Emëroi vetëm 2 gra në poste ministrore, por kryeministri vazhdon të premtojë barazi gjinore

Aktuale

Emëroi vetëm 2 gra në poste ministrore, por kryeministri vazhdon të premtojë barazi gjinore

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 21:36
Haradinaj në lansimin e Komentarit të Ligjit për Barazi Gjinore

Ramush Haradinaj erdhi në krye të Qeverisë së Kosovës duke premtuar bashkë me partnerin e tij Kadri Veseli se do të bëjnë çmos në krijimin e një sistemi të barabartë gjinor sidomos në institucionet publike, por kur u bë kryeministër, emëroi vetëm dy gra në poste ministrore, duke u bërë kështu Qeveria më e varfër në rajon, për nga numri i përfaqësimit në ekzekutiv.

Dhurata Hoxha dhe Albena Reshitaj janë dy ministret e emëruara në kabinetin.

Por tri ditë pas themelimit të Qeverisë së tij, kryeministri nuk ka ngurruar që të vazhdojë që të premtojë për barazi gjinore. Tashmë ai e ka ndërruar fjalën premtim duke e përdorur fjalën zotim.

Zotimin për më shumë barazi gjinore, kryeministri e bëri në lansimin e Komentarit të Ligjit për Barazi Gjinore. “Shpreh zotimin tim, por edhe të Qeverisë që e udhëheq, që do të jemi bashkë në avancimin e pozitës së femrës dhe të barazisë gjinore”, citohet të ketë thënë Haradinaj në këtë ngjarje, sipas komunikatës për media nga Zyra e Kryeministrit.

Ai më pas citohet të ketë shprehur keqardhje për numrin e vogël të grave të emëruara në poste ministrore.

“Kryeministri Haradinaj shprehu keqardhje për numrin jo të duhur dhe jo të drejtë të përfshirjes së gruas në kabinetin qeverisës, mirëpo kjo nuk duhet të jetë pengesë për të vazhduar trajtimin e temës me seriozitetin më të madh”, thuhet në komunikatë.

Haradinaj citohet të ketë thënë se ka disa “zhvillime inkurajuese” por pa i përmendur se cilat janë ato.

Njejtë ka bërë edhe kur i ka përmendur “ngecjet” duke mos i treguar se cilat janë arsyet.

“E dimë që ende ngecim si Kosovë dhe arsyet e ngecjes janë të shumta, por ato që janë në kapacitetin tonë, do t’i trajtojmë, në mënyrë që të mos ngecim”, ka thënë Haradinaj, raporton Insajderi. E tek në fund Zyra e Kryeministrit ka “shprehur gatishmërinë për të drejtën e femrës në të gjitha ato tema që janë me rëndësi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat