Këshilltari i Pacollit i përgjigjet Krasniqit: S'është koha të flasim për postin e Presidentit

Aktuale

Këshilltari i Pacollit i përgjigjet Krasniqit: S'është koha të flasim për postin e Presidentit

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 17:04
Behgjet Pacolli

Deklarata e Kryetarit të këshillit Kombëtarë të Nismës Jakup Krasniqi se subjekti i tyre politikë nuk do ta votojnë Pacollin për President, nuk po i bën përshtypje zyrtarëve të AKR-së. Thonë se aktualisht po punojnë për viza, e për punën e Presidentit nuk është tash koha që të flitet. Me marrëveshjen e koalicionit PAN, Pacollit i është premtuar pozita e të parit të shtetit, kur Thaçi ta kryejë mandatin.

Kreu i AKR’së Behgjet Pacolli, i cili mban edhe pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministrit të parë, zor se mund ta ketë edhe atë të Presidentit të ardshëm.

Ndonëse me marrëveshjen e arritur me koalicionin PAN, thuhet se Pacolli do ta marrë postin e Presidentit në kohën kur t’i kalojë mandati Hashim Thaçit, kreu i AKR’së nuk do t’i ketë votat e subjektit politike Nisma.

Kështu ka deklaruar Jakup Krasniqi i cili shtoi se as kur është arritur marrëveshja, për këtë pikë Nisma nuk është pajtuar.

Por këshilltari politik i Pacollit, Jetlir Zyberaj duke mos e komentuar deklaratën e Krasniqit për votat e tyre, tha se është koha për punë dhe që kosovarëve t’iu sigurohë vizat.

“ Tani është koha për punë, për suksese, për liberalizim te vizave. Nuk është momenti të mendojmë dhe të flasim për president tani”, u shpreh të enjten, këshilltari i Pacollit.

AKR-së, me marrëveshjen për qeverisje me koalicionin PAN, i është premtuar pozita e presidentit të vendit në mandatin e ardhshëm.

“PAN dhe AKR-ja dakordohen që posti i presidentit të Kosovës t’i takoj AKR-së në mandatin e ardhshëm, pavarësisht mënyrës së votimit, qoftë përmes votimit në Parlament, qoftë përmes votimit të drejtpërdrejt nga populli. Kështu partitë që përbëjnë koalicionin PAN dakordohen që të mos kenë kandidat të tyre për president të vendit duke u obliguar që ta mbështesin kandidatin e AKR-së”, thuhet në marrëveshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat