Thaçi takoi kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat

Aktuale

Thaçi takoi kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 21:25
Pamje nga takimi i Hashim Thaçit me Joseph Muscat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, u takua sot edhe me kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, në kuadër të takimeve në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.

Presidenti Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i shprehu falënderimin kryeministrit Muscat për mbështetjen e vazhdueshme të Maltës dhënë procesit të konsolidimit të Kosovës.

Ai tha se Kosova është e përkushtuar ndaj objektivit kryesor të politikës së saj të jashtme – anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ne duhet të ecim përpara në procesin e integrimit evropian dhe është e rëndësishme që BE-ja të reformojë procesin aktual të zgjerimit. Ne kemi nevojë për të gjitha vendet e rajonit që të jenë në gjendje për të hapur negociatat në dy-tri vitet e ardhshme, duke përfshirë edhe Kosovën. Kështu, marrja e statusit të vendit kandidat mund të hapë një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në takim u diskutua për rëndësinë e afrimit të BE-së dhe NATO-s me shtetet e Ballkanit Perëndimor, për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, për mbështetjen e Maltës për njohjen e Kosovës nga shtete të caktuara dhe për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

Po ashtu, presidenti Thaçi dhe  kryeministri Muscat biseduan për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si pjesë e rëndësishme e vizionit dhe strategjisë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, veçanërisht pas miratimit të Ligjit për Investime Strategjike nga Kuvendi i Kosovës.

U tha se Kosova dhe Malta duhet të organizojnë, në një të ardhme të afërt, një forum të përbashkët ekonomik, i cili do të ofronte një mundësi të mirë për komunitetin e biznesit për investime dhe për të nxitur rritjen e vëllimit të tregtar mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat