Analistët: Vetëvendosje dhe LDK e kanë një mision të përbashkët

Aktuale

Analistët: Vetëvendosje dhe LDK e kanë një mision të përbashkët

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 gusht 2017 Në ora: 13:39
LDK - VV

Menjëherë pas zgjedhjeve të 11 qershorit u përfol shumë një koalicion i mundshëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA. Por, ditëve të fundit kjo çështje duket të ketë mbetur në harresë. Vetëvendosje, lidhur me këtë fajëson LDK-në ndërsa kjo e fundit heshtë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa, për shkak të procesit të zgjedhjeve lokale, kanë lënë anash takimet për një koalicion të përbashkët në nivelin qendror. Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Bota sot”, Shqipe Pantina, Deputete nga radhët e kësaj partie. Ajo ka theksuar se LDK nuk ka shprehur interesim për takime të reja.

“Ne aktualisht jemi të angazhuar me zgjedhjet lokale ku besojmë se do të dalim të suksesshëm. LDK-ja nuk ka shpreh interesim për takime tjera për të lidhë koalicion. Dhe tani mbetet të shihet çfarë do ndodhë pas seancës së 24 gushtit”, është shprehur deputetja Pantina.

Refuzimi i PAN-it

Ndërkaq, zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me koalicionin.

Analisti politik Skender Zogaj ka pohuar se LDK-ja dhe Vetëvendosja janë dy parti diametralisht të kundërta, me koncepte dhe programe krejtësisht të papajtueshme ideologjike dhe strategjike.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, LDK-në dhe Vetëvendosjen i lidh vetëm refuzimi me çdo kusht i PAN-it, që, këto dy parti i kanë shprehur dhe po këmbëngulin se nuk do ta lejojnë që ta merr qeverisjen e vendit.

“Kjo është e përbashkëta ndërmjet LDK-s dhe Vetëvendosjes, që po i mbanë peng të dy partitë, sepse, e dinë saktë se, nëse ndonjëra ndryshon qëndrimin, atëherë PAN-i e merr pushtetin. Koha po kalon dhe, Koalicioni LAA edhe pse është shprehur këmbëngulës, përbrenda ka pasur lëvizje të disa deputetëve që janë kundër bllokadës dhe nuk e shohin të arsyeshëm "pengimin e krijimit të institucioneve"! Labinot Tahiri dhe Teuta Rugova me gjasë kanë "hëngër hudhra", por i shqetësuar po tregohet edhe Behgjet Pacolli, që gjithashtu është vet autorizuar për të qenë i rëndësishëm në procesin e mëtutjeshëm të seancës konstituive të Kuvendit dhe më tutje”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, janë apo nuk janë definitive këto përcaktime të këtyre deputetëve mbetet të shihet, por nëse janë, atëherë, gjithçka është e përfunduar, PAN-in nuk mund ta ndalojnë LDK-ja me Vetëvendosjen.

“Në këtë situatë, LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk kanë as pse afrohen, as pse largohen nga njëra-tjetra, sepse, raporti ndërmjet tyre është i pandryshueshëm për shkak të dallueshmërisë së madhe që kanë dhe që, ua vështirëson mundësinë e takimeve për ndonjë marrëveshje eventuale! Mbetet të pritet seanca e 24 gushtit që të hapet "Kutia e Pandorës", ka thënë Zogaj.

Inatet e së kaluarës

Lirim Zorra, profesor, duke folur rreth koalicionit LDK dhe VV, dhe se a po afrohen këto dy parti ndërmjet vete, apo janë duke i ftohur marrëdhëniet  ka vlerësuar se raportet midis VV dhe LDK-së janë mes dëshirës për lidhje dhe inateve të së kaluarës.

Image
Lirim Zorra

Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak pozicioneve të kundërta në të kaluarën për çështje të ndryshme, si dhe për inatet e LDK-së për humbjen e Prishtinës akuzat në drejtim të Isa Mustafës dhe aprovimi i mocionit ndaj qeverisë lidhja eventuale midis LDK-së dhe VV-së do të jenë sfiduese për disa çështje. 

“Pozita e kryeministrit është plan programi që dallon shumë dhe për LDK-në zgjidhja më e mirë është zgjedhje të reja ku pozita e saj mund të përmirësohej nga vendi i tretë ku LDK po synon një qeveri teknike për një kohë që pastaj të përmirësoje pozitën e vet dhe të rikthehet në vendin e parë ose të dytë. Gjasat janë vogla që të kemi një pajtim të LDK-së për Albin Kurtin kryeministër. Po ashtu me disa politika që i ofron VV. Pra LDK nuk është e interesuar aq shumë për një qeveri me VV. ”, ka thënë profesor Zorra.

Tentativa

Opinionisti Nexhat Haziri ka pohuar se këto dy subjekte politike, edhe pse kishin më parë takime të përbashkëta për të biseduar format apo modelin e një koalicioni qeverisës, në rast të dështimit të PAN-it, kanë mbetur vetëm si një tentative e pasuksesshme e këtyre subjekteve politike.

Image
Nexhat Haziri

Ai ka vlerësuar se mos suksesi i VV dhe LAA-së, për ti përafruar qëndrimet e tyre sa i përket koalicionit qeverisës, sikur e ka trimëruar paksa PAN-in, dhe në këtë drejtim duhet lexuar edhe lëvizjet e AKR-së, e cila kjo e fundit duke e parë një mungesë dakordance në mes LV dhe LDK-së, edhe pse si e përgjumur, po shfaq ambiciet e saja për të kaluar në krahun e PAN-it.

“Mos prodhimi i asnjë rezultati, apo marrëveshje nga takimet e mëparshme, është arsyeje që LV dhe LDK-ja, ti shmangun edhe takimet gjatë kësaj kohe të fundit. Siç duket se liderët e të dyja subjekteve politike nuk e kanë aq të lehtë për ta vënë prapa shpine marrëdhëniet e tensionuar që i kanë karakterizuar këto dy subjekte politike në mes veti në të kaluarën. Po ashtu konceptet e ndryshme politike dhe ideologjike, si dhe zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në vjeshtën e sivjetme, janë faktor që po ashtu kanë ndikuar që LV dhe LDK-ja, të mos kenë marrëveshje për një koalicion të mundshëm qeverisës. Dhe natyrisht kjo do të shkoj në interes ë PAN-it.”, ka thënë opinionisti Haziri.

Lëvijzet e AKR-së

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se kjo çështje e kryer duke pas parasysh se AKR ka vendos ndryshe të përkrah PAN, LDK ka gabuar me AKR që iu ka mundësuar me një koalicion të hyj ne Kuvend.

“AKR vet nuk ka pas asnjë gjasë të kaloje pragun, po me një listë të përbashkët mi ka mundësuar që tash të shkojë me PAN, realisht thënë LDK dhe VV me një koalicion interes i tyre do të niste me dërguar shtetin në zgjedhje për të bërë një koalicion zgjedhor të përbashkët, mirëpo tash është çështje e kryer”, ka thënë Burjani.

Image
Blerim Burjani

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se VV dhe LDK e kanë parë se nuk do të kenë shanse të qeverisin , pas fitores se PAN, prandaj edhe çdo diskutim mes tyre për të qeverisur bashkërisht do të ishte krejt i kotë.

Sipas tij, VV dhe LDK duhet ti harmonizojnë qëndrimet për të qenë një opozitë e bashkuar kundër qeverisjes Haradinaj, dhe në këtë sens besoj se ka shumë mundësi veprimi se bashku.

Image
Faton Mehmeti

“Do të ishte po ashtu krejt humbje kohe nëse këto dy parti negociojnë për ndonjë bashkëqeverisje , pasi PAN ose e formon qeverinë vet ose shkohet në zgjedhje. Do të ishte krejt normale dhe e domosdoshme që këto parti të bënin koalicion parazgjedhor, dhe me siguri do të fitonin, pasi tani është shumë vonë. Prandaj besoj se këto parti e kanë kuptuar këtë gjë dhe nuk humbasin kohën kot me negociata. Duhet të bashkohen në një front opozitar, të fuqishëm edhe argumentues për  t’ia bërë sa më të shkurtër jetën qeveris së ardhshme të PAN. Pra ky duhet të jetë misioni i VV-së dhe LDK-së”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat