Makolli: Nuk ka marrëveshje PAN-AKR, i qëndrojmë besnik LAA-së

Aktuale

Makolli: Nuk ka marrëveshje PAN-AKR, i qëndrojmë besnik LAA-së

Më: 17 gusht 2017 Në ora: 13:39
Vesel Makolli

Aleanca Kosova e Re, nuk ka bërë marrëveshje për krijimin e institucioneve me koalicionin PAN dhe kjo nuk pritet të ndodhë, sipas sekretarit të përgjithshëm të Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, i cili tha për kp se ata janë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe se do ti rrinë besnik këtij koalicioni.

Sa i përket asaj që kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli u ka dhënë afat 10 ditor Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të merren vesh për formimin e Qeverisë, Makolli thotë se e ka bërë që këto parti të bëjnë marrëveshje në letër.

Makolli: Ultimatumi i presidentit Pacolli ishte thirrje për unitetit në mes të LDK-së dhe VV-së

“Këto janë vetëm mos të them thashetheme, por janë ashtu ndoshta pak edhe ajo deklarata e presidentit tonë pak është keqinterpretuar, por ndoshta është interpretuar edhe nga një kënd tjetër se ai nuk ka dhënë ultimatum në atë kuptimin që po flitet. Por, ai ka kërkuar që opozita, aty janë edhe Vetëvendosja, edhe LDK-ja edhe na, e që i kemi 61 deputetë ka kërkuar që të jetë unike dhe nuk është në rregull që opozita deri tani nuk e ka një marrëveshje tamon të qitne në letër të nënshkruar nga të gjithë deputetët dhe atëherë edhe kryetari i Kosovës Hashim Thaçi ta qesim para aktit të kryer. Atëherë ai nuk kish pas qare të them kështu në thonjëza që mos me na e dhënë neve mandatarin, por kur ne nuk jemi unik atëherë ata po i shtyjnë gjërat se atyre po ju konvenon ky status kohë”, tha ai.

Për më tepër, ai thotë se kjo ka qenë vetëm një nxitje për opozitën që të merren vesh.

Makolli: Nuk ka kurrfarë marrëveshje që po flitet

“Nuk ka kurrfarë marrëveshje që po flitet, por kjo ka qenë vetëm një nxitje për opozitën që me u marrë vesh edhe dorën në zemër presidenti jonë e ka dhënë një formulë shumë të mirë se me këta numra që po ekzistojnë tani është mirë të bëjmë një qeveri gjithëpërfshirëse e cila kishte me kry shumë punë që mos me mbete vendi në vakum, në këtë vakum pa institucione. Ne që tre muaj pothuajse jemi pa institucione e kjo nuk është në rregull se ne më së pakti Kosovës i konvenon dhe e dyta nuk po i shoh partitë tjera përpos presidentit tonë, nuk po shoh burrështetas i cili mendon për shtetin e jo për partinë e vetë se interesi i atdheut është mbi të gjitha. Këtë fatkeqësisht partitë tona nuk e kanë dhe për këtë arsye jemi këtu ku jemi”, tha ai.

Makolli, përjashton çdo mundësi bashkëpunimi me koalicionin PAN. Ai tha se do ti rrinë besnik koalicionit me LDK-në.

Makolli: Ne jemi në koalicion me LDK-në dhe i rrimë besnik këtij koalicioni

“Po ne jemi në koalicion me LDK-në dhe i rrimë besnik këtij koalicioni, unë thash interesat e atdheut janë mbi të gjitha, por momentalisht ne jemi në këtë koalicion dhe i rrimë besnik dhe jemi për atë që ne të jemi unik dhe ne të jemi ai promotori që ti shtyjmë gjërat përpara”, tha Makolli.

Gjithashtu, ai përjashton mundësinë që ndonjë deputet i AKR-së të votojë qoftë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit apo Ramush Haradinaj për kryeministër.

Makolli: Jemi shumë unik, grupi jonë është shumë unik

“Nuk e besoj, deri më tash jemi unik, me të vërtetë jemi parti demokratike liberale por më të vërtetë qëndrimet i kemi unike, jo që ne bëjmë ndonjë presion brenda partiak, por ne jemi shumë unik, grupi jonë është shumë unik, kryesia jonë e partisë është shumë unike, plus grupi jonë parlamentarë është shumë unik dhe deri më tash janë ato qëndrime që i ka thënë presidenti jonë.  Labinoti ka një respekt për luftëtarët, çka edhe ne e kemi të gjithë se ai që ka sakrifikuar gjakun, jetën për atdheun, familjen, normalisht që duhet respektuar. Labinoti e ka thënë atë në kontekstin që ka respekt për ta dhe në rrethana të tjera ai kishte për ta votuar, por në këto rrethana nuk, se deri tash janë mbajtur disa mbledhje dhe sikur të kishte votuar Labinoti atëherë ata po thonë që i kanë 60 e kishin zgjedhë kryetarin. Por, Labinoti nuk lëviz prej qëndrimit”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat