Tahiri i LDK-së bën fushatë pa posterë, akuzon PDK-në

Aktuale

Tahiri i LDK-së bën fushatë pa posterë, akuzon PDK-në

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 14:31
Xhafer Tahiri

Udhëheqja e komunës së Vushtrrisë për 10 vite nga PDK-ja, ka bërë që kjo komunë të ketë nevojë të madhe për ndryshime.

Këtë thotë se do ta bëjë kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, i cili ka zgjedhur që gjatë fushatës të jap kontributin e tij në ruajtjen e ambientit duke mos vendosur asnjë poster të tij në komunën të cilën garon ta udhëheq në mandatin e ardhshëm.

Tahiri në një intervistë për KosovaPress ka thënë se ky është vetëm një kontribut i vogël drejt ndryshimeve rrënjësore që do të ndodhin në qytetin e Vushtrrisë nëse ai do të jetë i pari i komunës pas zgjedhjeve të 22 tetorit. Ndërsa ka premtuar se nën udhëheqjen e tij, Komuna e Vushtrrisë do të udhëhiqet në mënyrë transparente dhe se do të jetë e hapur ndaj qytetarëve.

Tahiri: Vushtrria ka nevojë për ndryshim rrënjësor

“Pas 10 viteve qeverisje nga PDK, pas tri mandateve të qeverisjes nga pushteti i vjetër i PDK-së, Vushtrria ka nevojë për ndryshim rrënjësor në qasje dhe në mënyrën e qeverisjes së saj. Ndryshimi vjen nga njerëz të ri, me ide të reja, me vullnet, me guxim intelektual dhe me përkushtim për të punuar në të mirën e qytetarëve të Vushtrrisë... Unë kam vendosur që në këtë fushatë të mos vendos asnjë poster në qytetin e Vushtrrisë, e as në fshatra. Dhe kjo për një arsye të vetme, qyteti i  Vushtrrisë vuan shumë nga mbeturinat”, ka thënë ai.

Sipas tij, komuna e Vushtrrisë është përballur me skandale të shumta për vite me radhë, ndërsa ka pasur një politizim të skajshëm të shëndetësisë dhe arsimit, me ç’rast e kanë pësuar profesionistët e vërtetë.

Tahiri: Qeverisja e kaluar ka qenë e orientuar në shtrimin e asfaltit

“Ka qenë një orientim i gabuar i qeverisjes për të shtuar vetëm asfalt. Natyrisht që ka edhe punë të mira që janë bërë në qytet, nuk jam mohues i të gjitha punëve të mira që janë bërë në qytet, por, e vërteta është që PDK-ja në këto 10 vite ka menduar vetëm për vete dhe e ka harruar qytetarin tërësisht, mirëqenien e të riut, mirëqenien e bujkut, ka harruar qytetin tërësisht. Ka shkatërruar në fakt zonën historike të qytetit, nuk e ka ndërtuar e nuk ka pasur as ide e koncept për të ndërtuar një qendër historike për qytetin e Vushtrrisë si qyteti më i vjetër në Kosovë”, thotë Tahiri.

I gatshëm për të dhënë kontributin e tij maksimal për të ndryshuar qytetin të cilin synon ta udhëheq, Tahiri shprehet se megjithatë do të kujdeset që Vushtrria të ruajë identitetin e vet.

Tahiri: Gjendja në Vushtrri do të ndryshoj tërësisht

“Kjo gjendje do të ndryshojë, gjendja në fshatra të Vushtrrisë do të ndryshoj për mirë. Gjendja në arsim në Vushtrri do të përmirësohet, sidomos në menaxhim të arsimit dhe cilësisë, do të stimulohen profesorët, shkollat, nxënësit e suksesshëm dhe përfundimisht Vushtrria do të merr pamjen e një qyteti modern të transformuar, por që ruan identitetin e vet. 5’23” Plani jonë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale përfshinë 5 pika, dhe ato janë: digjitalizimi i kartelave shëndetësore, furnizim i rregullt me barna, plan 5 vjeçar për adresim të çështjes së strehimit për familjet e varfra, një shtëpi të kujdesit ditor për të moshuarit në Vushtrri dhe kujdes permanent për familjet me gjendje të rëndë sociale duke i përkrahur ata që të dalin nga varfëria”, tha ai.

Fakti se ka udhëhequr Forumin Rinor të LDK-së në periudha shumë të rëndësishme si ajo e integrimeve në strukturat e të rinjve të partive popullore evropiane, Tahirin e bëjnë edhe më të përkushtuar ndaj të rinjve, për të cilët thotë se do të jenë qendër e qeverisjes së tij.

Tahiri: Vushtrria do të ketë Qendrën Inovative për të rinjtë

“Do të kemi Qendrën Inovative, që do të jetë një qendër me të cilën do të përkrahen të rinjtë me aftësi të jashtëzakonshme në Vushtrri dhe do të shërbejë si inkubator i biznesit për start-up të reja dhe bizneset e reja që mund të fillohen nga të rinjtë, ku do të përkrahen idetë e të rinjve për të bërë biznes në qytetin e Vushtrrisë. Ky ‘Inovation Center’ do të vendoset në qendër të qytetit, në pjesën ku unë e kam ndërmend ta shpallë si zonë historike të Vushtrrisë”, ka thënë kandidati për kryetar të Vushtrrisë.  

Krejt në fund, Tahiri ka ftuar të gjithë qytetarët e Vushtrrisë që të dielën në sheshin kryesor të Vushtrrisë të bashkohen në hapjen e fushatës me ç’rast do të prezantohen edhe pesë pikat më me prioritet të planit të tij qeverisës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat