Thaçi: Demarkacioni dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen

Aktuale

Thaçi: Demarkacioni dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 18:21
Hashim Thaçi në tryezën “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi” të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI)

(E plotësuar) - Duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Respektivisht të themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas kushtetutës së Kosovës. Kështu tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në tryezën “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi” të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), ku të pranishëm pati edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Presidenti Thaçi tha se Kosova ka obligime mbi vete që duhet t’i plotësojë, siç është edhe tejkalimi i çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, që nënkupton liberalizimin e vizave për Kosovën dhe do të hapte një mundësi më të madhe për qytetarët e Kosovës, për edukim, për afarizëm, për sport dhe për kulturë. Ndërkohë, sipas tij, demarkimi do t’i bënte qytetarët e Kosovës evropian, sikur qytetarët e shteteve tjera evropiane.

Thaçi: Demarkacioni me Malin e Zi dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen

“Shteti i Kosovës ka marrë obligime mbi vete që duhet ti plotësoj, siç është mbyllja e procesit të demarkacionit me Malin e Zi, që mbeti kushti i vetëm që duhet plotësuar për liberalizimin e vizave. Pastaj duhet të zbatojmë marrëveshjet tjera të arritura në Bruksel, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Respektivisht të themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës së Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.  

Ai shtoi se kanë hyrë në këtë proces me bindjen e plotë se në fund do të shohin normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, njohjen reciproke dhe pajtimit. Përkundër sidave që ka pasur ky proces dhe sfidat  që do të paraqiten në të ardhmen, Thaçi beson se implementimi i marrëveshjeve të arritura deri këtu ka bërë që të ndryshohet gjendja në tërësi, e në veçanti në veri të Mitrovicës. Megjithatë, sipas tij, ka mbetur të behet edhe më shumë.

Thaçi: Duhet të përgatitemi bashkërisht

“Duhet të përgatitemi bashkërisht dhe të ndërtojmë një konsensus nacional dhe politik, që të përmbyllet me sukses faza përfundimtare e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet shtetërore duhet të intensifikojnë fushatën ndërgjegjësuese dhe të përfundojnë të gjitha përgatitjet për përfundimin e procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Dhe natyrisht Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës, duhet të mbetën të fokusuara në forcimin e rendit dhe ligjit, zhvillimit ekonomik, rritjen e mirëqenies e qytetarëve të vendit, rritjen e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve shëndetësore”, theksoi ai.

Thaçi tha se ka shumë prioritete dhe për këtë arsye kërkohet punë aktive, vullnet i të gjithëve dhe koordinim maksimal i spektrit politik dhe qytetarëve.

Thaçi vazhdon të besojë fuqishëm se tani duhet një kualitet tjetër i dialogut, që të punohet me të gjithë bashkërisht për të përmbyllur këtë proces, sepse është në interesat të Kosovës, rajonit dhe në interes të investimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Ai tha se ka bërë publike idenë për themelin e Ekipit të Unitetit, për të punuar bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi.

Thaçi: Grupi i Unitetit garantoi konsensusin politik në dialog

“Grupi i Unitetit do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, të Presidencës, të Qeverisë, të Kuvendit, ku janë përfaqësuara nga të gjitha subjektet politike parlamentare dhe shoqëria civile, e cila do të garantoi konsensusin politik në dialog. Që të arrihet ky sukses, sigurisht se është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimi Evropian, por edhe shtetet anëtare të BE-së veç e veç, të mbeten të përkushtuara ndaj procesit dhe të inkurajojnë palët që të implementojnë çdo marrëveshje që arrihet. Natyrisht në këtë proces të përfshihet edhe palët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidenti Thaçi.  

Thaçi po ashtu shtoi se transformimi i FSK-së në ushtri duhet të ndodhë brenda këtij viti, sepse sipas tij, Kosova është vonuar në këtë proces.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një bashkëbisedim me media dhe anëtarë të shoqërisë civile, ka treguar se nga kush do të përbëhet ekipi i unitetit të Kosovës që do të marrë pjesë në bisedimet me Serbinë.

“Grupi i unitetit do të përbëhet nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha partitë politike, por do të ketë përfaqësues edhe nga shoqëria civile, mediat, akademia dhe kushdo që të kontribuojë në këtë proces politikë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai shtoi se “institucionet e Kosovës do të jenë bartëse të dialogut”.

“Në fund të këtij procesi do të kemi një kualitet të ri të marrëdhënieve me Serinë”.

“Është e nevojshme që BE, por edhe shtetet anëtare të BE-së veç e veç të mbeten të përkushtuara ndaj procesit dhe të inkurajojnë palët”.

“Kam kërkuar që në këtë proces në fazën përfundimtare të përfshihen edhe Shtet e Bashkuara të Amerikës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat