Kriza politike, që po rrezikon Kosovën për integrimin në Bashkimin Evropian

Aktuale

Kriza politike, që po rrezikon Kosovën për integrimin në Bashkimin Evropian

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 gusht 2017 Në ora: 07:26
Ndertesa e qeverisë së Kosovës dhe zyra e BE-së në Kosovë

Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, që nga zgjedhjet e 11 qershorit. Tashmë që disa seanca ka dështuar të konstituohet Kuvendi dhe vendi është futur në një krizë të thellë politike.

E një krizë e tillë institucionale ndikon edhe në proceset anëtarësimit të  Kosovës në Bashkimin Evropian.

Së fundmi, eksperti austriak për Ballkanin Wolfgang Petritsch, tha se çështja e marrëdhënieve ndërmjet serbëve e shqiptarëve, e para së gjithash ato me Kosovën, janë vendimtare që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Madje, ai ka thënë se nëse në Kosovë nuk zgjidhen problemet politike, përkatësisht institucionet, ajo edhe 30 vjet nuk do të jetë e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Lidhur me gjithë këtë, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku ka thënë për gazetën “Bota sot” se bllokada politike ndikon negativisht në çështje të rëndësishme për vendin, përfshirë liberalizimin e vizave.

“Bllokada për zgjedhjen e kryesisë së kuvendit dhe qeverisë së Kosovës në kushte normale nuk do të duhej të pengonte agjendën evropiane të Kosovës. Kosova ka President, kryeministër dhe ministra që ushtrojnë detyrat nëpër digasteret qeveritare dhe shteti duhet të funksionojë normalisht edhe në këto kushte. Në anën tjetër kur marrim parasysh rrethanat në Kosovë, në një qeveri stabile nuk kemi pasur avancim të konsiderueshëm në rrugën evropiane të Kosovës, në këtë kohë padyshim bllokada politike paraqet hendikep të madh për zhvillimin progresiv të çështjeve në interes të vendit, siç aktualisht është liberalizimi i vizave”, është shprehur Daku.

Image
Selim Daku

Më tej, ai thotë se duhet të ofrohen zgjidhje për bllokadën në vend, pasi dëmi do t’iu faturohet në zgjedhjet e ardhshme.

“Liderët politik, duhet të tregojnë maturi, të paraqesin kulturë dhe të ofrojnë zgjidhje politike për tejkalimin e bllokadës. Veprimi pa inate, me përgjegjësi dhe respekt ndaj votës së qytetarit do t’i hapte...(rrugë)...zgjidhjes së bllokadës dhe zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Në të kundërtën, dëmi që po i shkaktojnë shtetit do të ju faturohet politikisht partive në zgjedhjet e ardhshme nga qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai më tutje.

Ndërsa, sa i përket pohimit të ekspertit austriak, se Kosovës do t’i duhen 30 vite për tu anëtarësuar në BE, nëse nuk i zgjidh problemet politike, Daku thotë se bllokada nuk është përcaktuese për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Fillimisht, bllokada aktuale mund të shtyjë apo vonojë disa procese, por nuk është përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Gjithçka varet nga puna që qeveritë e ardhshme bëjnë në plotësimin e kritereve që BE-ja ka përcaktuar për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, nga qeveria e ardhshme do të duhet intensifikim i bashkëpunimit dhe me objektiva të qarta shtetërore", ka deklaruar ai.

Daku thotë se Kosova ka respektuar marrëveshjet me Serbinë dhe se problemet politike në Kosovë nuk janë të pazgjidhshme.

"Së dyti, problemet politike në Kosovë nuk janë të pazgjidhshme, si të tilla jo për të gjitha problemet politike zgjidhje mund të ofrohet nga Prishtina zyrtare. Të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë kanë shprehur gatishmëri për të zhvilluar dialogun e brendshëm dhe për të dialoguar me Serbinë. Shteti i Kosovës me seriozitet të lartë ka respektuar marrëveshjet me Serbinë, sikundër që një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga Serbia. Prandaj, konsideroj që problemet që Kosova mund të ketë me Serbinë dhe anasjelltas, duhet të determinojnë anëtarësimin në BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare të të dy shteteve. Në këtë kontekst rol të rëndësishëm luan edhe Bashkimi Evropian (pjesë e të cilit është edhe Holanda) si sponzorizues i dialogut ndërmjet dy shteteve”, ka përfunduar drejtori i Qendër Kosovare për Diplomaci, Selim Daku për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat