SBASHK: Duke kundërshtuar rritjen e pagave në sektorin publik, nuk mbrohet sektori privat

Aktuale

SBASHK: Duke kundërshtuar rritjen e pagave në sektorin publik, nuk mbrohet sektori privat

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 12:56
SBASHK

Deklarimi i Ministrit të Financave, Bedri Hamza se do të ketë ngritje pagash për gjithë sektorin publik është pritur mirë edhe nga mijëra të punësuar në sektorin e arsimit në Kosovë. SBASHK-u e përshëndet gatishmërinë e Ministrit Bedri Hamza dhe Qeverisë Haradinaj për të bërë lëvizje të mirë rreth pagave, pasi tani e tri vite nuk ka pasur as edhe një ngritje modeste të pagave në arsim e as në sektorët tjerë publik.

“SBASHK-u do të gëzohej edhe me lajmin sikur edhe pronarët e bizneseve në sektorin privat të kenë vendosur, më në fund, që punëtorëve të tyre t’ua ngritin pagat”, thuhet në reagimin për media të SBASHK-ut.

SBASHK ka reaguar ndaj deklaratave publike të Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe ndaj deklarimit publik të nënkryetarit të BSPK-së, Alush Sejdiu.  Ata sipas SBASHK-ut,  mundohen të dalin si mbrojtës të sektorit privat, por nuk mbrohet ky sektor duke kundërshtuar  rritjen e pagave në sektorin publik.

“Gërxhaliu e Sejdiu  , besoj e dinë, se nëse edhe pengohet ngritja e pagave në sektorin publik, kjo nuk sjellë ndonjë të mirë për  të punësuarit në sektorin privat, pra as ngritje pagash atje. Kjo i bie se për ta mbajtur gjendjen e keqe me pagat në sektorin privat u dashka të pengohet rritja e pagave edhe në sektorin publik”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat