SHBA: Holbrooke nuk i premtoi Serbisë mosnjohje të Kosovës

Aktuale

SHBA: Holbrooke nuk i premtoi Serbisë mosnjohje të Kosovës

Më: 22 gusht 2017 Në ora: 11:20
Richard Holbrooke dhe Bill Clinton

Departamenti Amerikan i Shtetit hodhi poshtë pretendimet serbe se diplomati amerikan Richard Holbrooke i shkroi Millosheviqit duke premtuar se Uashingtoni nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka mohuar pretendimet e Serbisë në lidhje me një letër të diplomatit Richard Holbrooke ku pretendohet se i shkruante ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviq në 1998/1999, duke u angazhuar se Shtetet e Bashkuara “nuk do ta njohin kurrë Kosovën”.

“Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Nuk ekziston një letër të tillë”, shkroi Departamenti Amerikan i Shtetit në një email për BIRN.

Ivica Daçiq, ministri i jashtëm serb, i tha gazetës serbe “Srpski Telegraf” më 15 gusht se ndërsa Holbrooke dërgoi një letër ku premtonte se Shtetet e Bashkuara ” nuk do ta njohin kurrë Kosovën”, letra më vonë u zhduk dhe u vodh.

Ai u citua të thoshte se sekretarja e Millosheviqit “betohet se ky e ka thirrur dhe i ka dhënë një letër që e kishte nënshkruar kryenegociatori i atëhershëm ndërmjet Perëndimit dhe Serbisë, Holbrooke, ku thoshte se Amerika nuk do ta njohë kurrë Kosovën”, tha Daçiq. Ai i akuzoi partitë opozitare në Serbi për vjedhjen e dokumentit.

Në përgjigjen e dhënë për BIRN, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se statusi i Kosovës si shtet i pavarur ishte i qartë në sytë e SHBA-së. “Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 100 vende të tjera e njohin Kosovën,” tha DASH.

“Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen te e ardhmja. Ato duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar nëpërmjet bisedimeve të dialogut të udhëhequr nga BE për normalizimin e marrëdhënieve, që do t’i sillte përfitim stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe do të ndihmonte në përparimin e pranimit të të dyja vendeve në BE”, shkruan Departamenti i Shtetit.

Daçiq gjithashtu shtoi se asnjë institucion shtetëror nuk është në zotërim të kopjes origjinale të Marrëveshjes së Dejtonit të 1995, që i dha fund luftës në Bosnje.

Departamenti i Shtetit e kundërshtoi edhe këtë, duke thënë se Marrëveshja e Dejtonit është publike.

Më 17 gusht, Srpski Telegraf njoftoi përmes një lajmi se policia serbe kishte nisur një hetim për dokumentet e zhdukura. Megjithatë, BIRN nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur këtë lajm.

Holbrooke vdiq në vitin 2010. Së bashku me Carl Bildt të Suedisë, ai ndërmjetësoi marrëveshjen që çoi në fundin e luftës 1992-5 në Bosnje-Hercegovinë. Pas përfundimit të luftës, presidenti Bill Klinton e emëroi atë si të dërguarin e tij të posaçëm në Ballkan, ku ai drejtoi bisedimet që synonin zgjidhjen e luftës në Kosovë. Në vitin 1999, ai udhëtoi në Beograd për t’i dorëzuar Millosheviçit ultimatumin përfundimtar të Perëndimit përpara fillimit të sulmit të NATO-s, i cili i dha fund sundimit serb në Kosovë./BIRN

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat