Dështon mbledhja e Kryesisë, LDK e VV akuzojnë Veselin se shkeli rregulloren e Kuvendit

Aktuale

Dështon mbledhja e Kryesisë, LDK e VV akuzojnë Veselin se shkeli rregulloren e Kuvendit

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 12:41
Mbledhja e Kryesisë

(E plotësuar)-  Kryesia e Kuvendit ka dështuar të caktojë seancën e ardhshme plenare në mungesë kuorumi. Partitë pozitë dhe opozitë janë përplasur rreth caktimit të ditës për vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja, me 40 nënshkrime, por që ishte ndërprerë, pasi në seancë nuk ishte kabineti qeveritar dhe deputetët e pozitës.

Opozita akuzoi pushtetin se po ua marrin një të drejtë kushtetuese duke mos e caktuar seancën kurdo që e thirr opozita në anë të 40 nënshkrimeve, por duan që këtë kompetencë t’ia lënë kryesisë që të vendosë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, akuzoi partitë opozitare se kishin përgatitur një skenar për ta bllokuar punën e Kuvendit, porse nuk do të ketë bllokim.

Veseli paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë mbledhje tjetër të kryesisë dhe do të caktohet seanca e radhës në të cilën do të diskutohet për programin qeverisës të Qeverisë.

Veseli: Opozita erdhi ta bllokojë Kuvendin

“Gjatë gjithë kohës sa ishim në mbledhje të kryesisë nuk pat mirëkuptim që të kemi konsensus. Unë e di që kolegët e mi para meje si ata të pozitës, si ata të opozitës, si kryetar i Kuvendit e respektoj rregulloren që t’ua jap fjalën të gjithëve, ndërsa vendimmarrjen ta kemi me konsensus. Por këtë herë kolegët e opozitës e kishin ndarë mendjen qysh para se me ardh që në një mënyrë të bllokonin punimet e Kuvendit. E mira do të ishte të kishim konsensus por bllokadë nuk mund të ketë, pasi po që se kolegët e kryesisë do të ishin të gjithë nuk do të kishim një situatë pa vendimmarrje sot”, tha Veseli.

Kreu i legjislativit shtoi se ka mirëkuptim për të vazhduar seancën, porse mënyra e imponimit nuk është korrekte, ani pse për konsum elektoral mund të sjellë përfitime segmenteve të caktuara.

Fushatë elektorale deklarimet e sotme të opozitës i kanë quajtur edhe shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se opozita sot kishte shkuar në mbledhjen e kryesisë duke kërkuar vazhdimin e seancës për të hënën, duke u parë se nuk donin seancë, por shihej qartë se ishin nën ethet e fushatës zgjedhore, një ditë para se ajo të fillojë.  

Krasniqi: Opozita ishte në ethet e fushatës

“Më vjen keq që ata ishin nën ethet e fushatës parazgjedhore, e cila fillon nesër. Ne patëm një mbledhje jashtëzakonisht të mirë që do të shihet edhe në transkript me një atmosferë krejtësisht korrekte dhe normale të bashkëpunimit dhe për një moment me kërkesën e LDK-së për vazhdimin e seancës, aty një skenar i parapërgatitur doli në pah për çka na vjen shumë keq sepse konsiderojmë që Kuvendi i Kosovës, veçanërisht Kryesia e Kuvendit nuk duhet në asnjë mënyrë të bëhet subjekt i çështjeve që lidhen me fushatën lokale, e cila fillon zyrtarisht nesër. Kërkesa e LDK-së për seancë të jashtëzakonshme është respektuar qind për qind, bazuar në rregullore. Kjo seancë është mbajtur, por për shkak të pamundësisë së tyre që të kenë kuorum me kërkesë të tyre është ndërprerë dhe në momentin që kjo seancë është ndërprerë, nga interpretimi i eksperteve dhe juristëve të rregullores, vlen rregullat e njëj ta, që kryesia vendos për vazhdimin”, tha Krasniqi.

Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, e quajti fushatë elektorale reagimin e opozitës.

Isufi: Po shihet se ka nisur fushata

“Po e shihni të gjithë se fushata veç ka filluar pikërisht me reagimin e sotëm të opozitës. Kërkesa e dedikuar më herët që të mbahet seanca e jashtëzakonshme është dorëzuar në Kuvend, është thirr mbledhja, madje nuk kanë qenë as deputetët e opozitës që të mbahet ajo mbledhje dhe është ndërprerë. Kishte mirëkuptim që të vazhdojë seanca e jashtëzakonshme në javën e ardhshme, por kushti i propozuesit ishte të hënën, derisa kërkohej konsensusi. Ne i propozuam që të enjten të vazhdoj seanca e jashtëzakonshme, por ata nuk pranuan dhe në njërën anë kërkon kompromis në tjetrën anë nuk pranonin propozimin tonë dhe mbledhja u ndërpre dhe ky është treguesi më i mirë se fushata është paralajmëruar”, theksoi Isufi.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se askush nuk po e konteston të drejtën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme, porse atë e quajti në funksion të propagandës.

Sherifi: Seanca e jashtëzakonshme në funksion të propagandës

“Mendoj që kjo seancë edhe kur është thirr, është thirr e jashtëzakonshme dhe ka pasur për qëllim kryesisht atë propagandën dhe edhe vazhdimi është në funksion të propagandës. Askush nuk po e konteston të drejtën që opozita të vazhdoj këtë seancë. E tëra që ndodhi sot ishte mospajtimi për ditën se kur të thirret kjo seancë”, tha Sherifi.

Mirëpo, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e opozitës. Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se pushteti po dëshiron t’ia marrë opozitës një të drejtë kushtetuese dhe të përcaktuar me rregullore, thirrjen e seancave të jashtëzakonshme përmes 40 nënshkrimeve.

Madje akuzoi kreun e Kuvendit Kadri Veseli se ka shkelur rregulloren me mos thirrjen e mbledhjes së kryesisë të hënën e kaluar për të caktuar vazhdimin e seancës për të martën e javës që shkoi.

Konjufca: Veseli shkeli rregulloren

“Ne kërkuam që ajo seancë të vazhdonte të martën e kaluar, por Veseli shkeli rregulloren sepse nuk thirri mbledhje të kryesisë. Mbledhja e kryesisë do duhej të thirrej për të hënën që të vendoste që seanca të vazhdonte të martën, pra Kadri Veseli shkeli rregulloren dhe ia thashë këtu brenda, ai nuk u pajtua. Përkundrazi ai thoshte se kjo e drejtë t’i kalojë kryesisë, që ajo me shumicë të votash ta vendosë se kur duhet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme. Unë e interpretova këtë si një precedent të rrezikshëm të shkeljes së demokracisë dhe përpjekje për t’ia marrë opozitës instrumentin me të rëndësishëm që ajo e ka në dorë e që ia garanton edhe kushtetuta edhe rregullorja, e që është e drejta që me 40 nënshkrime të thërras seancë, dhe seanca të mbahet jo kur donë kryetari, as kur donë shumica e pushtetit, por kur duan ata që e kanë thirr. Në këtë pikë nuk mund të bëjmë kompromis”, theksoi Konjufca.

Konjufca ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatën Kushtetuese, duke u shprehur i bindur se Kushtetuesja do ta interpretonte të drejtën e seancës së jashtëzakonshme si të drejtë të 40 nënshkruesve, e jo si të drejtë as të kryetarit as vendosjes me vota në kryesi.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, theksoi se kryesia shkeli një praktikë që ka ekzistuar me vite në Kuvend.

Hoti: Në kryesi u shkel një praktikë që ka ekzistuar që sa vite në Kuvend

“Sot në Kryesinë e Kuvendit u shkel një praktikë që ka ekzistuar tash e sa vite në Kuvendin e Kosovës që seanca e jashtëzakonshme mbahet kur thirr propozuesi që është LDK e mbështetur nga Vetëvendosje dhe si rezultat u ndërpre mbledhja e kryesisë në mungesë të kuorumit. Nuk mund të shkohet me caktimin e seancës së rregullt të Kuvendit, sepse sot kjo shumicë nuk i ka votat e nevojshme as në kryesi, as në seancë për të marrë asnjë vendim. Për ligjin ose vendimin me të vogël këta do të kenë nevojë për votat e opozitës. Sot u tregua se kush është shumicë në institucionet e Kosovës”, tha Hoti.

Edhe Hoti paralajmëroi se do t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese për këtë çështje.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka ndarë edhe komisionet parlamentare, ku  Lëvizja Vetëvendosja do t’i drejtojë katër komisione, PDK tri komisione, LDK tri komisione, ndërsa të tjerat AAK, Nisma, Lista Serbe dhe Grupi Gjashtë Plus do ta drejtojnë nga një komision parlamentar. Edhe në këtë legjislaturë do të jenë gjithsej 14 komisione.

***

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ka mundësi që në bashkëpunim me Vetëvendosjen, të dergojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen për mosthirrjen e seancës së jashtëzakonshme.

Për mosthirrjen e seancës, Hoti tha që eshte shkelur një praktikë demokratike, ngaqë senaca duhet të thirret pas mbledhjes së 40 nenshkrimeve dhe jo kur vendos kryesuesi.

“Nuk arritëm të dakordohemi për seancën e jashtëzakonshme. Ne do ta shqyrtojmë mundësinë që t’i bashkohemi Lëvizjes Vetëvendosje për të dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Hoti, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

***

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit është ndërpre pasi që përfaqësuesit e partive opozitare nuk kanë mundur të merreshin vesh për vazhdimin e seancës së ndërprerë një ditë pas zgjedhjes se qeverisë Haradinaj.

Deputet i VV-së, Glauk Konjufca e ka lëshuar në mënyrë demonstrative mbledhjen e kryesisë që ka bërë që kryesia të mos ketë kuorum dhe të ndërpres punimet. Konjufca ka thënë se ai e ka lëshuar mbledhjen pasi tha se kryetari Veseli ka dashur që tua marrë të drejtën që me 40 nënshkrime të thirret seanca.

“Ai ka thënë se vetëm kryesia duhet të vendos se kur duhet të vazhdojë seanca. Ne nuk do të bëjmë kompromis në këtë drejtim. Këtë ne nuk do ta lejojmë, këtë do të mund ta zgjidhte gjykata kushtetuese”, ka thënë Kjonufca duke paralajmëruar së për këtë çështje do t’i drejtohen gjykatës kushtetuese.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se koalicionin qeverisë nuk e ka shumicën as në kryesi. Ai ka thënë se kryesia ka shkel një praktikë demokratike.

Kreu i Kuvendit ka thënë se mbledhja e sotme nuk përfundoj ashtu siç do të duhej për shkak se nuk pati konsensus.

“Këtë herë kolegët e opozitës e kishin ndarë mendjen që të pamundësojnë punën e Kuvendit. Rregullorja do të respektohet pikë për pikë. Mbledhja e kryesisë do të thirret shumë shpejtë”, tha ai.

E shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Kuvendi nuk të bëhet subjekt i çështjeve që lidhen me fushatën zgjedhore.

“Kryesia e kuvendit është ajo që vendosë për seancën. I lutëm mjaftë që ta mbajmë seancën të enjten e jo të hënën. Ata nuk ishin të interesuar të mbanin seancën”, ka thënë Krasniqi. Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka caktuar komisionet parlamentare.

Veseli: Kolegët e opozitës erdhën ta pengojnë mbledhjen

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se mbledhja e Kryesisë nuk përfundoi ashtu siq duhej pasi që sipas tij kolegët nga opozita kishin ardhur me qëllim për ta penguar mbledhjen e Kryesisë.

Veseli shtoi se rregullorja do të respektohet në përpikmëri, ndërsa tha se e mira do të ishte nëse do të ketë konsensus , por sipas tij bllokadë nuk do të ketë.

 Veseli tha se pozita ka propozuar se seanca të vazhdoj të enjten e ardhshme ndërsa opozita për të hënën. Veseli tha se mbledhja e Kryesisë do të thirret shumë shpejt.

Sherifi: Nuk jemi pajtuar për ditën e mbajtjes së seancës

Shefi i Grupit parlamentar i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se askush nuk e konteston vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.

Ai pas takimit të Kryesisë së Kuvendit tha se i gjithë fokusi ishte nëse vlen e njëjta procedurë edhe në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme.

Sherifi tha se sot nuk u pajtuan për ditën se kur duhet të vazhdohet seanca.

***

Konjufca: Veseli ka shkel rregulloren

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit në mënyrë demonstrative pasi siç tha ai po tentohet t’i merret e drejta e vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme përmes 40 nënshkrimeve.

Konjufca tha se kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka shkelur rregulloren, sepse nuk e ka thirrur kryesinë të hënën e kaluar për të caktuar vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme.

Konjufca tha se “ata donin që të enjten ta caktonin vazhdimin e seancës derisa ata si opozitë kërkuan për të hënën”. Konjufca shtoi se nuk do të pranojnë që t’ua marrë këtë të drejtë të opozitës. Ai tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e kësaj çështjeje.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se nuk u pajtuan me pozitën që të caktohet vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga opozita. Edhe Hoti tha se do t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore për sqarimin e kësaj situate.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se opozita ishte nën ethet e fushatës zgjedhore, e cila fillon nesër.

Krasniqi tha se kërkesa e LDK për seancë të jashtëzakonshme është respektuar, porse është ndërprerë. Mirëpo sipas tij është kryesia ajo që vendos për caktimin e vazhdimit të seancës, por opozita nuk ishte e interesuar të vazhdonin seancën.

Krasniqi tha se nuk do t’ua cenojnë asnjë të drejtë për thirrjen e asnjë seance, madje do t’i mbështesin.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se fushata ka filluar para kohe nga opozita me propozimin e sotëm duke insistuar me çdo kusht që vazhdimi i seancës të caktohet të hënën.

Në mbledhjen e kryesisë së kuvendit janë ndarë komisionet parlamentare, me ç’rast udhëheqjen e numrit më të madh të tyre do ta ketë Vetëvendosja.

Kjo parti do të udhëheq me katër komisione, këtu duke përfshirë Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Arsim, Komisionin për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Komisionin për AKI-në.

Tre komisione do të jenë nën udhëheqjen e LDK-se; Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisioni për Punë të Jashtme.

Edhe PDK-ja do të udhëheq tre komisione, atë të Zhvillimit Ekonomik, Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisioni për Administratë Publike.

Ndërsa AAK dhe NISMA kanë nën udhëheqjen e tyre nga një komision, Komisionin për Bujqësi dhe Komisionin për Pune të Brendshme dhe Siguri, respektivisht.

Komisioni për Komunitete do të jetë nën udhëheqjen e Listës Serbe, ndërsa Grupi 6+  do të udhëheq me Komisionin për Drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat