Ministrja Hoxha kërkon angazhim nga institucionet për liberalizimin e vizave

Aktuale

Ministrja Hoxha kërkon angazhim nga institucionet për liberalizimin e vizave

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 13:26
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se një vit pas hyrjes në fuqi të MSA-së, është arritur progres i madh sidomos në krijimin e strukturave institucionale me qëllim të zbatimit sa më efikas të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, për periudhën në vijim.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi të përbashkët ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës të prirë nga kryeministri Ramush Haradinaj me ambasadorët e BE-së në Kosovë.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, dhe theks i veçantë u vu në prioritetet kyçe në kuadër të agjendës evropiane si niveli i zbatueshmërisë së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendës për Reforma Evropiane, të njohur si ‘ERA’, dhe programeve të BE-së.

Po ashtu, u theksua gatishmëria e institucioneve për realizimin e aktiviteteve në kuadër të procesit të Liberalizimit të Vizave.

Me këtë rast ministrja Hoxha foli për rëndësinë që ka koordinimi me Zyrën e BE-së dhe shtetet anëtare përgjatë avancimit të Kosovës me agjendën evropiane.

Ndër të tjera ministrja Hoxha kërkoi promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

"Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i sundimit të ligjit do të duhet të jenë prioritet yni, në mënyrë që Kosovarët mos të vazhdojnë të jenë të izoluar”, tha Hoxha.

Ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, të akredituar në Kosovë, vlerësuan përkushtimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës në shtyrjen përpara të agjendës evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat