Pacolli autorizohet që të gjejë zgjidhje edhe jashtë koalicionit LAA

Aktuale

Pacolli autorizohet që të gjejë zgjidhje edhe jashtë koalicionit LAA

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 17:19
Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së

Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së ka autorizuar kryetarin e këtij subjekti, Behxhet Pacolli që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë që për daljen e vendit nga kriza, të shoh mundësinë e gjetjes së një zgjidhje edhe jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativën.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit Zgjedhor në AKR, Fatmir Matoshi, pas përfundimit të kësaj mbledhje, i cili ka thënë se kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe deputetët e zgjedhur e kanë pëlqimin e Kuvendit që të shohin mundësinë e gjetjes së një zgjidhje edhe jashtë koalicionit me LDK-në.

Matoshi: Pacolli e ka pëlqimin e gjetjes së një zgjidhje edhe jashtë koalicionit me LAA-në

“Kuvendi i AKR-së sot autorizoj presidentin Pacolli që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë të shohë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza në të cilën është vendi jonë, të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativen. Gjithmonë duke e pasur parasysh interesin e vendit, interesin e Kosovës. Strukturat e AKR-së sot i kanë dhënë autorizimin presidentit Pacolli që bashkë me deputetët, ta lexoj që Kuvendi i AKR-së i jep pëlqim presidentit të AKR-së z.Behgjet Pacolli, deputetëve dhe kryesisë së ngushtë që të shohë mundësinë e gjetjes së një zgjidhje politike edhe jashtë koalicionit me LAA-në në mënyrë që AKR të jetë forcë politike që dëshmon që është e përgjegjshme para votuesve të saj dhe për shtetin e Kosovës”, tha ai.

Matoshi ka shtuar se ende nuk kanë ndonjë ofertë për koalicion, por thotë se kërkesë e saj ka qenë që shumica shqiptare të bëjë një qeverisje të përbashkët, në të cilën nuk do të diskutohej ‘hisja’ e AKR-së.

Matoshi: Kërkesa e AKR-së ka qenë që shumica shqiptare të bëhet bashkë

“Kërkesa e AKR-së ka qenë që shumica shqiptare të bëjë një marrëveshje të përbashkët. Pacolli ka dhënë edhe një afat prej dhjetë ditëve dhe kjo nuk ka ndodhur, ne do të gëzoheshim nëse kjo do të ndodhë sonte prapë“, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në këtë takim është diskutuar edhe për zgjedhjet lokale, ku janë disa komuna që do të garojnë më fuqishëm si subjekt politik.

Por burime të KosovaPress-it që kanë qenë brenda mbledhjes kanë bërë të ditur se para anëtarëve dhe delegatëve, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se tashmë janë bërë bashkë me koalicionin PAN për formim të institucioneve të Kosovës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat