Lirohen aktivistët e VV-së nga arresti shtëpiak

Aktuale

Lirohen aktivistët e VV-së nga arresti shtëpiak

Më: 22 gusht 2017 Në ora: 15:22
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje

(E plotësuar) - Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës janë liruar nga masa e arrestit shtëpiak, respektivisht paraburgimit. Atyre u është zëvendësuar kjo masë me paraqitje në polici një herë në javë.

Këtë vendim trupi gjykues e ka marrë në përfundim të seancës së sotme në të cilën aktivistët pasi dëgjuan leximin e aktakuzës u deklaruan të pafajshëm. Në këtë seancë sipas avokatit të Frashër Krasniqit, Tomë Gashi kanë dëshmuar dy dëshmitarë.

Gashi: Që të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë liruar nga kjo masë

“Faktikisht sot kemi pasur seancën e parë kryesore në rastin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë dëshmuar dy dëshmitarë deri më tani. Lajmi më i mirë që është pas një viti qëndrimi nën masën e paraburgimit, respektivisht arrestit shtëpiak, që të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë liruar nga kjo masë, nga ana e trupit gjykues, ndërsa shqyrtimi i ardhshëm gjyqësor do të jetë ditën e premte, do të thotë pas katër ditëve”, tha Gashi.

E dëshmitarët  kanë deklaruar më dyer të mbyllura, kjo pasi që kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra ka urdhëruar publikun dhe mediat të dalin jashtë gjatë dëgjimit të dëshmitarëve duke thënë se kjo bëhet me pajtim të palëve.

Avokati Gashi, ka thënë se dëshmitari i parë nuk i ka njohur në mënyrë të sigurt personat të cilëve u është shitur motori.

Gashi: Dëshmitari i parë nuk i ka njohur personat që ua ka shitur motorin

“Dëshmitarët, Trupi Gjykues ka konsideruar se është e nevojshme me kërkesë të tyre që të jenë seanca të mbyllura. Dëshmitari i parë ka thënë se nuk i ka njohur faktikisht në mënyrë të sigurt personat  të cilëve u është shitur motori kohë më parë, do të thotë vitin e kaluar kur prokuroria ka pretenduar se ai motor është përdorur nga disa prej të akuzuarve në gjuajtjen e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me granatahedhës. Ndërsa, dëshmitari tjetër ka deklaruar rreth identifikimit të shitjes së telefonit i cili thuhet nga prokurori se kinse është përdorur për dërgimin e një mesazhi përmes postës elektronike. Tani për tani ne kemi faktikisht mund të themi një fillim të mbarë të gjykimit meqenëse se të gjithë  pjesëtarët, të gjithë të akuzuarit në këtë çështje janë liruar nga masa shumë e vështirë që kanë qenë për pothuajse një vit dhe tani kanë masën e lajmërim në stacionin policor një herë në javë”, tha ai.

E seanca e radhës ndaj katër të akuzuarve do të mbahet të premten me 25 gusht, me fillim nga ora 10.

Avokati i Frashër Krasniqit, Tomë Gashi, ka thënë se të gjitha shkresat që kanë marrë nga prokurori janë në favor të vërtetimit të pafajësisë së të gjithë të akuzuarve.

Gashi: Të gjitha shkresat janë në favor të vërtetimit të pafajësisë

“Seanca e radhës do të na pres me dëshmitarë të radhës, janë disa dhjetëra dëshmitarë dhe kemi edhe raporte të forenzikës, por deri më tani në aq sa kemi marrë shkresa nga ana e prokurorit besojmë që të gjitha ato janë në favor të vërtetimit të pafajësisë së të gjithë të akuzuarve aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë rast gjithçka mund të përmirësohet, mund të përmirësohen edhe gabimet në mbajtjen e tyre në një kohë të gjatë në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Mirëpo, ajo që është më e dhimbshmja nuk mund të rikthehet në jetë Astrit Dehari, i cili është vrarë në burgun e qendrës së paraburgimit në Prizren për shkak të këtij rasti”, tha ai.

Ndërkohë që të katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë refuzuar të ngriten në këmbë gjatë leximit të aktakuzës. Ndërsa, prokurori i rastit të sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, Abdurrahim Islami, ka pretenduar se disa fotografi të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmojnë se ky akt është kryer nga aktivistët e Vetëvendosjes.

Katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.

Përpos, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Seanca ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosje vazhdon më 25 gusht

Seanca për katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për terrorizëm do të vazhdojë më 25 gusht.

Seanca e sotme është mbajtur me dyer të mbyllura pas kërkesës së dëshmitarëve.

Adea Batusha, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Frashër Krasniqi, akuzohen se kanë sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në gushtin e vitit të kaluar.

Dëshmitarët dëshmojnë me dyer të mbyllura

Seanca për katër të akuzuarit për terrorizëm, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ka përfunduar dhe do të vazhdojë me 25 gusht.

Seanca është mbajtur me dyer të mbyllura pasi që kështu kanë kërkuar dëshmitarët ,të cilët po japin dëshmitë e tyre.

Sot ka dëshmuar shitësi i motoçikletës, i cili siç ka shkruar deputeti i VV-së Dardan Molliqaj,  nuk i kujtohen personat që e kanë blerë atë nga ai dhe nuk e identifikoi asnjërin nga aktivistët si blerës.

 “Kjo tregon se deklaratat e mëhershme ishin të montuara politikisht ashtu siç është i montuar komplet ky rast.

Mbajtja e mëtutjeshme në burgje dhe në arrest shtëpiak e Adeas, Egzonit, Frashërit dhe Atdheut përbën një prej shkeljeve më të rënda të drejtësisë në Kosovë”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

 Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi akuzohen se kanë sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, gushtin e vitit të kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat