Gaxherri e Sfeçla përplasen për Prishtinën e komunat tjera

Aktuale

Gaxherri e Sfeçla përplasen për Prishtinën e komunat tjera

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 00:33
Debati

Deputeti Xhalal Sfeçla është i bindur se Vetëvendosje do të konfirmojë se është subjekti i parë politik në Kosovë.

Këtë bindje e ka shprehur në “Interaktiv”, ku ka qenë në përballje me kolegen e tij deputete nga LDK-ja, Besa Gaxherri.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Sfeçla ka thënë se Vetëvendosje do të fitojë edhe 15 komuna të tjera.

“Ky nuk është synim, por është plan konkret për të cilin kemi punuar që një kohë të gjatë”, ka thënë Sfeçla. “Nuk është besuar nga shumëkush se do t’i marrim 32 deputetë, por ndodhi dhe mendoj se kjo nuk është rastësi por është fryt i një pune tonë të vazhdueshme me qytetarët”, ka thënë Sfeçla.

Ndërkaq Besa Gaxherri ka thënë se shtrirja në çdo cep e LDK-së, me një strukturë të mobilizuar mirë, i jep asaj besimin se do të fitojnë në shumë komuna.

“Ne do të punojmë fuqishëm që të fitojmë shumicën e komunave të Kosovës. Komunat që kemi drejtuar deri tani janë mandate që janë përcjell pa skandale, me shumë transparencë. Asnjëherë nuk kemi pas kryetar në procedura gjyqësore. Nuk them se kanë qenë më të mirët të mundshëm, sepse gjithmonë ka hapësirë për më mirë, por nuk mund të mohojmë se kemi dhënë shembull se kemi qeverisur me duar të pastra”, ka thënë Gaxherri. “Ne po besojmë shumë që kryetarët e komunave që kemi drejtuar në mandatin e kaluar do ta vazhdojnë punën edhe për katër vjet, por do të kthejmë edhe shumë komuna të tjera. Prioritet i yni do të jetë që ta kthejmë Prishtinën e Prizrenin”, ka thënë tutje Gaxherri.

Përplasja më e madhe mes Gaxherrit e Sfeçlës ka qenë për Prishtinën.

Gaxherri ka thënë se në Prishtinë nuk ka asnjë investim kapital që do t’ia vlente të përendej. Në anën tjetër Sfeçla ka numëruar numrin e çerdheve, shërbimet komunale, shëndetësore, e të tjera si garancë që Ahmeti ka punuar për të fituar edhe një mandat tjetër katërvjeçar.

“Nga kursimet në shpenzimet e naftës ne kemi paguar shujtat, kifle e qumësht për fëmijë”, ka thënë Sfeçla.

Gaxherri i ka thënë Sfeçlës se shumicën e veprimeve kapitale që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të Prishtinës kanë qenë gati të përfunduar në kohën e Isa Mustafës, derisa Shpend Ahmeti i ka marrë vetëm meritat. Ajo ka lavdëruar kandidatin e LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat