Ish-agjenti i SHIK-ut: Miku i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, mik i përbashkët edhe në UDB

Aktuale

Ish-agjenti i SHIK-ut: Miku i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, mik i përbashkët edhe në UDB

Nga: Bota Sot Më: 23 shtator 2017 Në ora: 11:37
Veseli, Thaçi

Ish-eprori i UÇK-së dhe ish-anëtari i SHIK-ut Naim Miftari, ka thënë se Baton Haxhiu, ishte mik i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në UDB.

Miftari në një postim në Facebook, ka thënë se Haxhiu, nuk ishte “patriot” kur u ballafaqua me kasapin e Ballkanit Slovodan Millosheviq, përcjell Bota sot.

Më poshtë shkrimi i plotë i Miftarit:

Image
Naim Miftari

Miku i Hashim Thaqit dhe Kadri Veselit mik i perbashkët edhe në UDB......

Baton Haxhiu partizanë i flakët i bashkimit kombëtar, nuk ishte kaq patriot i merdhezur kur e ballafaquan me Milosheviqin. Ai e quajti Batonin spiun, kurse patrioti i Edi Ramës nuk e hapi gojën, e futi kokën në mes gjunjve Lexojeni e mos e besoni.

Gani Mehmetaj - Gjyqi i Hagës me dëshmitë shkretane të M. Bakallit e B. Haxhiut

2002

Asnjëherë nuk e pata të qartë pse e zgjodhën dëshmitarë Mahmut Bakallin e Baton Haxhiun. Nuk m’u hoq dyshimi: u bë kjo për t’ia zbutur krimet kriminelit, apo për të na treguar i dyshuari kryesor Milosheviqi, para miliona shikuesve se në mesin e shqiptarëve, shërbimi sekret serb pati njerëzit e vet. Ende nuk më shqitet thënia e Milosheviqit, drejtuar Baton Haxhiut: Ti ke qenë bashkëpunëtor yni, apo jo? Dëshiron të ta dëshmoj?” Ndërsa Batoni që duhej të dëshmonte krimet e serbit, ul kokën, sikur ta kishin tredhur. Me fjalë të tjera, zyrtari serb e paralizon dëshmitarin shqiptar si gjarpri bretkosën. 

Është dëshmi e vlefshme kjo lloj dëshmie e gazetarit Baton ? Mund t’i besojë ndokush? 

Gjyqi i Hagës zhvillohej me seancat maratonike

Nga ky numër jo i paktë i dëshmitarëve të shtresave e të strukturave të ndryshme, asnjëherë nuk e kam kuptuar pse i ftuan M. Bakallin e B. Haxhiun. Ku qe arsyeja? Ata që e përgatitën akuzën donin ta minimizonin krimin monstruoz të kriminelit, apo synohej që t’i gjenin objektet për fyerje, sepse i akuzuari nuk pushonte, i fyente e i përçmonte, ua kujtonte kohë pas kohe kush ishin, duke ua tërhequr vërejtjen, mos më nxisni se unë di edhe më shumë për ju. Nga dëshmitë e këtyre dy figurave margjinale, prokurori e gjyqtarët nuk nxorën asgjë për të qenë, pos ia dhanë mundësinë kriminelit nga Beogradi të tregohej superior ndaj tyre.

Kur i dëgjoja dëshmitë e tyre të flashkëta, të pasigurta, shpesh qyqare, sikur të mos qenë prokurorët e gjyqtarët e dëshmuar, do të krijoja bindjen se dikush e përgatiti këtë ballafaqimin sa për të parë lojën e maces me miun. Dy dëshmitarë, gati kyç, sikurse u paralajmëruan nga mediet tona, po edhe nga mediet e huaja, dolën shterpë, pa asnjë fakt të kapshëm, ndërsa pati mijëra fakte e dokumente. Kur dolën në ekran ish-zyrtari i lartë i Komitetit Krahinor dhe ish gazetari i “Kohës Ditore” dukeshin të shqetësuar, të frikësuar, herë–herë sikur u bllokohej truri.

Besoj se nuk i druheshin ballafaqimit me kriminelin më të madh në Ballkan dhe në Evropë, në pesëdhjetë vjetët e fundit, por në situata i akuzuari për krime lufte, i paralizonte duke u bërë shantazhe. Pyetja e tij cinike: Doni t’ua dëshmoj se keni qenë njerëz të shërbimit tim të fshehtë, në vend se t’i këndellte arroganca e tij, e t’ia kthenin ashtu si e kërkonte, dy dëshmitarët tanë u shushatën. Më vinte inat. Në të njëjtën mënyrë e përjetuan edhe të tjerët, kur e komentuan të nesërmen. 
Krimineli Milosheviq i mbërtheu M.Bakallin e Baton Haxhiun si mësuesi i ashpër që i lë pa frymë nxënësit e dobët. Ata u druheshin fjalëve të tij, u shmangeshin pyetjeve arrogante, nuk u përgjigjshin pyetjeve të drejtpërdrejta. Ke qenë bashkëpunëtor i shërbimit tonë sekret? Nuk më shqitej pyetja e të parit të Serbisë e Jugosllavisë, drejtuar B. H.-as. Ndërsa dëshmitari djersinte, sepse as atëherë dhe as më vonë nuk e arsyetonte dot si u gjend në mes të shërbimit sekret serb, kur ndërmjetësoi për takimet në Beograd. Doli se ish-kryeredaktori i “Kohës Ditore”, i shkarkuar nga bosi i vet, disa ditë para se të shkonte në Hagë, bënte konspiracion me një oficer zbulimi të Serbisë!
Botuesi i gazetës e mohonte të ketë ditur për bashkëpunimin e B. Haxhiut me oficerin e zbulimit serb. Në shkrimin proverbial “Nuk kaka... “, ku ia bëri portretin, shefi ia nxori ca takime të tjera të fshehta me serbë të Beogradit. 

Ndërkaq, nga M. Bakalli, ish-kryetari i Komitetit Krahinor të Kosovës, pritej më shumë. Komunistët dhe pro jugosllavët e patën ngritur në qiell mençurinë e oratorinë e tij.

Por ylli i tij në Hagë nuk shkëlqeu, përkundrazi iu mor goja, nuk e tha asnjë mendim të shquar. E konsumoi dëshminë, në vend se t’ia linte mundësinë dikujt tjetër. 
Asnjëri prej dëshmitarëve shqiptarë nuk u nda më keq në Gjyqin e Hagës. Nuk e di kush e caktoi të bëhet dëshmitar, as kush e propozoi, por e di se shqiptarët i vuri në vështirësi me mungesën e oratorisë, me frikën e vazhdueshme që e mbërthente dhe me pozicionin në të cilin e vuri veten. Ai u prezantua shkencëtar, sociolog, në vend se të tregonte që me shkencë s’kishte të bënte fare, me sociologji edhe më pak, por kishte qenë zyrtar i lartë komunist në Kosovë. U krijua përshtypja e pakëndshme se Milosheviqi dinte shumë për të. 

Me të përfunduar gjykimin, një mik imi, i cili i ka për qejf teoritë e konspiracionit, më tha në mënyrë profetike: Do ta shikosh kur ta bëjnë yll gazetarin B. Haxhiu në Tiranë! E shikova me mosbesim. Ai ishte i bindur se lobi serb ka shumë ndikim në qarqet politike e të medieve shqiptare. Nuk shkoi shumë kohë kur vërtet doli profecia e mikut tim. B. Haxhiu, apo “Nuk kaka”, sikurse e quanim ndryshe, u bë yll në mediet elektronike të Tiranës, e caktuan nëpër organizata e juri, madje e emëruan në jurinë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizion Shqiptar, që ishte kulmi i cinizmit. Sikur bënin garë kush do ta rrëmbente më parë: e djathta apo e majta shqiptare. E mbanin në prehër, e mëkonin dhe e përgjëronin. Një gjysmanalfabeti ia dhanë kompetencat që të përfaqësonte “kosovarët” kudo dhe kurdo, në Tiranë, në Prishtinë e në Beograd. Vula e shërbëtorit të zbulimit serb, u bë e fuqishme, ia hapi të gjitha dyert. Është “kosovari” më i privilegjuar në Tiranë e në Beograd. 

Milosheviqi në vend se ta turpëronte para shqiptarëve, e bëri yll në median shqiptare të Tiranës, e faktor në politikën e Kosovës, ku iu ngjit “krahut të luftës”. Mbase bashkëvendësin e tyre drenicak e kursyen dhe e shpërblyen. Me patriotizmin lokal s’bëhet shaka! 

Mikut tim, ithtar i teorive të konspiracionit, i doli profecia qind për qind. Mbeta gojëhapur, i mbeta borxh një drekë, ashtu ishte basti. Më erdhi inat, që doli parashikimi profetik i mikut tim, ithtar i teorive të konspiracionit për lobin e fuqishëm serb në Tiranë.

Po në Prishtinë? Cili ishte statusi i tij? I afërt me kreun e PDK-së, i lidhur ngushtë me kreun e LDK-së, ndërmjetës i bizneseve serbo-shqiptare.
Yll fare, do të thoshin kalamajtë e Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat