Arrestohet personi që dyshohet se kërcënoi Thaçin, Ahmetin e Tërnavën

Aktuale

Arrestohet personi që dyshohet se kërcënoi Thaçin, Ahmetin e Tërnavën

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 16:28
Grafitet kercenuese

Është arrestuar personi i dyshuar për kanosjen e kreut të shtetit, Hashim Thaçi, atij të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe atij të BIK-ut, Naim Tërnava.

Në fillim të gushtit përmes grafiteve në Fakultetin Filologjik dhe në gurëthemelin e Xhamisë Qendrore, të tre kërcënoheshin me jetë.

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar të dyshuarin XH. Hasani, 53 vjeç.

“Më datë 01.08.2017 policia ka marrë informatën se në muret e objektit të Fakultetit Filologjik në Prishtinë, nga persona të panjohur janë shkruar disa grafitë, të cilat konsistojnë në kanosjen e personave zyrtarë. Po ashtu edhe më datë 04.08.2017 ishte pranuar informata lidhur me shkrimin e grafiteve me përmbajtje kërcënuese ne gurë themelin e Xhamisë kryesore në qendër. Ndërlidhur me këtë rast me datë 16.08.2017 në Bashkësinë Islame të Kosovës janë bërë thirrje telefonike nga persona anonim me përmbajtje kërcënuese që ndërlidhen me ndërtimin e Xhamisë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Duke marrë me seriozitet rrethanat që kanë karakterizuar këto raste policia me përkushtim ka trajtuar çdo detaj që në një ose formë tjetër është ndërlidhur me rastin, si dhe ka çmuar çdo evidence e cila do të mund t’i kontribuonte ndriçimit të rrethanave të këtyre rasteve.

Ka qenë puna e shkëlqyer hetimore e hetuesve rajonal ajo qe ka rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar, për të vazhduar me pas edhe me operacionin e bastisjes të zhvilluar në fshatin Buzovik, Ferizaj me datë 07.09.2017.

Përgjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar ;

Një armë automatike AK 47

30 copë fishek dhe një karikator

Dy pistoleta

13 copë fishek dhe dy karikator

27 copë fishek të kalibrit 7.62 mm

18 copë fishek të kalibrit 7.65 mm

I dyshuari XH. Hasani 53 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës se Kosovës, pas arrestimit është dërguar në qendrën e mbajtjes për tu proceduar në fazat e mëtejme të procesit hetimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat