Haradinaj takon njeriun që u dënua për mashtrim të Bankës

Aktuale

Haradinaj takon njeriun që u dënua për mashtrim të Bankës

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 21:32
Agim Shahini dhe Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj, erdhi në pushtet duke premtuar se nuk do të lejojë në poste zyrtare njerëz të dënuar apo të dyshuar për keqpërdorim të pozitës së tyre, por në javën e dytë si kryeministër, ka takuar drejtuesin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Me 13 shkurt Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri ka dënuar me 18 muaj burg me kusht, kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Shahini sipas gjykatës, është dënuar për mashtrimin e TEB Bankës.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë më 9 mars të vitit 2012 thotë se Shahini dhe dy vëllezërit e tij, Bashkimi e Skënderi, kanë mashtruar Bankën “TEB”. Kjo aktakuzë është ngritur pas kallëzimit penal të bërë nga “TEB Bank”.

Të tre së bashku akuzohen se kanë dëmtuar qëllimshëm “TEB Bank”-ën duke tjetersuar pasurinë e kompanisë së tyre “Besarti Company” që e kishin lënë peng për të marrë një kredi në vlerë prej 250 mijë eurove.

Në aktakuzë tregohet se më 9 mars të vitit 2010 tre vëllezërit Shahini firmosën me degën e “TEB Bank” s në Vushtrri një marrëveshje në vlerë prej 250 mijë eurosh që përfshinte lejimin e mbitërheqjes (over-draft) deri në 150 mijë euro dhe lëshimin e një letërgarancioni në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Agim e Skënder Shahini kanë qenë bashkë-kredimarrës, ndërsa kredimarrës ka qenë Bashkim Shahini.

Por Shahini akuzohet edhe nga një bankë tjetër, për mashtrim. Veçse shuma është dyfish më e madhe.

“Raiffeisen Bank”-a më 5 maj të vitit 2010 kishte dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë një kallëzim penal kundër tij. Shahini dyshohet për veprën penale-mashtrim./insajderi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat