AKR ndahet në dysh, Korab Sejdiu e Albena Reshitaj kundër koalicionit me PAN, Agim Bahtiri e Labinot Tahiri pro PAN-it

Aktuale

AKR ndahet në dysh, Korab Sejdiu e Albena Reshitaj kundër koalicionit me PAN, Agim Bahtiri e Labinot Tahiri pro PAN-it

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 22 gusht 2017 Në ora: 09:21
Behgjet Pacolli, Labinot Tahiri, Vesel Makolli, Islam Pacolli, Agim Bahtiri, Korab Sejdiu

Aleanca Kosova e Re, gjatë ditës së diele ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm të saj për të diskutuar në lidhje me gjendjen e krijuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Pas përfundimit të mbledhjes së AKR-së, ky këshill ka autorizuar liderin e saj, Behgjet Pacollin të gjejë zgjidhje edhe jashtë koalicionit LAA, koalicion në të cilin përveç AKR-së, bëjnë pjesë edhe LDK dhe Alternativa.

“Kuvendi i AKR-së sot autorizoj presidentin Pacolli që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë të shohë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza në të cilën është vendi jonë, të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativen. Gjithmonë duke e pasur parasysh interesin e vendit, interesin e Kosovës. Strukturat e AKR-së sot i kanë dhënë autorizimin presidentit Pacolli që bashkë me deputetët, ta lexoj që Kuvendi i AKR-së i jep pëlqim presidentit të AKR-së z.Behgjet Pacolli, deputetëve dhe kryesisë së ngushtë që të shohë mundësinë e gjetjes së një zgjidhje politike edhe jashtë koalicionit me LAA-në në mënyrë që AKR të jetë forcë politike që dëshmon që është e përgjegjshme para votuesve të saj dhe për shtetin e Kosovës”, kishte deklaruar të dielën, Fatmir Matoshi, kryetari i Komisionit Zgjedhor në AKR.

Image
Fatmir Matoshi

Por, sipas burimeve të gazetës “Bota sot” brenda AKR-së, gjatë kësaj mbledhje kryesia e AKR-së është ndarë në dysh. Dy nënkryetarë kanë qene pro shkuarjes në koalicion me PAN-in, ndërsa dy të tjerë jo.

“Ne diskutimin për zhbllokimin e institucioneve, Labinot Tahiri ne fjalimin e tij përkrahu një koalicion të mundshëm me PAN-in, po ashtu edhe Agim Bahtiri. Shumica e kryesisë ishin qe AKR te largohet nga LAA dhe te bashkohet me PAN-in, përpos dy nënkryetarëve Korab Sejdiu dhe Albena Reshitaj që ne fjalimin e tyre ishin kundër një koalicioni të tillë”, ka thënë ky burim për gazetën “Bota sot”.

Gazeta “Bota sot”, ka provuar që të kontaktojë me nënkryetarin e AKR-së, Korab Sejidun, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ai menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AKR-së, kishte deklaruar se nuk do ta votojë në asnjë rrethanë koalicionin PAN, duke konfirmuar edhe ato që ka thënë gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e mbajtur.

Image
Korab Sejidu

“Në fjalimin tim para Kuvendit, e kam bërë më se të qartë, se një rrugëtim i AKR-së me një grupacion që përfaqëson pakicën e votueseve shqiptarë dhe që është peng i Listës Serbe (të dirigjuar nga Beogradi) nuk është as në të mirë të vendit, as në të mirë të qytetarëve, e definitivisht nuk është në të mirë të AKR-së. Unë siguroj të gjithë juve edhe një herë se NUK do të votoj Koalicionin PAN në strukturën aktuale në asnjë rrethanë, sepse nuk besoj që ky koalicion i bënë mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përgjegjësinë e deputetit e kam marrë me qëllim që çdo vendim ta marr duke pasur si pikënisje interesin më të mirë të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. Vota për Koalicionin PAN nuk është në të mirë të qytetarëve dhe Kosovës, dhe rrjedhimisht, nuk e bëj kurrë”, kishte deklaruar, nënkryetari i AKR-së, Korab Sejidu.

Ndërsa, sipas burimeve të Gazetës “Bota sot”, kreu i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, ka pasur një takim gjatë ditës së djeshme me nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Halitin. Siç bëjnë të ditur burimet, Pacolli, ka pasur një takim të shkurtër me Halitin në terrasën e hotelin të tij “Swiss Diamond” në Prishtinë.

Ndërkohe, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë që AKR nuk mund t’i  detyrojë që të bisedojnë me subjektet politike.

Image
Agim Veliu

“AKR-ja nuk mund të na detyroj që të hyjmë në biseda me asnjë subjekt tjetër politik..... LDK nuk ka çka të diskutojnë vendimet e një subjekti tjetër politikë, ne dëshirojmë që koalicioni jonë të vazhdojë pasi nëse në këtë mënyrë krijohen dhe prishën koalicionet, nuk e di se çfarë stabiliteti do të ketë Kosova apo me çfarë stabiliteti do të krijohen institucionet e Kosovës“, ka deklaruar Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Agim Veliu.

Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më datën 24 gusht, pas dështimit të tri seancave të mëhershme, ku koalicioni PAN ka bojkotuar seancat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat