Dështon seanca ndaj Sami Lushtakut dhe djalit të tij

Aktuale

Dështon seanca ndaj Sami Lushtakut dhe djalit të tij

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 09:39
Pamje nga gjykimi

(E plotësuar) - Kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, dhe 23 të akuzuar të tjerë për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) kanë dalë sot para gjykatës në seancën fillestare për ngjarjet e majit të vitit 2014, por seanca nuk është mbajtur për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve.

24 persona, në mesin e tyre edhe Sami Lushtaku, dhe i biri i tij, Mërgimi (tani deputet i Kuvendit të Kosovës), zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe gardianë, janë të akuzuar nga një prokuror i EULEX-it për arratisjen e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Por tre të akuzuar, Dardan Geci, Myrvete Lushtaku e Skender Tahiri munguan në seancën e sotme dhe kjo e bëri të pamundur fillimin e saj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 7 nëntor.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës, raporton kallxo.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

***

Kryetari aktual i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku do të dalë sot para gjykatës.

Këtë të hënë do të mbahet seanca e shqyrtimit të parë, mbi rastin: arratisje dhe krim të organizuar si dhe ndikim mbi dëshmitarë.

Kjo aktakuzë është ngritur në nëntorin e vitit 2016. Ajo lidhet me arratisjen e Lushtakut nga QKUK derisa ishte duke u trajtuar aty, në kohën sa ka qenë i burgosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat