FSK-Garda Kombëtare e Ajovës do të avancojnë bashkëpunimin në të ardhmen

Aktuale

FSK-Garda Kombëtare e Ajovës do të avancojnë bashkëpunimin në të ardhmen

Më: 17 gusht 2017 Në ora: 14:24
Rrahman Rama, gjatë një vizite zyrtare në Gardën Kombëtare të Ajovës është takuar me komandantin e kësaj garde, gjeneralmajor Timothy Orr.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë një vizite zyrtare në Gardën Kombëtare të Ajovës është takuar me komandantin e kësaj garde, gjeneralmajor Timothy Orr me të cilin bisedoi për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në mes dy forcave, si dhe për avancimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Gjeneral Rama gjatë vizitës së tij po ashtu ka vizituar njësitë dhe Shtabin e Përbashkët të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Institutin Regjional të Trajnimit, Qendrën e Trajnimit për Mbështetje, si dhe Komandën e Gardës Kombëtare Ajrore të Ajovës. 

Gjatë takimeve që gjeneral Rama zhvilloi në këto qendra, ndër tjera, nga drejtuesit e tyre kërkoi mbështetjeje për pjesëtarët e FSK-së në fushën e mirëmbajtjes, mjekësisë ushtarake, mbrojtjes kibernetike si dhe në fushën e zhvillimit profesional të udhëheqjes. 

Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së i përbërë nga kolonel Ilir Qeriqi-atashe i FSK-së në SHBA, rreshter major Genc Metaj- rreshter major i Komandës së FSK-së dhe majori Berat Shala, asistent ushtarak i KOMFSK, është shoqëruar nga konsulli gjeneral i Kosovës në Ajova, Xhavit Gashi. 

Gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe rreshter majori Genc Metaj morën pjesë edhe në Paradën e Veteranëve, e cila organizohet me rastin e panairit të bujqësisë në Des Moines Iowa.

Komandanti i FSK-së vazhdon vizitën zyrtare në SHBA deri më 20 gusht, ku pritet të realizojë vizita dhe takime pune në Gardën Kombëtare të Ajovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat