“Më shumë se 10 ditët” e kërkuara nga Hoxhaj kanë kaluar, por ende s’ka thirrje për vazhdim seance

Aktuale

“Më shumë se 10 ditët” e kërkuara nga Hoxhaj kanë kaluar, por ende s’ka thirrje për vazhdim seance

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 11:20
Adem Mikullovci

Kanë kaluar më shumë se 10 ditë, aq sa kishte kërkuar Enver Hoxhaj me 24 gusht, për një vazhdim të radhës të seancës, ku supozohet se do t’i kishte votat koalicioni PAN për votimin e kryeparlamentarit dhe më pas votimin e qeverisë së re të Kosovës.

Por, deri më tani ende askush nuk ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive.

Për shkak se – sipas rregullimit kushtetuese – nuk ka një afat të kufizuar për votimin e kryeparlamentarit, partitë politike mund të bëjnë kalkulime dhe zgjatje në pafundësi të procedurave.

Se kur do të ketë një seancë të radhës nuk e di askush, madje as kryesuesi i seancës konstituive, deputeti më i vjetër i parlamentit, Adem Mikullovci.

Mikullovci ka deklaruar se ai nuk ka kurrfarë njoftimi për vazhdimin e radhës, të gjashtin, të seancës konstituive.

“Ende nuk kam asnjë njoftim zyrtar. Partitë duhet të merren vesh mes vete, pastaj unë e caktoj seancën”, ka deklaruar Mikullovci.

Kur do të ketë seancë të radhës nuk e dinë as zyrtarët e Kuvendit.

Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, i kontaktuar përmes telefonit nga Klan Kosova, ka thënën shkurt se çdo njoftim për vazhdimin e seancës do të jepet në faqen zyrtare të Kuvendit, porse tek kjo faqe nuk ka asnjë njoftimi për këtë çështje.

Vazhdimi i seancës varet nga koalicioni PAN dhe Blerta Deliu – Kodra, deputete e këtij grupi parlamentar, i ka thënë Klanit se PDK-ja pritet të mbajë sot (e hënë) mbledhje dhe pastaj të dilet me hapat e mëtutjeshëm.

E pyetur nëse koalicioni ka arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë forcë politike tjetër që do ia siguronte deputetët e nevojshëm PAN-it, ajo ka pohuar se ende nuk ka asgjë konkrete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat