Dështon seanca e Kuvendit, PAN pa numra, ‘shpërthejnë’ mes deputetëve

Aktuale

Dështon seanca e Kuvendit, PAN pa numra, ‘shpërthejnë’ mes deputetëve

Nga: Bota Sot Më: 24 gusht 2017 Në ora: 07:20
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Pas ndërprerjes së seancës së sotme konstitutive, kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka kërkuar edhe disa ditë kohë, ndërkohë që ka siguruar që së shpejti do të vijnë me rezultate për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Mirëpo, potencoi se përgatitjet për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë po hasin në vështirësi.

Haradinaj: Përgatitje për konstituimin e kuvendit dhe formimin e Qeverisë po shkojnë vështirë

“Edhe dje paralajmëruam që mund të mos jemi gati sot për seancë. Andaj, sot kemi kërkuar edhe për disa ditë kohë. E vërteta është se përgatitje për konstituimin e kuvendit edhe për formimin e Qeverisë po shkojnë vështirë, rezultati zgjedhor është ky, rregullativa ose procedurat që I ka paraparë Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës janë këto. Mirëpo, ju siguroj se së shpejti do të vijmë me rezultatet e pritura. E tha edhe Hoxhaj nuk bëhet fjalë për shumë kohë… Është i popullit posti i kryeministrit çdo herë”, theksoi Haradinaj.

Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, tha se kanë kërkuar edhe pak kohë për të bërë numrat. Sipas Hoxhajt numrat nuk janë vetëm për kryetarin e Kuvendit por edhe për formimin e Qeverisë.

Hoxhaj: PAN-i kërkon modele të reja dhe më shumë kohë

“Koalicioni ynë, PAN i ka 60 vota, për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit për ta konstituuar kuvendin, për ta formuar Qeverinë  duhen 61 e më shumë vota. Kjo është pikënisja reale dhe në raport me atë ne çka jemi në politikë ndonjë herë perceptojmë politikën si lojë. Andaj, qëndrimi im në emër të PAN-it ishte që ne të kërkojmë modele të reja, më shumë kohë se si ta tejkalojmë situatën me qëllim që PAN-i ta ushtronte të drejtën e tij për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit. Kjo është situatë e cila është në kuvend dhe neve na duhen edhe disa ditë kohë, mos më pyetni për orar të kohës për ditët, por jo në pafundësi. Rezultati zgjedhor është ky që është”, theksoi Hoxhaj.

Deputeti nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku,  tha se si Grup Parlamentar janë të indinjuar me vonesat e paarsyeshme që po i bënë PAN-i për herë të gjashtë në konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, i gjithë konstituimi i institucioneve të Kosovës është peng i tekeve të Kadri Veselit, i cili për pozitën e vet vazhdon të prodhojë situata si  kjo e sotmja. Abdixhiku në këtë rast, shprehu edhe pakënaqësitë e Grupit të tyre për goditjet e ulëta, siç tha ai, nga lideri i Vetëvendosjes që i bëri ndaj LDK-së.

Abdixhiku: Lideri i Vetëvendosjes  bëri goditje të ulëta ndaj LDK-së

“Në emër të Grupit tonë  shprehim pakënaqësitë mbi goditjet e ulëta që sot lideri i Vetëvendosjes i bëri ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ne kemi shpresuar sinqerisht që të mos biem në provokime të PAN për të hapur konflikte të brendshme. Të mos harrojmë Kosova ka një qeveri kujdestare e cila po përkujdeset për proceset politike dhe ekonomike në Kosovë dhe këtë punë po e bëjnë mirë deri më tani dhe shpresojmë që Lëvizja Vetëvendosje të shmanget nga goditjet e ulëta ndaj LDK-së dhe kryetarit të saj dhe të fokusohemi më shumë në themelimin e frontit anti PDK”, deklaroi deputeti Abdixhiku.

Ai shtoi se në situata të tilla kur dikush prodhon incidente me qëllim, atëherë bashkëpunimi zvogëlohet edhe më shumë.

Deputeti nga Nisma për Kosovën Bilall Sherifi,  ka deklaruar se është i gatshëm që ta japë votën e tij nëse Vetëvendosje dhe koalicioni LAA i kanë 60 vota të deputetëve shqiptarë.

Sherifi: Nëse LAA dhe Vetëvendosje arrijnë 60 vota shqiptare, jam i gatshëm t’i përkrah  

“Nëse atyre nesër  ata arrijnë 60 deputet shqiptarë, por ju duhet edhe një votë për ta bërë 61, unë publikisht ua premtoj votën pa kërkuar as ministri e as një favor personal, apo pa kërkuar që të hymë si Nismë në Qeveri. Pra, ky është premtim publik personal, por nëse ata janë se e duan vendin, janë në gjendje të krijojnë një shumicë për të qeverisur vendin”, theksoi Sherifi.

Deputeti i LAA, Ilir Deda, bëri thirrje që të zhbllokohet kriza institucionale, duke nisur fillimisht një seri e takimeve me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli dhe me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, që mos të mbeten peng. Sipas tij, asnjë koalicion nuk i ka votat e mjaftueshme për themelimin e institucioneve.

Deda: Nevojiten diskutime me parti politike, askush s’e ka shumicën

“Askush se ka shumicën në kuvend. Do të diskutojmë pikë së pari me Pacollin, pastaj me Mustafën që ta fillojmë një seri të takimeve politike për zhbllokimin e situatës në Kuvend. Ne nuk mundemi më të rrimë peng i qasje: “i kemi numrat e nuk i kanë”, as na as ata dhe duhet të jemi racional. Racionaliteti thotë se problemet politike nuk zgjidhen me mjete juridike”, theksoi Deda.

Ai ka shtuar se sipas ligjeve në fuqi, deputetët e Kuvendit nuk kanë të drejt që ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e problemeve politike. Ai ka ripërsëritur se ai dhe bashkëpartiakja e tij nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila në asnjë mënyrë nuk do të përkrahin koalicionin PAN.

Image

As sot nuk është arritur që të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive. Kjo pasi koalicioni PAN nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke kërkuar kohë, sepse nuk i kanë votat, as për kryetar Kuvendi dhe as për Qeveri. Megjithatë, ky vazhdim i seancës u shndërrua në arenë përplasje në mes Albin Kurtit dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Seanca fillojë me një minutë heshtje për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi. Kryesuesi i seancës kërkoi nga koalicioni PAN që të propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, por kur fjalën e mori përfaqësuesi i këtij koalicioni, Enver Hoxhaj, kërkoi kohë shtesë, sepse tha se nuk i kanë votat as për kryetar Kuvendi dhe as për Qeveri.

Ai kërkoi kohë jo më shumë se dy javë, por as më pak se dhjetë ditë.

Hoxhaj: Nuk e kemi shumicën mbi 61 deputet

“E drejta është në anën tonë që ta propozojmë kandidatin tonë për kryetar të Kuvendit dhe mes asaj që është e mundshme, dhe ajo çka është e mundur është që ne në këto javët e fundit por edhe sot nuk e kemi pasur shumicën mbi 61 deputet, që të propozojmë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ne kandidatin e kemi por nuk e kemi shumicën. Kur flas se çka është e drejt dhe e mundshme, e mundshmja po ashtu nuk është në anën e askujt, ne e kemi parë që në seancën e fundit prania e koalicionit tonë i kemi 60 deputet, por askush tjetër nuk i ka shumicën tjetër. Kështu që për atë ne mendojmë që na duhet më shumë kohë, që të mundshmën ta ofrojmë drejt asaj se çka është e drejt”, tha Hoxhaj.

Mos propozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit nga koalicioni PAN, u shndërrua në një përplasje mes kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe deputetit të VV-së, Albin Kurti.

Ish-lideri i Vetëvendosjes derisa akuzoi koalicionin PAN për bllokim të krijimit të institucioneve, i kërkoi Veselit që të dal dhe matet nëse i ka votat për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit.

Kurti: Matuni dhe ballafaqohuni me të vërtetën

“Më 11 qershor nuk keni dashur që të mateni si i nominuar për kryeministër i PDK-së, tash nuk po dëshironi të mateni si i nominuari i PAN-it për kryetar të Kuvendit, matuni dhe ballafaqohuni me të vërtetën. Kosova po humbet shumë prej vonesave që po ia shkakton udhëheqja e PDK-së, tashmë prej Kosovës po tërhiqet FMN-ja, po i ndal programet e ndihmave financiare për Kosovën shkaku i vonesave që i shkaktojnë bojktotuesit e Kuvendit. Gjendemi përballë krizës energjetike për shkak të menaxhimit të keq nga të dirigjuarit e PDK-së, jemi të izoluar nga vizat si pasoj e korrupsionit dhe mos luftimit të tij”, theksoi Kurti.

Kurti në fjalën e tij, akuza pati edhe ndaj koalicionit LAA, duke thënë se përfaqësuesi i koalicionit LAA për bisedime me ta për qeverinë e re, Isa Mustafa ndodhet në konflikt interesi, sepse ai është kryeministër në detyrë që duket se nuk ka interes për kryeministër të ri.

Sipas Kurtit, LDK e ka emëruar Mustafën si udhëheqës të bisedimeve, e jo udhëheqës për pamundësim të bisedimeve.

Por kjo e ka nervozuar kreun e PDK-së, Kadri Veseli, i cili mori fjalën duke thënë se Kurti abuzoi me foltoren duke mos menduar për asgjë, vetëm se si të vjen në pushtet. Veseli shkoi dhe më larg duke thënë se e kanë marrë në qaftë Astrin Deharin dhe sulmet ndaj kryeministrit në detyrë, derisa tani i kërkojnë bashkëpunim.

Ai madje kishte edhe një pseudonim për Kurtin.

Veseli: E keni marrë në qafë Astrit Deharin

“Albini e përmendi emrin tim pastaj unë si një lider që e konsideroj shumë revolucionar, shoku Mao e quaj nganjëherë, fjalim politik të përgatitur vetëm për fushatë elektorale. As nuk i intereson çka ndodh në këtë Kuvend aktualisht, ideja është me qit këta janë të zinjët, këta e mbajnë shtetin peng, mos me kanë në shtet kanë me ra në burg, kemi me i tërheq zvarrë përmes formave tjera për të fituar elektorat. Po çka fiton, e merr pushtetin e çka fiton, vjen puna ka mi shti n’burg 70 dosje pastaj shkon i lutet. Këtu shpirtin ka dashtë t’ia nxjerr, ia ka sulmuar familjen, e ka sulmuar në Therandë me akte terroriste, e kanë sulmuar këtë Kuvend, e keni marrë në qafë Astrit Deharin, derisa këtu i keni ata që e kanë ideuar dhe sulmuar. Ju mund të bëni shantazh ku të doni vetëm keni parasysh me neve nuk iu shitet, me mua veçanërisht”, tha Veseli.

Veseli ftoi publikisht të gjithë ata që i bëjnë 61 vota le ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe ai do ta mbështet. Kreu i PDK-së, foli edhe për betimin e deputetëve të VV-së me flamurin kombëtar përpara.

Veseli: Kush t’i bëjë 61 vota le ta zgjedh kryetarin

“Po e them edhe një herë publikisht le të jem shumë i hapur, nuk po flas për disa që janë këtu, po flas për qytetarët e Kosovës, ne sot kur jemi, Hoxhaj e tregoj, situata politike gjendja në këtë Kuvend është 60 vota, nuk është 61 dhe nuk ka të drejt askush t’i bllokoj, është e vërtetë, po flas publikisht, kryesues mbaje evidencë, ditën që t’i bëni 61, unë jam kryetar i PAN-it, kush t’i bëjë 61 le të krijon institucionin e Kuvendit, por mos manipuloni me qytetarët. Nuk ka pasur gjë me të rënd për mua se sasi deputet edhe unë një ditë kam luftuar me ardh puna disa, që unë kur jam rritur, kanë jetuar në edukatën që nuk e kanë njohur as se kanë dashur Republikën e Kosovës, kanë futur familjarë tonë në burg, e me ardh puna me ma qit flamurin prej xhepi, e unë çka jam tradhtar, ju çka jeni, tradhtar. Po sikur Lista Serbe ta nxjerr flamurin e Serbisë, çka është kjo nxitje për shkatërrimin e këtij shteti”, u shpreh ai.

Atij iu kundërpërgjigj përsëri Kurti, i cili tha se Veseli po e barazon flamurin kombëtar me atë të Serbisë.

Kurti: Veç një pyetje pata për Veselin

“Unë pata një pyetje shumë të thjeshtë për Veselin, pse s’po matësh, dil matu, shiko ai ke 61 deputetë. Gjykata Kushtetuese me vendimin e 36 gushtit të vitit 2014 ua ka dhënë të drejtën ekskluzive dil matu, pse s’po del të matësh. Nëse nuk donë të matësh, nëse frikësohesh të matësh, unë jam i bindur që në mesin e deputetëve të PAN-it ka deputet që i marrin 61 vota. Rrjedhimisht kjo nënkupton që ka deputetë në mesin e PAN-it që unë i votoj për kryetar Kuvendi....Ndërsa sa për pesë të arrestuarit e VV-së, ata u liruan dje, në mungesë të provave, u liruan dje, po ky nuk arriti ta bëjë punën e prokurorit dhe gjykatësit deri në fund, pra, ka dështuar në uzurpimin e sistemit të drejtësisë...Tjetra, Astrit Dehari është mbytur në burg është Qeveria e VV-s që do ta zbardh këtë rast, por njerëzit si Veseli nuk ke nevojë t’i pyesësh se këta flasin vet, ju e patë se si në Kuvendin e Kosovës e barazoi flamurin kombëtar me flamurin e Serbisë”, tha ai.

Por replika nuk u ndal me kaq. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, përsëri mori fjalën për t’iu kundërpërgjigjur Kurtit, duke thënë se VV dhe Kurti do të mbeten e zeza e Kosovës.

Veseli: E zeza e Kosovës do të mbeteni

“E thash edhe një herë shumë qartë, publikisht për çështjen politike që ka të bëjë me kryetarin e Kuvendit edhe tri ditë me fol për çështjen e kryetarit të Kuvendit dhe çështjen e kryeministrit nuk kemi çka me fol, thjesht vetëm mane për fjale dashtë zoti që ndonjëherë si këta dalin dhe e marrin pushtetin, e zezë ka me qenë për këtë Kosovë. Këta asnjë fjalë, asnjë premtim dhe kanë me harruar, do ta harrojnë edhe Astrit Deharin, mane në mend ditën si të futen në pushtet...Sido që të jetë, bëni çka të doni por e zeza e Kosovës do të mbeteni....Ja ku e keni, shiko mikja e Fisnikut i mat komandantët sa miliona i kanë, me na qitë krejt bashkë çka jemi ma shumë se Fisniku s’kemi, krejt bashkë me na bë nja 10 vetë më shumë se Fisniku milioner. Janë rrokur veç tek UCK-ja, lufta e lirisë ka qenë ajo që ka qenë, por është pjesa më e mirë e epokës sonë në këtë tokë që i ka ndodh, nuk është mirë me e fy askush, në të njëjtën kohë politikisht hajde luftojmë, politikisht në kuptimin njerëzor mos të çmendemi për karrige. Bëni 61, Albin ki me qenë kryetar edhe kravata ka me të ndejtë më mirë si kryeministër, sherrin ka me ta pa Kosova, ki me kthye Serbinë në Kosovë”, shtoi ai.

Akuza ndaj koalicionit PAN për bllokim të krijimit të institucioneve ka drejtuar edhe Avdullah Hoti nga koalicioni LAA, sipas të cilit, e gjithë kjo po bëhet për shkak të ambicieve për pushtet të dy njerëzve, duke iu referuar Kadri Veselit e Ramush Haradinaj.

Hoti: Krijim i institucioneve po bllokohet nga dy njerëz

“Kjo situatë është krijuar nga një grupim politik që thjeshtë ka monopolizuar të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit dhe për të quar përpara procesin e themelimit të institucioneve të vendit. Dua të them edhe një herë qartë se ky monopolizim po bëhet për shkak të insistimit të vetëm dy individëve për të ardhur në krye të dy institucioneve të vendit me çdo kusht, duke mos ndjekur asnjë rrugë për të realizuar qëllimin e tyre”, u shpreh Hoti.

Për mos propozim të kandidatit për kryetar të Kuvendit nga PAN-i, reagoi edhe kryesuesi i seancës Adem Mikullovci.

Mikullovci: Kush jeni ju që po e bllokoni Kuvendin

“Atë ditë në konsulta të partive thatë se kush jeni ju që po dyshoni që ne do të vijmë në Kuvend dhe do ta bimë emrin e kandidatit, atë ditë ju thash po ju them edhe sot ne jemi deputetët e Kuvendit të Kosovës, jemi kryesisht Vetëvendosja dhe koalicioni LAA, ne jemi ata që po kërkojmë ta bëjmë konstitumim e Kuvendit, ta formojmë qeverinë dhe të ecë Kosova përpara. Ju jeni ata që po e bllokoni dhe unë po ju pyes juve kush jeni ju, me çfarë të drejte”, tha ai.

Vazhdimi i seancës konstituive ende nuk dihet se kur do të mbahet meqë kryesuesi i seancës pas përfundimit të vazhdimi të seancës së sotme nuk tregoj se kur do ta ftoj vazhdimin tjetër.

***

Kuvendi i Kosovës ka proceduar me vazhdimin e seancës konstituive, të filluar që nga 3 gushti, por nuk ka arritur sërish të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

Në fillim të seancës, koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ka kërkuar edhe një afat tjetër kohor për të krijuar shumicën parlamentare në Kuvend.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën. Andaj, ai kërkoi edhe 10 apo më shumë ditë kohë për të proceduar me votimin.

“Në këto javët e fundit nuk e kemi pasur shumicën prej 61 votave për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Hoxhaj.

Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Koalicionit PAN do t’i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t’i sigurojë.

Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari për PAN-in, duke i kërkuar që ta ndërrojë kandidatin për kryetar dhe në vend të Kadri Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij do të mund të siguronte mbi 61 vota. Dhe, së dyti, ai tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se “e shtrinë dorën e bashkëpunimit me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativës”, për formimin e institucioneve.

Fjalimi i Kurtit, është përcjellë me reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se Vetëvendosje ka bllokuar në vazhdimësi shtetin e Kosovës dhe se të vetmin synim e ka pushtetin duke i kërcënuar me burgje e persekutim rivalët politik.

Ndaj Veselit reagoi sërish Albin Kurti, duke thënë se ai dhe PDK-ja e kanë kapur shtetin, drejtësinë dhe të gjitha organet, duke e lënë Kosovën në perspektivë të paqartë, të izoluar dhe me korrupsion e krim të organizuar.

Polemikat dhe akuzat ndërmjet Kurtit e Veselit u shtrinë edhe në çështje tjera, duke përfshi aty edhe rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharinë burg.

Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi i saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftojë me kohë deputetët për vazhdimin e saj.

***

Kryesuesi i Kuvendit Adem Mikullovci ka përmbyllur vazhdimin e gjashtë të seancës konstituive, pasi koalicioni PAN ka pranuar se nuk i ka votat e mjaftueshme për votim të kryeparlamentar.

***

Sërish ka marrë fjalën kryetari i PDK-së Kadri Veseli, i cilit tha se nëse Lëvizja Vetëvendosje vjen në pushtet, do të jetë ditë e zezë për Kosovën.

Veseli ka thënë se Vetëvendosje po manipulon me popullin e Kosovës, duke thënë se janë faktor destabizlimi në  vend. “ Nës këta marrin pushtetin do të jetë ditë e zezë për Kosovën”, tha Veseli.

Ai i është drejtuar kandidatit  të VV-së për kryeministër  Albin Kurti,  se nëse ai merr pozitën e kryeministrit ‘Kosova do t’ia sheh sherrin dhe do t’a kthejë Serbinë në Kosovë’.

Veseli shtoi se deputeti i VV-së Finsik Ismaili, është më i pasur se të gjithë komandantët e luftës së UÇK-së.

Kurti: Me Mustafën jemi takuar veç dy herë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, ka kritikuar përfaqësuesin e koalicionit LAA, Isa Mustafa, për mungesë interesimi për të gjetur zgjidhje për tejkalim të krizës politike.

Kurti ka thënë se Mustafa qysh pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është takuar vetëm njëherë me përfaqësuesit e Vetëvendosjes.

“Përfaqësuesi i koalicionit LAA për të biseduar me neve është në konflikt interesi. Ai është kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, i cili qysh pas zgjedhjeve vetëm njëherë është takuar me neve. Grupet tona punuese janë takuar vetëm dy herë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka hedhë dilema nëse Mustafa se cilën kauzë po e mbron Mustafa.

“Nëse ai (Mustafa) nuk është takuar me PAN-in, dhe është takuar vetëm njëherë me neve, atëherë kënd po e mbron ai”, ka shtuar më tej Kurti.

Ai po ashtu i ka kërkuar Kadri Veselit, si kandidat i koalicionit PAN për postin e kryetarit të Kuvendit, që ta masë vetëm me vota dhe t’i hapet rruga krijimit të institucioneve.

Kurti: E rëndë, Veseli e barazoi flamurin kombëtar me atë të Serbisë

Fjalës së Kadri Veselit iu ka kundërpërgjigjur lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti.

Kurti edhe njëherë i tha Veselit le të matet nëse i ka votat apo jo.

 Kurti tha se është i bindur se ka kandidat nga PAN-i që do të merrte vota të mjaftueshme për kryetar të Kuvendit.

 Duke iu përgjigjur Veselit i cili tha se VV e kanë marr në qafë Astrit Deharin duke thënë se Dehari është mbytur në burg dhe është Qeveria e Vetëvendosjes që do ta çlirojë sistemin e drejtësisë nga pushteti.

 Sipas Kurtit nuk ka çka të më thotë më shumë për Veselin sesa ajo që e barazoi flamurin kombëtar me atë të Serbisë.

Veseli: Kur t’i bëjë Kurti 61 vota le të bëhet kryetar i Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar se kur t’i bën Albin Kurti 61 vota do t’ia nënshkruaj për t’u bërë kryetar i Kuvendit, madje ka thënë se le të bëhet edhe kryeministër.

Ai i ka drejtuar Albin Kurtit që mos ta manipulojë me qytetarët, duke e përdorur foltoren e Kuvendit për fushatë elektroale, pasi janë vet ata që kanë

Veseli tha se lufta politike e ka deri diku një matje dhe logjikë, në të cilën luftohet për të votuar.

Sipas tij, nuk është mirë që të vazhdohet nga kjo foltore e kuvendit të keqpërdoret

Ai tha se po përdorë foltoren për fushatë dhe nuk iu intereson çka ndodhë në këtë Kuvend.

“Përmes formave fëmijërore për me fitu elektoral ka dergu 70 dosje e tash shkon i lutet, e ka sulmu në shtëpi, keni sulmu Kuvendin me akte terroriste e keni marrë në qafë Astrit Deharin, derisa këtu janë ata që e kanë sulmuar por me mua nuk iu shitet”, tha ai.

***

Hoti: Bllokada po bëhet nga dëshira e dy njerëzve për të ardhur në pushtet, s’do të rrimë duarkryq

Kandidati për kryeministër i koalicionit LAA dhe shefi i grupit parlamentar të LAA-së, Avdullah Hoti, në fjalën e tij në seancën, ka thënë se monopolizimi i shtetit po vjen vetëm nga dy njerëz nga dëshira për të ardhur në pushtet, duke iu referuar Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt.

Ai ka thënë se nga sot vendi po hyn në krizë të thellë.

Sipas tij, më nuk duhet të thirret seance e re, pa u gjetur një zgjidhje. Ai ka ftuar të gjitha partitë, përfshirë edhe PAN-in, të ulen në një tryezë të përbashkët për të qartësuar situatën. 

Hoti ka thënë se është fatkeqësi që koalicioni PAN ka varur shpresat në disa matrapazë që mundohen të shtyjnë dikë t’i votojnë ata.

“PAN i ka marrë krejt shpresat e formimit të institucioneve të vendit. Kjo është fatkeqësi dhe papërgjegjësi e këtij grupimi politik”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se LAA nuk do të rrijë duarkqyr pas kësaj seance, por do të kërkojë zgjidhje përmes Kushtetutës, përcjell Bota sot.

“LAA do të sillet në mënyrë kushtetuese, por duarkryq nuk mund të rrimë pas kësaj seance. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha opsionet kushtetuese”, ka thënë ai.

Image
Avdullah Hoti

Kurti-Veselit: Hajde matu në Kuvend nëse i ke votat

Pas fjalimit të Enver Hoxhajt i cili kërkoi kohë më shumë se 10 ditë pasi nuk i kanë numrat, fjalën në Kuvend e ka marrë përfaqësuesi i VV-së, Albin Kurti.

Kurti e quan kohë e hiporkizisë.

"Thonë që i kanë numrat por në fakt nuk i kanë, thonë që kanë kandidatin por nuk e paraqesin”, është shprehur Kurti para deputetëve, raporton Bota sot.

Kurti shprehet se ata kanë dëgjuar se kandidati i tyre është Kadri Veseli.

“Pasi jeni ju hajdeni matuni, matuni i keni deputetët këtu, matuni”, i është drejtuar Kurti Veselit.

Ai thotë se Kosova ka shumë vonesa që po ia shkakton PAN dhe e gjitha kjo e dëmton ekonominë e Kosovës

Kurti thotë nëse PAN nuk arrin ta propozojë kandidatin atëherë deputetët do ta propozojnë bashkë një kandidat.

Ai tregoi se ata kanë një kandidat të përbashkët. Kurti po ashtu u bëri thirrje koalicionit PAN që ta propozojnë një kandidat tjetër pasi nëse Kadri Veseli nuk i ka numrat. Sipas tij, ata janë të sigurt që brenda tyre ka kandidatë që kanë numrat.

Kurti vazhdoi duke thënë se nëse ata do të ishin në pushtet tashmë do të kishin qeveri, do t’i formonin komisionet për luftimin e korrupsionit dhe do të ndërtohej shteti

Për të gjitha këto, Kurti shprehet se edhe ndërkombëtarët e kanë kuptuar, prandaj PDK frikësohet

Kurti i drejtohet deputetëve të koalicionit LAA duke thënë se janë duke iu shtrirë dorën e bashkëpunimit.

Image
Albin Kurti

***

Ka filluar seanca në Kuvendin e Kosovës, por jo të gjithë deputetët janë në seancë.

Në këtë seancë mungon deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, raporton gazetarja e “Bota sot”.

Ndërsa, PAN kanë thënë se kërkojnë ende kohë pasi nuk i kanë numrat.

Mikullovci akuzon PAN-in për bllokim

Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci akuzoi PAN-in se po e bllokojnë konstituivin e Kuvendit ndërsa Vetëvendosje dhe koalicioni LAA po duan konstituimin e institucioneve.

Kjo deklaratë e Mikullovcit erdhi pas kërkesës së nënkryetarit Enver Hoxhaj për shtyrje të seancës konstituive.

Hoxhaj: I Kemi 60 jo 61 deputetë, por na duhet kohë më shumë se 10 ditë

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës dhe fjalën si përfaqësues i koalicionit PAN për të marrë fjalën e prezantimit të kandidatit të tyre për kryetar të kuvendit e ka marrë Enver Hoxhaj.

Ai ka treguar se siç kanë thënë në mbledhjen konsultative që do të jenë të pranishëm tanimë janë

Si koalicion i cili e ka të drejtën për ta propozuar kryetarin e kuvendit, për ta konstituar kryesinë dhe nënkryetarët, ata kanë kërkuar kohë dhe pasi gjërat shihen prej asaj që është e drejtë është ta propozojnë kandidatin

Hoxhaj pranoi që nuk e kanë shumicën për formimin e qeverisë, pra nuk i kanë 61 numrat

Ai tha se ata kanë kandidatin mirëpo jo numrat.

Hoxhaj shprehet se ata i kanë 60 deputetë por jo 61 ashtu siç nuk i kanë të tjerët

Prandaj kërkon kohë që të koordinohen.

Mesazhi i Hoxhajt për qytetarët është që i nevojitet koha në mënyrë që kur të konstituohet kuvendi të konstiuohet për lëvizje të re.

Kryesuesi Mikullovci e pyeti se sa kohë iu duhet, ndërsa Hoxhaj tha se kërkojnë më shumë se 10 ditë dhe më pak se 2 javë.

***

Kryesuesi Adem Mikullovci ka filluar seancën me një minutë heshtje për nder të ish kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi.

Mikullovci ka treguar pikat e vendit të ditës që do të fillojë, pra zgjedhja e Kuvendit dhe 5 kryetarëve pasi që pikat tjera të ditës janë kryer me 3 gusht, raporton "Bota sot".PA

Fjalën si përfaqësues i koalicionit PAN për të marrë fjalën e prezantimit të kandidatit të tyre për kryetar të Kuvendit ka marr Enver Hoxhaj.

Si koalicion i cili e ka të drejtën për ta propozuar kryetarin e kuvendit, për ta konstituar kryesinë dhe nënkryetarët, ata kanë kërkuar më shumë kohë për të siguruar numrat.

Hoxhaj pranoi që nuk e kanë shumicën për formimin e qeverisë, pra nuk i kanë 61 numrat.

Ai tha se ata kanë kandidatin, mirëpo jo numrat. Prandaj, ka kërkuar kohë që të koordinohen.

***

Në sallën ku pritet të nisë seanca konstituive, kanë mbërritur edhe deputetët e koalicionit LAA dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton "Bota sot".

***

Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, i ka bërë thirrje deputetëve të ulen nëpër ulëset në mënyrë që të vazhdojnë seancën konstituive. Siç raporton gazetarja e gazetës “Bota sot”, në Kuvend kanë mbërritur deputetët e PAN-it dhe ata të Listës serbe.

Image

Ramush Haradinaj flet me deputetët e LAA-së

 

Tashmë deputetët e Kuvendit kanë arritur në sallë dhe pritet fillimi I seancës.

Deputetë të PDK-së dhe AAK-së kanë biseduar me ata të LAA-së, e kështu ka vepruar edhe Ramush Haradinaj, përcjell Bota sot.

Ai me të arritur në sallë i ka përshëndetur deputetët e LAA-së, të cilëve u ka dhënë edhe dorën./BS/

Haradinaj në seancë

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj ka hyrë në sallë bashkë me deputetët nga AAK-ja.

Haradinaj  dje ka paralajmëruar se sot mund të mos ketë seancë fare.

Veseli arrinë në seancë

Disa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të prirë nga Kadri Veseli janë ulur në sallën e Kuvendit, por deri tani në sallë mungojnë deputetët e AAK-së dhe Nismës.

Në sallë po marrin pjesë edhe deputetët e subjekteve opozitare, derisa në vendin e tij shihet edhe kryesuesi Adem Mikullovci.

Në seancë mbërrin Labinot Tahiri

Deputeti i AKR-së, këngëtari Labinot Tahiri sapo ka arritur në Kuvendin e Kosovës.

Labi është përfolur si deputeti që mund ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn për kryeministër të Kosovës.

 Këngëtari Tahiri ka fituar votat e mjaftueshme për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Në çdo moment pritet që të fillojë vazhdimi i seancës konstituive me të vetmen pikë të rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Përveç deputetëve nga PAN-i, LAA dhe Vetëvendosje në seancë kanë ardhur edhe deputetët e Listës Serbe.

***

Deputetët e koalicionit PAN kanë filluar që të hyjnë në sallën ku pritet vazhdimi i seancës konstitutive.

Xhavit Haliti, Ganimete Musliu dhe Mërgim Lushtaku janë deputetët që kanë ardhur në sallë ndërsa edhe kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka ardhur në Kuvend dhe është nënshkruar.

Image

Për të pestën herë më radhë, Kuvendi i Kosovës është mbledhur për vazhdimin e seancës konstituive, e cila ka vetëm një pikë të rendit të ditës: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Kështu është bërë  ditur përmes një njoftimi zyrtar të Kuvendit të Kosovës dërguar mediave.

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar dje në një konferencë për media se ekziston mundësia për mosmbajtjen e seancës, meqë sipas tij po synohet formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

Image

Pjesëmarrjen e deputetëve të NISMA për Kosovën në seancën e sotme e ka konfirmuar vet kryetari i partisë, Fatmir Limaj.

“Ne do të jemi nesër kësmet në Parlamentin e Kosovës, besoj që mjaftueshëm është. Ne do të jemi në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj do të shihet. Nesër do të jemi në Kuvend, besoj që është lajm për juve. Vendi ka nevojë që shpejt t’i ndërtojë institucionet”, ka deklaruar Limaj, duke shpresuar për zhvillime pozitive sa i përket formimit të institucioneve.

Në anën tjetër, kreu i LDK-së Isa Mustafa, ka deklaruar se pas një takimi me kryetarin e AKR-së Behgjet Pacolli, është i bindur se koalicioni LAA është i fort, ashtu siç ishte në fillimet e tij.

***

Për të pestën herë më radhë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot për vazhdimin e seancës konstituive, e cila ka vetëm një pikë të rendit të ditës: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Seanca po mbahet me kërkesën e PAN-it, që doli në takimin e fundit konsultativ në mes shefave të grupeve parlamentare dhe kryesuesit të seancës, Adem Mikullovci.

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar dje në një konferencë për media se ekziston mundësia për mosmbajtjen e seancës, meqë sipas tij po synohet formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

Pjesëmarrjen e deputetëve të NISMA për Kosovën në seancën e sotme e ka konfirmuar vet kryetari i partisë, Fatmir Limaj.

“Ne do të jemi nesër kësmet në Parlamentin e Kosovës, besoj që mjaftueshëm është. Ne do të jemi në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj do të shihet. Nesër do të jemi në Kuvend, besoj që është lajm për juve. Vendi ka nevojë që shpejt t’i ndërtojë institucionet”, ka deklaruar Limaj, duke shpresuar për zhvillime pozitive sa i përket formimit të institucioneve.

Në anën tjetër, kreu i LDK-së Isa Mustafa, ka deklaruar se pas një takimi me kryetarin e AKR-së Behgjet Pacolli, është i bindur se koalicioni LAA është i fort, ashtu siç ishte në fillimet e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat