Edhe një ditë afat, PDK ka zyrtarizuar vetëm një kandidat për zgjedhjet lokale

Aktuale

Edhe një ditë afat, PDK ka zyrtarizuar vetëm një kandidat për zgjedhjet lokale

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 12:39
KQZ

Në garën për kryetar të komunave, partitë politike ende nuk i kanë propozuar të gjithë kandidatët për të gjitha komunat të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit.

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka bërë zyrtare asnjë kandidat për kryetar të komunave, përveç Zenun Pajazitit, i cili vet ka bërë të ditur se do të jetë kandidat për kryetar të Gjilanit.

LDK-ja tashmë ka emëruar kandidatët për pesë komuna, Istogun, Gjilanin, Podujevën, Fushë Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka zyrtarizuar me së shumti kandidat për kryetar të komunave, gjithsejtë ka emëruar kandidatët për 11 komuna, kryesisht ato të mëdha, Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Peja, Podujevë, Drenas, Theranda, Lipjan, Istog dhe Viti.  

Edhe AAK-ja, tashmë ka zyrtarizuar kandidatët për shumicën prej komunave. Ajo ka zyrtarizuar kandidatët për Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Deçan, Klinë, Junik, Podujevë, Rahovec, Therandë dhe Obiliq.

Gara me interesante pritet të ndodh ajo për të fituar në Prishtinë. Mirëpo, subjektet politike vazhdojnë të presin afatin e fundit për të propozuar kandidatin që do t’i hyjë garës për të parin e kryeqytetit.

Deri me tani është vetëm Partia e Vetëvendosjes ajo që e ka zyrtarizuar kandidatin, ku edhe për një mandat do të kërkoj votën  kryetari aktual Shpend Ahmeti. Ndërsa, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka zyrtarizuar tashmë kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës, që do të jetë Arbër Vllahiu.

Ditën e fundit vazhdojnë ta presin për të zyrtarizuar kandidatin që do ta sfidoj Ahmetin e Vllahiun, janë PDK-ja dhe LDK.

Subjektet politike, jo vetëm për kryeqytetin, por edhe për komunat tjera ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetar komunash.

Qytetarët e qytetit të dytë më të madh në vend, Prizrenit, ende nuk i kanë mësuar emrat e të gjitha kandidatëve të te gjitha subjekteve për kryetar komune. E vetmja që tashme ka zyrtarizuar emrin që do garoj për të parin e Prizrenit, është Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje.

Në Gjakovë, VV, AAK dhe Alternativa tashmë kanë nominuar kanidatët e tyre. Përballë për të parin e Gjakovës do të jenë, Ardian Gjini nga AAK-ja, Driton Çaushi nga Vetëvendosja dhe kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila e cila në zgjedhjet e kaluara fitoj në balotazh kundër Pal Lekajt të AAK-së.

Edhe në Gjilan tashmë partitë e mëdha kanë kandiduar emrat me të cilët do synojnë të udhëheqin me këtë komunë. Zenun Pajaziti do të kandidoj nga PDK-ja, derisa kundërkandidat do t’i ketë, kryetarin aktual Lutfi Haziri nga LDK-ja, Sami Kurteshin nga Vetëvendosja dhe Rexhep Kadriun nga AAK-ja.

Ndërsa në Pejë, është AAK-ja ajo që tashmë ka prezantuar kandidatin për kryetar, Fatmir Gashin dhe Vetëvendosja që ka zyrtarizuar Bashkim Nurbonjën si kandidat për kryetar të kësaj komune.

Për dy komunat e mëdha, Mitrovicën dhe Ferizajn, asnjë subjekt ende nuk ka zyrtarizuar kandidatin për kryetar të këtyre komunave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat