Të pagjeturit nuk do të jenë pjesë e bisedimeve mes Thaçit e Vuçiqit

Aktuale

Të pagjeturit nuk do të jenë pjesë e bisedimeve mes Thaçit e Vuçiqit

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 12:49
Thaçi dhe Vuçiq

Raundi i ri i bisedimeve në nivel presidentësh që pritet të nisë në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do ta përfshijë temën e personave të pagjetur, apo të rrëmbyer gjatë kohës së luftës në Kosovë nga forcat serbe.

Megjithëse ishte përfolur se kjo temë do t’i shtrohet në tavolinë presidentit serb Aleksandër Vuçiq, një gjë të tillë e ka mohuar Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit Thaçi.

Ai ka thënë se temat kryesore që do të bisedohen në takimet e ardhshme në Bruksel kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe do të diskutohet për të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por që tema për të pagjeturit nuk do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve.

Arifaj ka treguar se Presidenti Thaçi nuk ka dashur që kjo temë të politizohet, duke shtuar se kjo është një çështje humanitare, që i takon shtetit serb të japë llogari.

“Presidenti gjithmonë ka kërkuar që tema e të pagjeturve të mos politizohet pasi kjo është një çështje krejtësisht humanitare edhe që të gjithë mekanizmat relevantë të angazhohen sa më parë që kjo çështje të mbyllet dhe çdo familje të mësojë për fatin e anëtarit të vet”, ka thënë ai për indeksonline.

Arifaj ka theksuar se presidenti Thaçi ka më shumë se një vit që kërkon që dialogu të marrë një frymë dinamike por edhe të bëhet më përmbajtjesor që do të çojë drejt një marrëveshjeje kornizë gjithëpërfshirëse, drejte marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore dhe njohjes së Kosovës si shtet dhe më pas pajtimit ndërmjet dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat