur të kthehen në raporte për Kosovën.

Për më tepër, kreu i diplomacisë serbe theksoi se Beogradi zyrtar dëshiron një zgjidhje afatgjate për “problemin e Kosovës”.

“Zgjidhja e pranueshme e dyanshme duhet të marrë parasysh të drejtat dhe interesat e serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë ai.

Ndryshe, në raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, vlerësoi se dialogu Prishtinë-Beograd po has në vështirësi, duke potencuar se ende nuk ka arritje të mjaftueshme, përfshirë edhe formimi e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Guteresh ka ftuar të dyja palët që të rinisin sa më parë dialogun, si mjet i vetëm për çuarjen përpara të proceseve.

Raporti për Kosovën përfshin periudhën prej datës 16 prill deri më 15 korrik të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat