LDK i reagon ashpër Thaçit: Nuk je i autorizuar për bisedime me Serbinë

Aktuale

LDK i reagon ashpër Thaçit: Nuk je i autorizuar për bisedime me Serbinë

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 18:52
Thaçi dhe Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës i reagon ashpër Presidentit Hashim Thaçi, për takimin e tij për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që u zhvillua sot në nivel Presidentësh në Bruksel.

LDK, përmes një deklarate për media, i kanë quajtur këto bisedime “të pa autorizuara me Serbinë”.

“…Kryetari i Kosovës, z. Hashim Thaçi pa lejen e organeve ligjvënëse dhe kokë në vete ka filluar bisedime të pa autorizuar me Serbinë”, shkruan në deklaratë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se “lojërave të tij u ka dalur ngjyra”, duke thënë se “Uniteti nuk ndërtohet duke zhvendosur fuqinë politike te institucionet pa tagër vendimarrës e ekzekutues”

Kjo është komunikata e plotë e Lidhjes Demokratike të Kosovës:

Deklaratë për Medie

Prishtinë, 31 gusht 2017

Lidhja Demokratike e Kosovës, reagon ndaj bisedimeve të pa autorizuara me Serbinë, të Kryetarit të Kosovës, z. Hashim Thaçi.

LDK-ja vlerëson se Kryetari i Kosovës, z. Hashim Thaçi, i gjendur në një pozicion periferik sa i përket fuqisë politike, institucionale dhe i pa mundur të vendosë në funksion të tij, institucionet vendimarrëse të vendit, Kryetari i Kosovës, z. Hashim Thaçi pa lejen e organeve ligjvënëse dhe kokë në vete ka filluar bisedime të pa autorizuar me Serbinë.

Në funksion të qëllimeve të tij meskine dhe për të kthyer reflektorët politikë kah vetja, në kohën kur partia e tij po vazhdon të mbajë peng formimin e institucioneve edhe pse është në kuotat më të ulëta historike të fuqisë së saj politike, z. Thaçi ka hedhur idenë e krijimit të një kinse “Grupi Uniteti” për bisedimet me Serbinë. Kjo jo për t`i funksionalizuar këto bisedime por për të vendosur vetën në qendër të tyre dhe për t`u prezantuar para miqve ndërkombëtarë si i vetmi faktor uniteti në vend.

Tashmë lojërave të tij u ka dalur ngjyra. Uniteti nuk ndërtohet duke zhvendosur fuqinë politike te institucionet pa tagër vendimarrës e ekzekutues.

Është Qeveria e Republikës së Kosovës, e mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ajo e cila ndërton platformën, udhëheqë bisedimet eventuale dhe implementon marrëveshjet.

Çdo gjë tjetër dhe nga çdo kush tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të dëmshme, jo legjitime dhe antikushtetuese.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që sa më parë, institucionet ekzekutive të vendit të themelohen dhe të marrin përgjegjësitë e veta karshi obligimeve të tyre të brendshme dhe ndërkombëtare.

Zyra për Informim – LDK

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat