Vështirë të mendohet se vrasja e aktivistëve politikë dhe ushtarakë të ketë qenë një rastësi

Aktuale

Vështirë të mendohet se vrasja e aktivistëve politikë dhe ushtarakë të ketë qenë një rastësi

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 19 shtator 2017 Në ora: 07:12
Disa nga viktimat e vrasjeve poltike

Qeveria e sapo formuar e Ramush Haradinaj ka filluar punën më njerëz të dyshuar për krime e tortura dhe ministra që kanë probleme më ligjin, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre dhe shpërdorim të donacioneve. Ministri I bujqësisë në Qeverinë e Kosovës Nenad Rikallo i cili kohëve të fundit është parë si i dyshuar nga shumë qytetarë të Prishtinës, si i dyshuar se gjatë kohës së luftës kishte ushtruar dhunë dhe tortura mbi civilet shqiptarë në lagjen Dardania.

Këto akuza, nuk i kanë lënë përshtypje kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj i cili po  shprehet i bindur se duhet të punojë, ani pse në mesin e tij ka ministra që kanë probleme me ligjin. Ministri tjetër Valdrin Lluka që udhëheq më Ministrinë e Zhvillimit ekonomik akuzohet për shpërdorim detyre për shkak se përmes një organizate jo qeveritare kishte akorduar një shumë parash si donacion e që rasti ishte parë si konflikt interesi.

Opinionisti dhe njohësi i çështjeve politike Enver Bytyçi ka thënë për “Bota sot” se  Nenad Rikalo, ministri nga Lista Serbe i Bujqësisë në qeverinë e Kosovës është akuzuar për keqtrajtim të shqiptarëve para vitit 1999.

Image
Enver Bytyçi

“Në qeverinë e zotit Haradinaj thonë se nuk kanë dëshmi dhe informacione për këtë nga institucionet e specializuara të shtetit. Ndërsa vetë Rikalo thotë se në këto aventura të torturës kundër shqiptarëve ka zbatuar urdhërat e një zv ministri shqiptar në këtë qeveri. Ndërsa ministri Valdrin Lluka po akuzohet për shpërdorim detyrë për shkak se një OJQ-je të tij i kishte akorduar më 2014-ën 20 mijë euro donacion, duke qenë në konflikt interesi”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, këto dy raste janë të mjaftueshme për të ushtruar presion ndaj parlamentit, qeverisë dhe politikës në Kosovë, me qëllim spastrimin e institucioneve të shtetit nga elementet e inkriminuara.

“Edhe kur ka akuza të paprovuara nga gjykata, është e domosdoshme që ministra apo kushdo tjetër të japin dorëheqjen deri në sqarimin e tyre. Nëse nuk spastrohet sot Kosova nga elementët kriminalë ose të involvuar në shkelje penale, vështirë se do ta bëjë këtë në një të ardhme më të largët” ka thënë Bytyci.

Ministrat duhet të japin dorëheqje

Sipas tij, natyrisht që për Haradinajn është vështirë të ndërmarrë hapa spastrimi menjëherë pas marrjes së votëbesimit për të drejtuar ekzekutiv e Kosovës.

“Ai ka e do të ketë probleme që të veprojë në përputhje me ndërgjegjen e tij e të moralit të shtetit të së drejtës në këtë drejtim për shkak të avrësisë së tij nga secila parti në koalicion. Sikur njëra prej tyre, qoftë dhe një parti me tre deputetë, ta kontestojë zotin Haradinaj dhe qeverinë e tij, ai mbetet në minorancë dhe humbet të drejtën të qeverisë Kosovën”, është shprehur Bytyqi.

Ai ka theksuar se në këto kushte vështirë se do të pritet ndonjë rezultat madhor nga qeveria e re e Kosovës dhe vështirë se do të mund të pengohen elementët e implikuar në vepra të ndryshme penale e kriminale që të merren me politikë ose me administrimin e punëve të shtetit dhe institucioneve në Kosovë.

Miftari: Qeveri pro serbo-ruse

Në lidhje më këtë, edhe ish anëtari i SHIK-ut Naim Miftari ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Qeverisë Haradinaj dhe presidentit aktual Hashim Thaçi. Sipas tij interesi i Hashim Thaçit dhe klanit pronto është që më çdo kusht të jenë në pushtet duke i ikur kështu drejtësisë e të mos paraqiten para bankës të akuzuarve për tradhti, vjedhje, krim të organizuar dhe krime tjera të ndryshme deri të vrasjet politike.

Image
Naim Miftari

“ Sa i përket listës serbe jo vetëm Nenad  Rikalo, por që të gjithë aty janë lojtar lojal të Beogradit e pranojnë publikisht se në politikë janë që ta pengojnë Kosovën të shkoj para dhe mbrojnë urdhrat dhe  interesat e Beogradit . Lista Serbe janë kriminelë të luftës dhe pas luftës prandaj komandanti i UÇK-së tani kryeministër Ramush Haradinaj duhet të shpërbejë komplet këtë qeveri pro serbo-ruse dhe ta shpëtoj Kosovën” ka thënë Miftari.

Kryeministri nuk e ka besimin e qytetareve

Kabineti aktual qeverisës në krye me kryeministrin Ramush Haradinaj shihet më shumë si qeveri e kompromiseve të mëdha politike dhe militanizmit partiak se sa një qeveri e sigurt dhe qeveri me duar të pastra.

Politologu Mentor Tahiri ka thënë se kabineti aktual qeverisës është një konglomerat kompromishesh të natyrave të ndryshme.

Image
Mentor Tahiri

“Përbërja e tij kaq e madhe dhe me jo më pak se pesë zëvendëskryeministra, flet vetvetiu për këto kompromise. Në një ambient të tillë, para militantizmit partiak dhe interesave financiare e klanore, vështirë të konsiderohet ndonjë kriter tjetër, përfshirë këtu edhe kriterin e qeverisjes me duar të pastra”, është shprehur Tahiri.

Debat për rrethanat e pasluftës

Në anën tjetër, sipas tij, nuk është asnjë sekret se në Kosovën e pasluftës ka pasur sulme me motive politike, përfshirë këtu edhe vrasjet.

“Është vështirë të mendohet se vrasja e gjithë atyre aktivistëve politik dhe ushtarak të ketë qenë një koinçidencë. Por për ato vrasje kryesisht heshtet, gjë që legjitimon çdo spekulim për të dyshuarit. Shoqërimi me persona të tillë, e privon kryeministrin e tanishëm drejt fitimit të besimit të qytetarëve, apo edhe të respektimit të punës së tij tani dhe në të ardhmen” ka thënë ai.

Sipas Tahirit, fatkeqësisht asnjë forcë politike në Kosovë nuk e ka trajtuar asnjëherë si prioritare fillimin e një debati të përgjithshëm në nivel nacional lidhur me sqarimin e disa rrethanave të pasluftës, përfshirë këtu edhe LDK-në, subjektin që pësoi më së shumti duke humbur veprimtarë të saj të rëndësishëm.

“Kurse e frikësuar nga politika, drejtësia nuk ka vepruar asnjëherë, apo thjeshtë është marrë me raste selektive aty ku ka qenë e detyruar të veprojë nga ana e ndërkombëtarëve”, ka nënvizuar Tahiri.

Duhen shpjegime

Image
Rexhep Shahu

E analisti politik Rexhep Shahu ka thënë për “Bota sot” Ramush Haradinaj kryeministër po përpiqet të jetë institucional duke referuar se ai merr informatat nga institucionet e Kosovës për ministrat e tij apo zyrtaret e tij. Mirëpo çështja shtrohet se opinioni ka më shume sy se sa zyrtaret që japin raporte për kryeministrin.

“Besoj se Ramushi duhet të shpjegohet, shpjegimi heq mjegullat. Edhe fotot e tij në raste e rrethana të ndryshme më individë me rekorde të ndryshme duhen shpjeguar. Nuk është e thënë se ka fajësi pse je në ndonjë foto të rastësishme me dikën, por shpjegimi duhet është domosdoshmëri për publikun.

“Qeveri me duar te pastra, me duar krejt të pastra është relative sepse kriteret ligjore të pakonsoliduara japin mundësinë për devijime e interpretime. Pa një shtet ligjor, shume mundësi ekzistojnë për devijime e interpretime të fortësh” ka thenë Shahu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat