Haradinaj dhe Selimi japin detaje për fondin milionësh të SHBA-së për Kosovën

Aktuale

Haradinaj dhe Selimi japin detaje për fondin milionësh të SHBA-së për Kosovën

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 09:33
Selimi dhe Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se nënshkrimi i një marrëveshje grant për Kosovën nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, në vlerë prej 49 milionë dollarë, është lajm i mirë për vendin.

Këto komente kryeministri Haradinaj i bëri pas një takimi që kishte me përfaqësues të MCC-së.

Haradinaj: Granti nga MCC lajm i madh për Kosovën

“Është për Kosovën lajm i madh, i mirë, nënshkrimi i një marrëveshje grant për Kosovën, nga  Fondi i sfidave të mileniumit...Biseduam për efektet e kësaj marrëveshje, që do t’i ketë në Kosovë. Veçanërisht për të gjitha ato efekte, që do t’i ketë në kursimin e energjisë, pra në sferën e efiçiencës së energji por dhe në drejtime tjera të jetës sonë. Jam i bindur se me lajme të tilla, do të konfirmojmë se të rinjtë tanë do të mund të bëjnë jetën në Kosovë dhe jo me lyp shpresën për jetë në vendet tjera”, tha Haradinaj.

Ndërkaq koordinatori  për Kosovën i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit  Petrit Selimi, tha se fondi do të fillojë  në fund të këtij viti të themelohet dhe se mjetet në vlerë prej 49 milionë dollarë  do të dedikohen  në fushën e energjisë efiçiente si dhe sundimit të ligjit.  Ndërsa tha se  i kanë tri vjet përpara të investojnë një shumë optimale prej 49 milionë dollarësh, e që është granti më i madh amerikan,  që nga paslufta në fusha  shumë të rëndësishme.

Selimi: Nëse shënohet progres,  vazhdojmë me investime të mëtutjeshme

“ I kemi marrë 49 milionë që është shumë e dytë më e madhe në histori të MCC-së. Për herë të parë kongresi ka ofruar objektin për nënshkrim dhe ka qenë dhe kryetari i komisionit për punë të jashtme dhe nënkryetari Engle të pranishëm në nënshkrim. Që tregon një dedikim shumë të madh të Qeverisë amerikane si në kongres, ashtu dhe në Qeveri për ndihmë Kosovës.  Threshold koceptualisht është parapërgatitje për Compact. Pra Kosova nëse arrin suksese dhe  partneritet me MCC-në dhe qeverinë amerikane, absolutisht nëse arrin notat dhe vazhdon progresin, nuk e përjashton fare që të kualifikohet për mjete tjera investive. Ne kemi filluar me 49 milion që është një shumë e dyta më e madhe në historinë e MCC së. Por nuk e përjashtojmë se nëse shënohet progres i mëtutjeshëm, në sundimin e ligjit, liritë ekonomike dhe 20 nota të tjera që janë zyrtare që të vazhdojmë me investime të mëtutjeshme”, tha Selimi.

Ndërkaq Sara Olmstet  nga MCC tha se ky është reflektim i punës së Qeverisë,  për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të kontrolluar korrupsionin.

Olmstet: Ky është reflektim i punës së Qeverisë

“Mendoj se vet fakti që Kosova është përzgjedhur për pjesëmarrje në MCC është një reflektim i punës që është vënë nga Qeveria për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të kontrolluar korrupsionin. Pra, është një arritje e madhe për ne që të jemi këtu. Ne shpresojmë se kjo mund të kthehet në më shumë dhe shpresojmë që Qeveria do të vazhdojë angazhimin e saj për qeverisje të mirë dhe kontrollin e korrupsionit”, tha ajo.

Konferenca e kryeministrit Haradinaj me përfaqësues të MMC-së është mbajtur në mëngjes në një konferencë që zyra për media e kryeministrit e ka quajtur urgjente. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat