Zhvarrosen personat që vdiqën në QKUK

Aktuale

Zhvarrosen personat që vdiqën në QKUK

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 21:44
Zhvarrosen personat që vdiqën në QKUK

Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë zhvarrosur sot tre personat që vdiqën në QKUK në rrethana të dyshimta.

Procesin e zhvarrimit të të vdekurve në raste të dyshimta po e kritikon drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Ai tha se në raste të tilla, për të kuptuar shkaqet e vdekjes autopsia duhet të bëhet me kohë.

“Gjatë ditës së sotme është urdhëruar nga ana e prokurorit për t’u zhvarrosur tri rastet të cilat kanë qenë nëpër medie. Të njëjtat janë zhvarrosur dhe rasti i tretë sapo është duke u vendosur në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të njëjtave nesër në orën 9:00 do t’ ju bëhet autopsia”, tha Gërxhaliu për KALLXO.com.

Gërxhaliu kërkon që në rastet e dyshimta autopsia të bëhet  domosdo dhe që kjo çështje të rregullohet me ligj.

“Edhe kjo është njëri nga rastet të cilat edhe më herët kemi ngritur shqetësimin tonë që një gjë e tillë nuk po rregullohet me ligj që për çdo rast (të dyshimtë) të bëhet autopsia me kohë dhe ja se si për shembull krijohen shpenzime shtesë, të njëjtit janë varrosur nga ana e familjarëve kurse tash zhvarrimet e ngrehin me vete një sasi të mjeteve të cilat ne duhet ti shpenzojmë pa planifikim”, theksoi ai.

Zhvarrimet u bënë në regjionin e Prishtinës, një në Skenderaj dhe një në Viti.

Përveç shpenzimeve të cilat po i paguan Instituti i Mjekësisë Ligjore, zhvarrimi po i tronditë edhe familjarët, të cilët po hezitojnë që një proces i tillë të ndodhë.

Ndërsa prokurori Armend Hamiti, që po merret me rastet e dyshimta të vdekjeve në QKUK, bashkë me kryeprokurorin e Prishtinës, Imer Beka, thanë dje se Prokuroria Themelore në Prishtinë është në fazën e mbledhjes së informatave.

Hamiti e Beka më pas treguan se varësisht nga këto informata do të pasojnë edhe veprimet tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat