Thaçi thotë se Kosovës nuk i takon të përzihet në zgjedhjet e huaja, por ai vetë ka harruar këtë detaj

Aktuale

Thaçi thotë se Kosovës nuk i takon të përzihet në zgjedhjet e huaja, por ai vetë ka harruar këtë detaj

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 22:32
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi, në intervistën për RTK-në ka thënë se nuk është punë e Kosovës që të interferoj në zgjedhjet e nesërme në Gjermani.

Por ishte vetë ai që kishte shprehur simpati të hapur për kandidaten për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ndërkohë që nuk e favorizonte Donald Trumpin.

“Nuk përzihem dhe as nuk e kemi atë mundësi, të përzihemi në zgjedhjet në SHBA, por shqiptarët i gëzohen zgjedhjes së Hillary Clinton Presidente të SHBA-ve. Prandaj ndjehem mirë se shqiptarët janë në favor të Clinton. Sepse dikush paraqet progres, dikush regres për të ardhmen”, kishte thënë Presidenti në një intervistë për Klan Kosovën në kohën kur të gjithë ishin pothuajse të sigurt se Clinton do të ngadhënjejë në këto zgjedhje.

Thaçi tha se “Nuk është e jona të inteferojmë në asnjë rrethane në këto zgjedhje, por duhet ta falënderoj kancelaren Merkel dhe popullin gjerman për ndihmën e madhe që kanë dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës në situatat më të vështira”, deklaroi Thaçi.

Kancelarja Merkel, sipas tij, ka treguar humanitetin, lidershipin dhe vizionin e saj, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe më gjerë, si një politikane me vizion global. “Prandaj edhe sot edhe nesër edhe përjetësisht, shqiptarët ku do që jetojnë, në Kosovë, në Gjermani do t’i jenë mirënjohëse kancelares Merkel, të cilës i dëshirojmë sukseset më të mira”, deklaroi presidenti Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat