Edita Tahiri sqaron rëndësinë e takimit Thaçi-Vuçiq

Aktuale

Edita Tahiri sqaron rëndësinë e takimit Thaçi-Vuçiq

Më: 31 gusht 2017 Në ora: 23:21
Edita Tahiri

Takimi i së enjtes në Bruksel në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherini, ka përfunduar me dakordim për zhbllokimin e Marrëveshjes për Drejtësi.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri ka sqaruar se kjo marrëveshje ishte arritur qysh në vitin 2013 por më pas ishte bllokuar nga Serbia. 

“Takimi i presidentëve të të dyja shteteve sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e zonjës Mogherini mendoj se ishte i rëndësishëm sepse ndër tjerash, për aq sa u kuptua nga komunikata e Bashkimit Evropian, po kuptohet se Serbia është e gatshme që të zhbllokojë marrëveshjen për drejtësi. Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2013 pastaj një marrëveshje shtesë është bërë në vitin 2015, dhe në nëntor të vitit 2016 kemi pasur marrëveshjen e fundit zbatuese. Prej atëherë Serbia e kishte bllokuar zbatimin duke mos ndërprerë kontratat e punës dhe pagat për këta gjyqtarë e prokurorë serbë që do të integrohen në institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës”, ka sqaruar ajo.

Tahiri ka bërë të ditur se zbatimi i Marrëveshjes për Drejtësi duhet të zbatohet deri më 17 tetor. Ndërsa, po në këtë ditë pritet që Presidenti i Republikës së Kosovës të bëjë dekretimin e gjyqtarëve dhe prokuorëve serbë.

“Sipas dakordimit në Bruksel, më 17 tetor duhet të përfundojë zbatimi që nënkupton se atë ditë presidenti i Republikës së Kosovës do të bëjë dekretimin e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që tashmë kanë kaluar procesin e intervistimit në Panelin Shtetëror të Kosovës. Ky lajm sot tregon se Serbia është e gatshme ndoshta që të zhbllokojë marrëveshjen dhe në ditët në vijim do të shohim proceset zbatuese ”, ka thënë per indeks ajo.

Takimi i fundit mes Thaçit e Vuçiqit ishte zhvilluar në korrik, ku të dy presidentët ishin pajtuar për një fazë të re të dialogut mes të dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat