Emërohet Komisioni i ri për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror

Aktuale

Emërohet Komisioni i ri për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 13:42
Takimi i rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian

(E plotësuar) -  Qeveria e Kosovës sot ka emëruar anëtarët e komisionit shtetëror, për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror. Kryesues i këtij komisioni do të jetë Shpejtim Bulliqi, ndërsa anëtarë do të jenë Zejnullah Gruda, Martin Berishaj, Hamit Basholli dhe Florim Isufaj.

Në Komision do të përfaqësohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës,  Ministrisë së Punëve të Brendshme,  Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe dy përfaqësues të komunitetit pa të drejtë vote, Riza Smakaj dhe Zymer Neziri.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj tha se me këtë po e përmbushin një obligim ligjor.

Haradinaj: Po e përmbushim një obligim ligjor

“Ne tani kemi një vakum  të krijuar me ndërprerjen e mandatit të komisionit paraprak. Po përmbushim një obligim ligjor”, tha ai.

Qeveria po ashtu  ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2017, i cili pritet që të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se rishikimin e buxhetit kanë arritur ta harmonizojnë me FMN-në, duke e ruajtur deficit të shëndoshë.

Sipas tij bilanci bankar në fund të vitit me këtë rishikim të buxhetit planifikohet të jetë në nivelin adekuat, apo thënë me terma konkret, rreth 4.8 për qind të bruto produktit vendor, respektivisht 303 milionë.

Hamza: Do të kujdesemi të ruhet kredibiliteti buxhetor shtetëror

“Në rishikim ne do të përkujdesemi që kredibiliteti buxhetor shtetëror të ruhet konform obligimeve ligjore dhe kontraktuale. Andaj rishikimi i buxhetit adreson ndër të tjera. Sigurimin e fondeve të mjaftueshme për kategoritë e luftës. Sipas legjislacionit  në fuqi me mbi 26 milion euro. Pagesat e detyrimeve në kohë për autostradën “Arber Xhaferi, në drejtim të Shkupit në shumën mbi 50 milionë euro. Edhe pse këta 50 milionë euro prapë nuk do të jenë mjaftueshëm që t’i kryejmë të gjitha obligimet kontraktuale. Por pas rishikimit do të shikojmë se a do të kemi fonde dhe teprica shtesë dhe t’i përmbushim në plotni obligimet tona kontraktuale, të jemi korrekt me ekzekutuesin e punimeve, por të jemi korrekt dhe me ruajtën e reputacionit të vendit tonë. Pagesat dhe sigurimi i fondeve për organizimin e zgjedhjeve lokale në shumë prej 2 milionë euro. Pagesën e  detyrimeve financiare nga vendimet e gjykatave në shumë mbi 5.6 milionë euro. Mbulesën financiare për obligimet ligjore ndaj RTK-së në shumë prej 1.4 milion euro’, tha Hamza.

Qeveria ka miratuar shfuqizimin e një vendimi, i cili është bërë për shpronësimin e pronave në qendrën turistike Brezovica.

Ministrja e Mjedisit dhe planifikimit hapësinor Albena Reshitaj tha se anulimi i këtij vendimi është i domosdoshëm.

Reshitaj: Anulimi i këtij vendimi, i domosdoshëm

“Anulimi i këtij vendimi është i domosdoshëm, sepse pranë departamentit të shpronësimit kanë aplikuar shumë pronarë, të cilët kërkojnë kompensimin e pronave dhe në gjykata, janë ushtruar ankesa për rritjen të çmimit. Kështu që me anulimin e tij evitohet pasojat në gjykata dhe obligimet financiare”, tha Reshitaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka kërkuar që të miratohet kërkesa e tij për lehtësimin e një procedure, për shpejtimin e importit për gazra medicinal të kualitetit të lartë, qysh parashihet në ligj.

Ismaili: Institucionet shëndetësore përdorin gazra medicinale të paautorizuara

“Pas shqyrtimit të situatës së inspektorati të shëndetësisë dhe inspektoratit farmaceutik kanë konstatuar se institucionet shëndetësore në Kosovë përdorin gazra medicinale të paautorizuara. Sipas ligjit inspektorati ka nxjerrë vendimin për largimin nga qarkullimi të këtyre produkteve medicinale dhe kjo e ka krijuar një pasojë, ku është krijuar një mungesë akute e gazrave medicinale, cilësisë dhe nevojitet importi i tyre i menjëhershëm. Për të lehtësuar importin, ligji për produkte dhe paisje medicinale autorizon ministrin e Shëndetësisë që ta aprovojë importin e tyre me procedurë të thjeshtuar dhe të raportojë këtë qeveri”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se duhet të veprohet sa më shpejt, me qëllim që mos rrezikohen dhe më tutje qytetarët e vendit.

Haradinaj: Të mos i rrezikojmë dhe më tutje njerëzit

“Ka qenë një mobilizim i jashtëzakonshëm i juaj në MSh dhe po i gjithë neve që këto lajme shqetësuese që pasuan dhe të gjitha ato që ndodhen të marrim veprime jo vetëm në sanimin e këtyre lajmeve të këqija e tragjike për qytetarët. Por, jo vetëm kaq. Të mos i rrezikojmë më tutje njerëzit e vendit”, tha Haradinaj.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete financiare për Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së për rregullimin e protezave në vlerë 478 mijë r 876 euro, si dhe 50 mijë euro për rehabilitim të invalidëve të luftës.

Qeveria po ashtu ka ndarë mjete financiare në shumën prej 356 mijë 300 euro për renovimin e shkollës "Musa Hoti", në komunën e Mitrovicës, pas dëmtimeve nga zjarri.  Qeveria ka ndarë mjete edhe për ngrohtoren e Gjakovës në vlerë prej 200 mijë eurove.

Haradinaj: Agjenda e reformave evropian është obligim për ne

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria që ai drejton ka për prioritet integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe se reformat që burojnë nga agjenda evropiane duhet të zbatohen.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit të rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku është diskutuar për implementimin e kritereve të caktuara nga BE për integrimet evropiane.

Haradinaj: Qeveria e ka në prioritet integrimin evropian

“Agjenda e reformave për ne është obligim. Kosova duhet në afatin kohorë t’i implementojë këto detyra qeverisëse dhe ministrat duhet të raportojnë në mënyrë precize , përfshirë këtu edhe institucionet tjera, në mënyrë qe ne me mundur me vërtetuar se zbatimi I MSA-së është proces që po ndodhë.  Dhe është e paraparë që për vitin tjetër me i identifikuar detyra të tjera qeverisëse. Për këtë arsye takimi i sotëm e ka një rëndësi të madhe, njëkohësisht edhe duhet një angazhim prej secilit prej neve për punën. Ne kemi deklarua si partner qeverisës dhe si qeveri, e kemi në prioritet integrimin evropian, MSA-në dhe aplikimin për statusin e kandidatit të Kosovës në BE. Andaj, këtë nuk e bëjmë për hatër të BE-së, e bëjmë për hatër të vetvetes vetveten dhe qytetarëve”, tha Haradinaj.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se procesi i integrimit evropian është rrugë të cilën Kosova e zgjedhur, dhe se institucionet duhet t’i kryejnë detyrat në mënyrë që të arrihet progres në këtë drejtim.

Ajo tha se lëvizja e lirë e qytetarëve varet nga puna dhe angazhimi i të gjitha institucioneve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa është zotuar për implementimin e kushteve për liberalizimin e vizave.

Hoxha: Lufta kundër korrupsionit kusht për liberalizim të vizave

“Në cilësinë e ministres së Integrimit Evropian shprehi përkushtimin e pa rezervë që të punojmë së bashku me të gjitha institucionet dhe të plotësohen këto kushte: Lëvizja e lirë e qytetarëve varet nga puna dhe angazhimi i të gjitha institucioneve të Kosovës për plotësimin e kushteve posaçërisht për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me qëllim të prioriteteve të reformave para nesh Qeveria e Kosovës dhe BE ka lansuar agjendën e reformave (ERA), e cila parasheh zbatimin e 22 prioriteteve konkrete në nivel institucional.  Qytetarët presin nga ne që të bëjmë punën tonë për të përmirësuar mirëqenien e tyre, me qeverisje të mirë, sundim të ligjit, konkurrueshmëria, përmirësimi i klimës për investime si dhe politikat më të avancuara të punësimit dhe arsimit të lartë janë padyshim detyrë dhe obligim i yni karshi qytetarëve të vendit”, tha ministrja Hoxha.

Pas fjalimit të kryeministrit dhe ministres së Integrimeve Evropiane, mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura./I

Haradinaj: Qeveri ka prioritet integrimin e Kosovës në BE

Sot u mbajt takimi i rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian me qëllim të evidentimit dhe implementimit të kritereve të caktuara nga BE për integrimet evropiane.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj tha se kjo praktikë e këtij këshilli duhet të jetë me shpeshtë, mbledhje javore.

"Reforma që buron nga agjenda evropiane dhe ministrat duhet t’i zbatojnë kriteret dhe detyrat e veçuara nga MSA, për këtë arsye takimi i sotëm ka një rëndësi të madhe. Ne si Qeveri kemi në prioritet integrimin e Kosovës në BE", tha Haradinaj.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se roli i këtij këshilli është me rëndësi për faktin se këshilli nuk është mbledhur që prej vitit 2013.

“Para MI janë shumë sfida dhe qytetarët e Kosovës mbetën të izoluar për shkak të mos liberalizmit. Për këtë duhet plotësuat kushtet siç janë lufta kundër korrupsioni”, tha ajo.

Ajo është zotuar për implementimin e kushteve për liberalizimin e vizave.

Pas fjalimit të kryeministrit dhe ministres së Integrimeve Evropiane, mbledhja po vazhdon me dyer të mbyllura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat