Udhëtarët po detyrohen të kalojnë në këmbë kufirin Kosovë – Serbi

Aktuale

Udhëtarët po detyrohen të kalojnë në këmbë kufirin Kosovë – Serbi

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 16:09
Ilustrim

Pronarët e disa kompanive të linjave të autobusëve që qarkullojnë nga Kosova në Serbi thonë se një vendim i Ministrisë së Infrastrukturës po pengon qarkullimin e tyre të rregullt.

Si rezultat udhëtarët po detyrohen të kalojnë kufirin këmbë mbi një kilometër për të vazhduar rrugën me një autobus tjetër të së njëjtës kompani. Ministria e Infrastrukturës thotë se linjat që kanë leje nuk kanë asnjë problem në lëvizje.

Qindra udhëtarë shqiptarë e serbë brenda një dite vazhdojnë të kalojnë këmbë kufirin Kosovë – Serbi. Ata udhëtojnë me një autobus deri në pikë kalimin kufitarë në Merdarë pastaj zbresin dhe kalojnë këmbë kontrollin e dokumnetve dhe më pas vazhdojnë rrugën me një autobus tjetër brenda territorit të Serbisë.

Pronarët e dy kompanive të kontaktuar nga Radio Kosova, “Adio Tours” dhe “Erhan Tours” thonë se nga java e parë e shtatorit, Ministria e Infrastrukturës ka ndaluar kalimin e autobusëve të tyre nga Kosova, për të frenuar sipas tyre fluksin e emigrantëve ilegalë.

Hamdi Retkoceri, nga kompania “Adio Tours” që mban një linjë të rregullt Prishtinë – Beograd ka shpjeguar se Ministra e Infrastrukturës po pengon operimin direkt të autobusëve të tyre për në Serbi. Sipas Ratkocerit për këtë arsye udhëtarët po detyrohen të kalojnë këmbë kufirin.

“Deri në Piken kufitare udhëtojmë më një autobus, prej pikës kufitare duhet te zbresin udhëtarët dhe të ecin këmbë për të kaluar piken kufitare, pastaj për të vazhduar me autobus tjetër”.

Pronari i kompanisë “Erhan Tours”, Erhan Elshani po ashtu i ka thënë Radio Kosovës se po detyrohen të zbresin udhëtarët në kufi për të kaluar këmbë kufirin. Sipas Elshanit pleq të sëmurë dhe fëmijë të vegjël po detyrohen ditën dhe natën të kalojnë këmbë mbi një kilometër.

Të dy kompanitë thonë se kanë dorëzuar një ankesë në Ministrinë e Infrastrukturës, duke e quajtur këtë shkelje të lirisë së lëvizjes. Ata thonë se kanë leje të rregullta qarkullimi.

Por, drejtori i Departamentit të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës, Xhemë Veseli ka thënë se nga ana e Kosovës nuk ka asnjë problem për linjat që kanë dokumente të rregullta për operim.

“Aktualisht diku tetë operatorë i kemi që kanë të drejtë të operojnë në drejtim të Serbisë, Por a funksionojnë apo nuk funksionojnë po besoj këtë pune e dinë më mirë policia e pikës kufitare, sa i përket anës tonë nuk ka problem, por nga ana Serbisë ata mund të marrin veprime të një anshme pa pëlqimin tonë, ne nuk mund të ndërhyjmë në politikat e tyre’’.

Sipas Veselit disa nga kompanitë nuk kanë leje qarkullimi. Radio Kosova gjithashtu ka kontaktuar policinë në lidhje me autobusët që zbresin udhëtarët në kufij dhe më pas ata kalojnë këmbë kufirin. Por as policia nuk ka dhënë ndonjë sqarim të plotë se çka saktësisht po ndodhë me këto linja të autobusëve për në Serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat