Në Kosovë po bëhet akt kundër demokracisë

Aktuale

Në Kosovë po bëhet akt kundër demokracisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 shtator 2017 Në ora: 07:35
Kuvendi i Kosovës

Deputeti i VV-së Mytaher Haskuka, ka fajësuar Qeverinë,  për shtyrjen e seancave duke thënë se ajo është shumë e dobët edhe në aspektin e kualitetit por edhe në aspektin e numrave, dhe se për këtë arsye po mundohet që ti ikë debatit.

“Ashtu si qeveria i shkeli procedurat për të ikur debatit parlamentar për programin qeveritar ngase nuk kanë program, njëjtë tani do të mundohen që të shtyjnë seancat parlamentare duke gjetur arsyetime të ndryshme”, ka thënë deputeti Haskuka.

Ndërsa  Bajram Gecaj, zv/ Ministër në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, pa dashur të komentojë më gjatë në lidhje me këtë çështje, ka thënë për “Bota sot” se fushata për zgjedhjet lokale dhe seancat e Kuvendit do të duhej të ndikonin njëra në tjetrën, pasi kjo do të ishte në dëm të qytetarëve të Kosovës, dhe vet vendit.

Image
Bajram Gecaj

Akt kundër demokracisë 

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se mos organizimi dhe mos mbajtja e seancës se Kuvendit është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe me natyrën e sistemit parlamentar.

Sipas tij, ky sistem kulmon tek tri pushtetet në kompetencë të Kuvendit dhe mos mbajtja e seancës e mënjanon apo e largon Kuvendin nga kompetencat e veta.

“Është gjë normale se çdo zgjedhje e ngadalëson pushtetin dhe punën e Kuvendit. Shpresoj se kjo shpejtë të tejkalohet dhe Kuvendi të merr detyrën e vet si në sistemet parlamentare. Mos funksionimi i parlamentit është akti më i rëndë kundër demokracisë. Këtë madje e dinë të gjithë dhe me siguri se së shpejti do të thirret seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë profesor Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike ka thënë se kjo fushatë po ndikon negativisht në punën e Kuvendit dhe siç duket të gjithë janë në fushatë, dhe tani duket sikur ky kuvend është në pushim veror.

Sipas tij, aq sa zgjatë fushata duket se do të zgjasë edhe pushimi i kuvendit.

“Pra ka parashenja që kuvendi të mos mblidhet deri më datën 25 tetor, dhe ky është stagnim në procedim të ligjeve dhe problemeve tjera ende s’është aprovuar programi i qeverisë madje edhe debati do të ngesë”, ka thënë Burjani.

Image
Blerim Burjani

Debati për partinë më të madhe në Kuvend

Nga ana tjetër analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka hutuar partitë politike, pasi që rezultati i këtyre zgjedhjeve është një barometër matës për  peshën politike të të gjitha partive veç e veç, dhe njëkohësisht do të mbyllë debatin e pakuptimtë se cila është partia më e madhe në vend.

“Edhe pse natyra e zgjedhjeve lokale dallon nga natyra e zgjedhjeve nacionale, por nuk mund të kemi ndryshime substanciale nga rezultati i zgjedhjeve nacionale. Vonesat e tilla  në mbajtjen e seancave nuk mund të arsyetohen në asnjë formë, pasi që vullneti qytetarë nuk po përfaqësohet në masën e duhur për të cilin qytetari ia ka dhanë mandatin. Në njërën anë duhet të kemi  gjykimin  kritik në kontekst  juridik  e moral”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, në kontekstin  moral, veprimi të  tillë  nuk mund të arsyetohen, pasi që këta të fundit paguhen me taksat e qytetarëve dhe nuk po e kryejnë funksionin për çka janë të thirrur. 

Image
Hidajet Ahmeti

“Në kontekst juridik, vonesa të tilla duhet të ngritën në instanca më të larta të mekanizmave  të drejtësisë duke i gjykuar veprimet e tilla në kontekstin kritik. Në njërën anë për t’i vetëdijesuar përfaqësuesit  e popullit, por edhe qytetarët për të gjykuar në kontekst të punës së përfaqësuesve të popullit dhe ndëshkimi të ndodh në baza racionale, ka thënë Ahmeti.

Shans për të përfituar kohë

Ndryshe analisti politik Skender Zogaj ka thënë se gjithçka po vazhdon të jetë e kushtëzuar nga pritja e zhvillimeve të reja në planin e gjerë vendor dhe ndërkombëtar, sepse, janë grumbulluar probleme të shumta dhe varësisht nga zbërthimet e disa prej tyre, do të mund të kemi edhe rrjedhat e tjera qeverisëse.

Sipas tij, Kuvendi është në pozitë delikate, shumë në tetik, sepse, gjithçka brenda tij është e mundshme.

“Zgjedhjet lokale janë njëfarë shansi shumë i volitshëm për të përfituar në kohë, sepse, tash për tash fushata zgjedhore është veprimtaria kryesore dhe tepër e rëndësishme e vendit, ngase, rezultatet e zgjedhjeve lokale do të jenë adut shumë i rëndësishëm për të gjitha partitë politike dhe për institucionet shtetërore të vendit, duke qenë se, do të pasqyrojnë përcaktimin e qytetarëve të Kosovës përkitazi me llojin e qeverisjeve lokale, e kjo përcakton edhe bazamentin e qeverisjes qendrore”, ka thënë Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Ai ka vlerësuar se mbajtja e seancës së radhën në Kuvendin e Kosovës nuk prish shumë punë nëse nga pak ka vonesa, por është me rëndësi cilësia e seancave dhe mënyra e rezonimit të parlamentarëve për problemet që shtrohen.

“ Duke qenë se, janë një varg detyrash dhe vendimesh tepër të mprehta që duhet të shtrohen dhe mënyra se si zgjidhen është shumë kushtetuese edhe për hapat e mëtutjeshëm të zhvillimit të vendit. Pra vonesat e vogla nuk prishin shumë, por cilësia e seancave të Kuvendit janë Thembra e Akilit,” ka thënë Zogaj.

 Ndryshe, zyra për informim e Kuvendit ka njoftuar se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit do të thirret pas plotësimit të propozimeve nga grupet parlamentare të emrave të deputetëve për kryetarë, zëvendëskryetarë dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, të cilat nuk i kanë parashtruar akoma propozimet për përfaqësues të komisioneve parlamentare.

“Në bazë të përfundimit të Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur me 20 shtator 2017, është kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që t’i propozojë emrat e deputetëve për kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare deri të hënën, më 25 shtator, në orën 12:00. Mirëpo, deri më sot, (më 25 shtator, ora 14:00), propozimet i kanë parashtruar: Grupi parlamentar Lista Serbe dhe Grupi Parlamentar Nisma për Kosovën. Pas parashtrimit dhe propozimeve edhe nga grupet tjera parlamentare të emrave të deputetëve për kryetarë, zëvendëskryetarë dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, do të thirret mbledhja e Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat