Kryqi i Kuq i Serbisë nën llupën e Policisë së Kosovës

Aktuale

Kryqi i Kuq i Serbisë nën llupën e Policisë së Kosovës

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 17:55
Policia e Kosovës

Veprimet e Kryqit të Kuq të Serbisë, në Kosovë, kinse për përditësimin e kartave sociale, ka nxituar reagime, veçanërisht të partive politike serbe.

Policia e Kosovës, të enjten, me autorizimin e prokurorisë ka bastisur hapësirat e Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë, si dhe të disa shtëpive private, të personave të punësuar në këtë organizatë.

Me këtë rast janë konfiskuar dokumente, për të cilat ekzistojnë dyshimet se individë të kësaj organizate i përdorin për regjistrimin e popullsisë. Policia e Kosovës vlerëson se ato dokumente janë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, marrë parasysh që regjistrimin e popullsisë në Kosovë mund ta bëjnë vetë institucionet ekzekutive të Kosovë.

Policia, gjatë bastisjes, gjithashtu i ka intervistuar disa individë, të cilët janë gjetur në hapësirat e Kryqit të Kuq, ku edhe është gjetur materiali për regjistrimin e popullsisë.

Siç, ka informuar Policia e Kosovës, gjatë aksionit policor në Mitrovicë të Veriut, janë lënduar disa zyrtarë policorë, pasi që janë sulmuar nga disa individë, ndaj të cilëve edhe është hapur procedura për sulm ndaj personave zyrtarë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, i ka thënë Radios Evropa e lirë se çdo akt i paligjshëm brenda territorit të vendit, nuk do të tolerohet.

“Aktivitetet e paligjshme brenda territorit të Kosovës, që nuk janë autorizuar nga autoritetet e vendit, pavarësisht nga natyra e punës së cilësdo organizatë, janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen. Mekanizmat e sigurisë të Kosovës janë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të vendit, pa dallim dhe ato do të jenë gjithnjë në shërbim të secilit qytetar. Veprimtaria humanitare brenda territorit të Kosovës është e rregulluar me ligj dhe ajo nuk mund të shpërdorohet”, tha Vllahiu.

Se për çfarë bëhet fjalë, lidhur me dyshimet që ndërlidhen me veprimet e Kryqit të Kuq të Serbisë, këtë e shpjegon një qytetar i Mitrovicës së Veriut, në derën e të cilit kishte trokitur Kryqi i kuq.

“Ka ardhur një vajzë që bën punë vullnetare në Kryqin e Kuq. Më kanë kërkuar emrin dhe mbiemrin. Më kanë pyetur se a jam në marrëdhënie pune, a kamë marrë ndonjëherë ndonjë ndihmë, numrin amzë të letërnjoftimit, a jambi punësuar, sa anëtarë të familjes i kam, a jemi të ndarë dhe kështu me radhë”, tha qytetari serb i Mitrovicës së veriut.

Nga Kryqi i Kuq i Serbisë thonë se nuk ekziston asnjë arsye që kjo organizatë të bëjë regjistrimin e qytetarëve në Kosovë.

Sekretarja e përgjithshme e Kryqit të Kuq të Serbisë, Vesna Milenoviq, ka thënë për mediet serbe se Kryqi i Kuq i Serbisë do t’iu drejtohet institucioneve ndërkombëtare, me qëllim të mbrojtjes së shërbyesve të saj, të cilët janë ndaluar në Kosovë.

“Ajo që ekziston, është obligimi i Kryqit të Kuq që ta bëj kartën sociale, sepse kjo edhe është përgjegjësi e Kryqit të Kuq, që në mënyrë reale dhe objektive të ndajë ndihmën humanitare“, tha Milenoviq.

Në anën tjetër, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka protestuar ashpër lidhur me ndalimin e anëtarëve të Kryqit të Kuq, si dhe hyrjes së policisë në hapësirat e tij, duke thënë se "keqpërdorimi i çështjeve humanitare për qëllime politike nuk mund t’i sjellë askujt diçka të mirë“.

Nga Lista Serbe kanë thënë se konfiskimi i materialit dhe vulave, si dhe siç është cilësuar “abuzimi me anëtarët e kësaj organizate humanitare, është ngjarje e pa precedent”.

Ata kanë shtuar se organeve të policisë në Kosovë, lidhur me procesin e evidencimit nga ana e Kryqit të Kuq, vëmendjen ua ka tërhequr lideri i Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia dhe drejtësia”, Oliver Ivanoviq, i cili është edhe rival politik i Listës Serbe.

Ivanoviq, kohë më parë, në një konferencë për medie pati theksuar se ajo çfarë po ndodhë është e çuditshme dhe brengosëse.

“Në banesa po na paraqiten njerëz, të cilët trokasin në dyer dhe po bëjnë një lloj regjistrimi. Ai regjistrim është krejtësisht jolegal dhe unë kam bazë të dyshoj se bëhet fjalë për ndonjë sekt ose për ndonjë organizatë qëllimkeqe. Në këtë rast, mendoj se duhet ta lajmëroni policinë për këtë. U bëj thirrje qytetarëve që të lajmërojnë për secilin që troket në derë dhe ua kërkon letërnjoftimin ose dokumentet personale, sepse për diçka të tillë ata nuk janë të autorizuar”, pati thënë Ivanoviq.

Edhe Partia e Serbëve të Kosovës, si opsion i tretë politik te serbët, në krye të së cilës është, Aleksandar Jabllanoviq, kanë theksuar se “regjistrimi i popullsisë, i cili ka sjellë deri te rrezikimi i punës së Kryqi të Kuq dhe shërbyesve të tij, në fakt është vetëm pjesë e fushatës së Listës Serbe dhe Partisë Progresiste Serbe në Kosovë, në mënyrë që të arrijnë deri të secila amvisëri, për të kërcënuar dhe frikësuar njerëzit para zgjedhjeve lokale dhe në këtë mënyrë të ndikojnë në vullnetin e popullit”.

Lidhur me këtë çështje, tani për tani, reagime të tjera nuk ka në Kosovë, përveç reagimit të ambasadorit amerikan, Greg Delawie, i cili ka shënuar në Twitter se është i brengosur lidhur me çështjen e Kryqit të Kuq dhe se po i përcjellë zhvillimet nga afër./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat