Mikullovci tregon kur do të thirret seanca e Kuvendit

Aktuale

Mikullovci tregon kur do të thirret seanca e Kuvendit

Më: 28 gusht 2017 Në ora: 10:57
Adem Mikullovci

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, ka thënë se nuk e di se kur të ketë seancë të re të Kuvendit, pas dështimit të gjashtë me radhë të koalicionit PAN që ta zgjedhë kryeparlamentarin.

Mikullovci ka thënë se seanca do të thirret në momentin kur atë e njofton sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.

“Nuk ka seancë deri sa të më thërret sekretariati i Kuvendit e të thotë caktoje seancën se PAN-i i ka bërë numrat ose ndonjë koalicion tjetër. Unë nuk jam i sigurt kur mundet me pas seancë”, ka thënë Mikullovci.

Ai ka theksuar se deri më tash të gjitha seancat që janë mbajtur, i ka thirr në koordinim me partinë e tij VV dhe koalicionin LAA.

“Asnjë seancë nuk e kam thirr në krye veti, gjithmonë duke u marrë vesh me zyrën e kuvendit me partinë time VV dhe koalicionin LAA, gjithmonë në koordinim me ta përpos mbledhjes së fundit që kam caktuar më 24 gusht e që këtë e kërkoi PAN-i”, tha Mikullovci.

Të enjten e kaluar nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën e Kuvendit ka pranuar se koalicioni PAN nuk i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe ka kërkuar afat shtesë, siç ka thënë ai, më shumë se dhjetë ditë dhe më pak se dy javë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat