Me nderime të larta iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit Rexhepi

Aktuale

Me nderime të larta iu dha lamtumira e fundit ish-kryeministrit Rexhepi

Më: 22 gusht 2017 Në ora: 10:20
Ceremonia e varrimit të kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi

(E plotësuar) - Me nderime të larta shtetërore, qytetarë të shumtë nga Mitrovica, Kosova dhe rajoni, sot pasdite i dhanë lamtumirën e fundit kryeministrit të parë të Kosovës, Bajram Rexhepi në varrezat e fshatit Shipol.

Drejtues të institucioneve të Kosovës zgjodhën fjalët më të mira për doktor Bajram Rexhepin, duke vlerësuar si një njeri që dha shumë për Kosovën, si gjatë luftës ashtu edhe pas si ish-kryeministër, ish-deputet, ish-kryetar komune dhe ish- ministër.

Kryetari i PDK-së  Kadri Vesli me këtë rast tha se sot janë këtu për t’u ndarë nga një njeri i me atribute të mëdha. Ai tha se nga sot humbëm njeriun, i cili veshi uniformën e UÇK-së për shërimin e ushtarëve si kirurg. Veseli porositi se duhet të ndiqet ky shembull i Rexhepit për të çuar vendin përpara.

Sipas tij, sa herë të flitet për doktor Rexhepin, do të flitet edhe për Mitrovicën.

Veseli: Nga sot Rexhepi është monument në memorien e  shtetit të Kosovës

“Sa herë që flitet për Mitrovicën tonë domosdo do të përmendet edhe emri i Bajram Rexhepit, një nder i madh për ne dhe bashkëqytetaret e tij. Një referencë e pa shmangshme për gjeneratat e reja, mjekëve dhe politikanëve. E nderuara familja Rexhepi, bëhuni të fortë, dhembjen e keni të madhe, por ndihuni krenar për trashëgiminë që ju la doktor Bajrami juve dhe gjithë Kosovës sonë. Andaj, nga sot ai është monument në memorien e shtetit të Kosovës, një nga monumentet që na tregon se si fitohet, se si ndërtohet dhe si ruhet liria jonë. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe nderimi për doktor Bajram Rexhepin”, deklaroi Veseli.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se Bajram Rexhepin e ka njohur në kohërat më të vështira si mantel bardhë.  Ai shtoi se Rexhepi ishte një njeri që e ka dëshiruar lirinë dhe bashkimin e këtij vendi. Bahtiri ndër të tjera tha se ndër atributet e tij Rexhepi ishte edhe njeri i unitetit, i cili bëri shumë për vendin. 

Ai tha se Rexhepi e deshi Mitrovicën, i ndihmoi edhe mitrovicasit, po ashtu edhe ushtarët e lirisë dhe qytetarët e saj.

Bahtiri: Rexhepi e deshi vendin dhe kontribuojë për të

“Pas marrjesh së pushkës të vëllezërve dhe motrave tona, isha jashtë vendit, dhe aty u tubofshim shumë për t’i ndihmuar luftës dhe dhimbja jonë ishte se a do të jetë ndonjë mjek që do t’i dalë zot dhe ndihmë luftëtarëve tanë, dhe dola para mikrofonit dhe ua thash këtë, duke njoftuar mirë këtë burrë: qoftë gjallë diku Bajram Rexhepi do të jetë afër tyre, sepse  njoh shumë mirë që e do këtë vend dhe e do lirinë e këtij vendi dhe do t’iu bashkohet UÇK-së dhe do të gjendet përballë çdo furtune, apo rreziku për t’i shpëtuar luftëtarët tanë, të cilët në atë kohë luftofshin”, theksoi Bahtiri.

I pari i Mitrovicës propozoi që rruga nga liqeni akumulues t’i vihet emri Bajram Rexhepi.

Në lamtumirën e fundit për ish-kryeministrin ishin të pranishëm edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, kryetarë komunash dhe përfaqësues nga Maqedonia dhe Shqipëria.

Rexhepi para disa muajsh kishte pësuar sulm në tru dhe pas një operacioni të rëndë në QKUK, për trajtim të mëtutjeshëm ishte dërguar në Turqi, ku për disa muaj qëndroi në komë. 

Image

Ish kryeministri, Bajram Rexhepi përcillet për në banesën e fundit

Në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës ka filluar ceremonia e varrimit të ish-kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi.

Në ceremoni po marrin pjesë qytetarë të shumtë nga të gjitha partitë politike.

Kryeministri Isa Mustafa nën patronatin e të cilit edhe u mbajt e gjithë ceremonia e varrimit dhe homazhet ka shkuar së bashku me të gjithë ministrat e tij.

Po ashtu në varrim po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti si dhe figura tjera të jetës politike dhe publike.

Bajram Rexhepi ka vdekur dje në një spital të Turqisë në moshën 63 vjeçare ndërsa presidenti Thaçi ditën e martë e ka shpallur ditë zie.

Ndryshe, Rexhepi ka ndërruar jetë në mëngjesin e ditës së djeshme, pasi njëka qëndruar në koma që nga muaji prill.

Image

Homazhe për ish-kryeministrin Bajram Rexhepi, politikan shtet-ndërtues dhe i moderuar

Të martën, në Prishtinë, është sjellë trupi i pajetë i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili është ndarë nga jeta ditën e hënë, në Turqi, ku po trajtohej nga goditja në tru.

Që nga ora 10, nën organizimin e Komisionit të veçantë shtetëror, në hollin e Kuvendit të Kosovës janë mbajtur homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi.

Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur mbledhje komemoracioni për ish-kryeministrin Rexhepi, në të cilën ishin të pranishëm drejtuesit e institucioneve të larta të shtetit, përfaqësues të partive politike dhe familjarët e ish-kryeministrit Rexhepi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar lartë figurën e ish-kryeministrit Rexhepi, duke cilësuar atë si një humanist, atdhetar dhe burrështetas të shquar të vendit.

“Bajram Rexhepi kishte profil të lartë të politikanit me mbështetje të gjerë qytetare dhe me besim nga bashkësia ndërkombëtare. Me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit burrështetasin e shquar. Ne, bashkëmendimtarët, kolegët dhe miqtë e tij, do ta ruajmë përjetë kujtimin për të. Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij, do të jenë udhërrëfyes në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë. Lavdi jetës, veprës dhe emrit të doktor Bajram Rexhepit”, tha presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar Bajram Rexhepin si një personalitet që ka dhënë kontribut shumëdimensional për vendin, jo vetëm për shkak të pozitave të larta shtetërore, por edhe për shkak të aktivitetit të tij në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, si dhe në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës.

“Ai do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministër i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë. Për ne që e njohëm dhe punuam me të, në kuadër të jetës institucionale dhe politike, Bajram Rexhepi do të mbetet në mend si një politikan që e mbante fjalën dhe të cilit mund t’i besohej. Njeri konstruktiv, i dijshëm, komunikues, bashkëpunues dhe korrekt. Bajrami la gjurmët e tij të pashlyeshme në institucionet më relevante të Kosovës, në kohë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme të shtet-ndërtimit tonë”, theksoi Mustafa.

Në emër të familjes, vajza e ish-kryeministrit Rexhepi, Vanesa Rexhepi, ka falënderuar institucionet e Kosovës, por edhe shtetin e Turqisë, për angazhimin e tyre për trajtimin e babait të saj gjatë kohës sa ishte i sëmurë.

“Në nderim të më të dashurit tim, babait tim, doktor Bajram Rexhepit, edhe pse e pikëlluar dhe e katandisur nga dhimbja për vdekjen e tij, do ta përballojmë pikëllimin me krenarinë që na e la në trashëgimi, me personalitetin e tij prej një punëtori, humanisti dhe trimi të madh. Virtytet e larta të babit tim, dashurinë, sinqeritetin, butësinë dhe këshillat e tij, do t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë me përkushtim për breznitë e reja”.

Homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi janë mbajtur edhe në qytetin e Mitrovicës, nën organizimin e Kuvendi Komunal të Mitrovicës së jugut.

Veseli bën homazhe për Rexhepin

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka bërë homazhe para trupit të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi si dhe ka ngushëlluar familjen Rexhepi.

Bashkë me Veselin homazhe kanë bërë edhe nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti, Memli Krasniqi si dhe anëtarë tjerë nga PDK-ja.

Image

Rexhepi nderohet nga ambasadori britanik

Ambasadori i Britanisë së Madhe për Kosovë, Ruari O’Conell ka bërë sot homazhe para trupit të pajetë të ish-kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi.

O’Conell me anë të një postimi në Facebook dje ka ngushëlluar familjen Rexhepi dhe qytetarët e Kosovës për vdekjen e ish-kryeministrit të parë të Kosovës.

Hoti me bashkëpartiakë bëjnë homazhe para arkivolit të Bajram Rexhepit

Avdullah Hoti  së bashku me deputetët Anton Quni dhe Naser Rugova kanë barë homazhe pra ë trupit te pajetë të ish kryeministrit Bajram Rexhepi.

Homazhet për të nderuar punën dhe veprën e të ndjerit Rexhepi  janë duke u zhvilluar në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Homazhet do të vazhdojnë deri në orën 12:00.

Ish-kryeministri Bajram Rexhepi po nderohet nga figura të larta shtetërore dhe nga jeta publike me rastin e vdekjes së tij.

Në hollin e Kuvendit aty ku edhe është vendosur arkivoli me trupin e pajetë të tij kanë bërë homazhe kryeministri Isa Mustafa, drejtori i Policisë Shpend Maxhuni, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, etj.

 Homazhe ka bërë edhe ish-presidenti i vendit Fatmir Sejdiu. Rexhepi do të varroset sot pasdite me ceremoni shtetërore në vendlindjen e tij në Mitrovicë.

Shpend Ahmeti bën homazhe para trupit të Rexhepit

Po vazhdojnë homazhet para arkivolit me trupin e pajetë të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Homazhe ka bërë kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti si dhe figura tjera politike.

Për ta nderuar ish-kryeministrin Rexhepi, homazhe ka bërë edhe drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni me bashkëpunëtorë.

Mustafa bën homazhe para arkivolit të Bajram Rexhepit

Kryeministri  Isa Mustafa, ka bërë homazhe para arkivolit të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Mustafa është nënshkruar në librin e ngushëllimeve.

Përveç Mustafës, homazhe kanë bërë edhe bashkëpunëtorët e partisë së Mustafës, LDK. 

Image

Arkivoli bashkë me trupin e pajetë të ish kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi tashmë ka arritur në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Këtu për dy orë do të bëhen homazhe në nderim të vdekjes së tij ndërsa më vonë në Teatrin Kombëtar do të mbahet një mbledhje komemorative.

Ish kryeministri Rexhepi do të varroset me ceremoni shtetërore në vendlindjen e tij në Mitrovicë.

Image

Homazhe për ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi (Drejtpërdrejt)

Në hollin e Kuvendit të Kosovës mbahen homazhe në  nderim të veprës së kryeministrit të parë të pasluftës në Kosovë, Bajram Rexhepi, i cili ndërroi jetë dje në spitalin e Stambollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat