Bajram Gecaj ka një kërkesë për Kadri Veselin

Aktuale

Bajram Gecaj ka një kërkesë për Kadri Veselin

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 11:40
Bajram Gecaj

Bajram Gecaj, këshilltari  i kryeministrit, Isa Mustafës ka thënë se do të ishte e udhës që Kadri Veseli të tërhiqet nga skena politike.

Përmes një statusi në Facebook, ai thotë se në të kundërtën do të ishte e logjikshme nga të tjerët, duke përfshirë këtu edhe bashkë-partiakët e tij të kërkojnë dorëheqjen e tij të parevokueshme.

Ja postimi i tij i plotë:

Është jashtëzakonisht intriguese dhe tej mase e palogjikshme se si pjesa dërmuese e mediave, analistëve, eksponentëve politik, e të tjerë, merren kryekëput me LDK-në, derisa anashkalojnë dhe margjinalzojnë tani për tani problemin kryesor në skenën tonë politike – “faktorin Kadri Veseli”.

Ishte kryekëput PDK dhe pangopësia politike e Kadri Veselit e cila e solli vendin në këto rrethana të pashteg e të pakrye. Përpos vendit, Kadri Veseli “mori në qafë” edhe partinë e tij, duke e zhytur atë në humbjen më të madhe që kjo parti kishte pësuar ndonjëherë.

Mu për këtë, është e udhës që Kadri Veseli tani të bëj një gjest burrëror dhe të tërhiqet me dinjitet një herë e përgjithmonë nga skena politike kosovare.

Përndryshe, do të ishte gjithashtu shumë e logjikshme nga të tjerët, duke përfshirë këtu edhe bashkë-partiakët e tij, të kërkojnë dorëheqjen e tij të parevokueshme për dëmet që i shkaktoi grykësia e tij vendit dhe vetë PDK-së. Apo ndoshta autoritarizmi i tij brendapërbrenda partisë e pamundëson një thirrje të tillë, ndërsa këta të tjerët ose ja kanë frikën ose shumë nga ta edhe janë në të vërtetë sejmenë të vetë Kadri Veselit.

Është vërtetë koha e fundit që të largohet ky presion i paparë ndonjëherë, i palogjikshëm dhe me elemente kriminale ndaj partisë (LDK) e cila, duke analizuar mirë rrethanat politike në vend, ishte e vetme kundër këtyre zgjedhjeve që në fakt nuk sollën zgjidhje. Presioni përfundimisht duhet orientuar kah shkaktari i kësaj krize, fajtori kryesor i cili na solli në këtë “derexhe”, dhe i cili vazhdon me të njëjtën kokëfortësi dhe puro për interesin personal ta bllokojë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës – “faktori Kadri Veseli”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat