Hyseni: Kërkesa e Haradinajt për tërheqje nga Interpoli, mund të mos merret parasysh

Aktuale

Hyseni: Kërkesa e Haradinajt për tërheqje nga Interpoli, mund të mos merret parasysh

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 15:55

(E plotësuar) - Ish-ministri i brendshëm, Skënder Hyseni ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar gjerë e gjatë për procedurat që i ka ndjekur për aplikim në Interpol.

Sipas tij, Kosova ka pasur gjasa të mëdha që në votimin e javës së ardhshme të marrë votat e mjaftueshme dhe të bëhet anëtar i kësaj organizate.

Ai ka thënë se Komiteti i Interpolit e ka miratuar rendin e ditës, ku si pikë e parë është votimi për aplikimin e Kosovës që të anëtarësohet në Interpol.

“Komiteti ekzekutiv ka vendosur që aplikacioni i Kosovës ta vendos në agjendë dhe këtu e kam agjendën dhe siç mund të shihet është aplikacioni i Kosovës me titull zyrtar është pika e parë e rendit të ditës ku thuhet se votimin për aplikimin e Republikës  Kosovës për anëtarësim në Interpol”, ka thënë Hyseni.

Sipas Hysenit, në Komitet janë 12 vende, gjashtë prej të cilave e kanë njohur Kosovën dhe gjashtë jo. Por ai ka bërë të ditur se ky komitet kishte vendosur unanimisht që Kosova të mund të votohet për anëtarësim në këtë organziatë.

Madje sipas anëtarit të LDK-së, kërkesa e Haradinajt mund të mos merret parasysh dhe përsëri aplikimi i Kosovës të votohet.

“Kërkesa e Haradinajt mund të mos mirret parasysh, dhe asambleja të vendos që të procedohet në rendin e ditës ashtu si është. Por vet kërkesa për tërheqje e ka dëmtuar tej mase perspektivën e votimit pozitiv për Kosovën”, ka thënë Hyseni.

“Vendimin për tërheqje e merr vetëm asambleja, ose mocioni i cili do të paraqitej nga ndonjë vend për tërheqjen e ndonjërës pikë të rendit të ditës”, tha Hyseni.

Ai ka bërë të ditur se Kosova do të bëhej anëtare e Interpolit me 2/3 e votave nga vendet që ishin prezente në asamble.

E sipas Hysenit, deri në këtë kohë pjesëmarrjen e kishin konfirmuar 132 vende nga 197.

Ish-ministri ka thënë se gjatë kohës sa kishte lobuar, kishte marrë përkrahje nga shumë vende dhe mesazhe inkurajuese, duke u shprehur optimist se Kosova do të arritne të siguronte numrin e mjaftueshëm të votave.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Interpol do të duhej të votohej më 26 shtator. 

***

Ish ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe anëtari i LDK-së, Skënder Hyseni ka ftuar një konferencë për media këtë të shtunë për të dhënë sqarimet e tij mbi aplikimin e Kosovës në INTERPOL.

Hyseni ka thënë se kryeministri i ri, Ramush Haradinaj e ka adresuar gabimisht kërkesën për shtyrje, sepse nuk vendos as Sekretari i përgjithshëm as komiteti për ndryshim të rendit të ditës dhe  atë vendim sipas tij mund ta marrë vetëm Asambleja e Përgjithshme.

“Është një rrjedhim skajshmërisht i pavolitshëm, i dëmshëm dhe uroj të mos ndodhë të kërkesa e Haradinajt të mos merret parasysh fare dhe Asambleja e Përgjithshme e të vendosë të procedoj rendin e ditës ashtu siç është”.

“Vendet anëtare që i kemi kontaktuar do të vënë një pikëpyetje të madhe dhe do të thonë se pse të japim votë për një vend që vendosë të tërhiqet”, ka thënë Hyseni.

“Në emër të LDK-së, por edhe timin si ish ministër i Brendshëm shfaq një shqetësim. Kryeministri Haradinaj me gjasë ka dërguar letër, nuk e di nëse saktësisht te sekretari i INTERPOLIT, një kërkesë shumë e paqartë, të tërhiqet aplikacioni apo të shtyhet votimi”, ka shtuar ai.

Sipas tij arsyetimi  për tërheqje është tej mase hipotetik dhe i kalkuluar jo si duhet se gjoja Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme.

“Rezervat dhe shqetësimet i kemi të gjithë mirëpo mbi çfarë premisa ka ardhur Haradinaj dhe qeveria aktuale se Kosova nuk i ka votat. Është nostradamike që të thuhet pa ndonjë analizë të hollësishme që Kosova nuk i ka votat. Informacionet që kam pasur unë janë krejtësisht të kundërta”.

“Nuk mund ta dimë me saktësi nëse një aplikacion kalon ose jo. Thuhet se vendi ku mbahet asambleja është problematik, këtë nuk e kontestoj, mirëpo problematizimi i saj është i kontestueshëm”, ka theksuar ai, ndër të tjera.

Hyseni ka dhënë edhe detaje të tjera, duke theksuar se gjithçka ka qenë gati dhe se kanë pasur ftesa bashkë me ish kryeministrin Mustafa për të udhëtuar për në Pekin për të ndjekur si vëzhgues punimet e Asamblesë së Përgjithshme.

Hyseni ka thënë se aplikacioni që kanë dërguar, sipas zyrtarëve nga INTERPOL  ka qenë më i mirëve është dërguar në vitet e fundit nga ndonjë shtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat