KQZ decertifikon pesë kandidatë, certifikon 63 të tjerë

Aktuale

KQZ decertifikon pesë kandidatë, certifikon 63 të tjerë

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 13:06
Komisioni Qendor Zgjedhor

(E plotësuar)-  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme, me rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, mori tri vendime, përfshirë decertifikimin e pesë kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike, pasi këta kandidatë nuk kanë parashtruar në KQZ kërkesën për tërheqje.

Ndërkaq u vendos të certifikohen 63 kandidatë të tjerë, nga subjekte të ndryshme politike, të cilët zëvendësojnë kandidatët e decertifikuar nga KQZ-ja, për shkak të aktgjykimeve dënuese të plotfuqishme nga gjykata.

Drejtoresha për Regjistrimin partive politike në KQZ, Miradije Mavriqi, ka thënë se 85 kandidatë janë decertifikuar deri më tash pasi ndaj tyre ka pasur aktgjykime të formës së prerë.

Mavriqi: Arsyet e decertifikimit janë aktgjykimet e Gjykatës

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka decertifikuar 85 kandidatë për arsye se ka ardhur nga Gjykata, se ka aktgjykime të formës së prerë. Subjektet politike kanë qenë të njoftuara për këto afate dhe mundësinë e zëvendësimit të këtyre kandidatëve. Mirëpo, të gjithë nuk kanë shprehur dëshirë që këta kandidatë t’i zëvendësojnë, për atë edhe janë vetëm 63 kandidatë që zyra rekomandon të certifikohen nga këto subjekte politike”, tha Mavriqi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim edhe për akreditimin e Grupit të parë të vëzhguesve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar në kuadër të këtij grupi është 30.

E faktin se në mesin e tyre janë edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, e ka gëzuar anëtarin e KQZ-së nga radhët e PDK-së Betim Gjoshin, i cili ka theksuar edhe rëndësinë e raportit të këtij komisioni teksa ka ftuar që të përmbushen rekomandimet e dala nga ky raport.

Gjoshi: Raporti sjell rekomandime për KQZ-në, ligjin dhe rregulla të tjera

“Raporti siç e keni parë nuk sjellë rekomandime veç për Komisionin Qendror Zgjedhor. Sjell rekomandime për ligjin dhe rregulla të tjera. Për pjesën tonë edhe njëherë i kërkoj sekretariatit që të ketë para vetes, për aq sa është e mundur të përmbushen ato rekomandime të këtij raporti për këto zgjedhje lokale”, ka thënë Gjoshi.

Gjatë diskutimeve në këtë pikë të rendit të ditës, anëtarët e KQZ-së theksuan se kostoja e zgjedhjeve po shkon duke u zvogëluar, gjë që është një trend pozitiv.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Binak Vishaj, ka shpjeguar se Komiteti i Auditimit ka konsideruar si më të mirin raportin e  pasqyrave financiare dhe rekomandimeve deri më tash, por që ende ekzistojnë dobësi. Për këtë ai ka theksuar rëndësinë që ka përmirësimi i këtyre dobësive.

Vishaj: Dobësitë e theksuara janë qeverisja, lista e rreziqeve dhe vetëvlerësimi

“Janë bërë përmirësime në shumë fusha, por që ende ka dobësi dhe mbet me shpresë se këto të përmirësohen dhe të mos  jenë më evidente në të ardhmen. Këto dobësi nuk janë të fushave të veprimit të shkallës së lartë të rrezikut. Dobësitë e theksuara janë qeverisja, që revokon me zbatimin e pamjaftueshëm të rekomandimeve, listën e rreziqeve e cila ende nuk është aprovuar në KQZ dhe vetëvlerësimin dhe zbatimin e rregulloreve”, tha Vishaj. 

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi ka bërë thirrje që të adresojnë sa më shpejt që është e mundur në Ministrinë e Financave, kërkesën për të kthyer mjetet e shpenzuara për zgjedhje parlamentare.

Gashi: Shkresa të bëhet me kohë që të mos kemi probleme

“Do të duhet të drejtohemi me një shkresë, e cila duhet të jetë shumë urgjente për shkak të rishikimit të buxhetit për t’i kthyer mjetet për zgjedhje lokale, të cilat janë tërhequr dhe i kemi përdorur për zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit. Kështu që shkresën është mirë ta bëni me kohë që të mos kemi probleme më tutje”, ka thënë ai. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe raportin e shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 11 qershor 2017.

Ndryshe, organizimi i zgjedhjeve lokale do të kushtojë mbi 4 milionë euro.

KQZ-ja zëvendëson 63 kandidatë nga 86 sa ishin decertifikuar për zgjedhet lokale

Komisioni Qendor Zgjedhor në mbledhjen e sotme, i ka zëvendësuar 63 kandidatë, nga 86 sa ishin decertifikuar me qëllim të pastrimit të listave.

Edhe pse numri i kandidatëve të decertifikuar ka qenë 86, në mbledhjen e të shtunës në KQZ janë zëvendësuar 63, e kjo për shkak se partitë nuk i kanë dërguar kandidatët zëvendësues në Komisionin Qendror Zgjedhor.

I tërë procesi i certifikimit të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, përfundon të martën.

Ky vendim u mor nga shumica e anëtarëve të KQZ-së.

Kujtojmë, se i decertfikuar ka qenë edhe kandidati për kryetar të Prizrenit nga Nisma për Kosovën,Zafir Berisha i cili ka paralajmëruar ankesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat